Lidhjet Liban Siri
12 Qershor 2012Zona rreth Uadi Khaled-it i ngjan Toskanës. Rivierë e ulët, me kodra, fusha të gjelbëra, selvi të larta, bagëti që kullot. Por, idili nuk ekziston më që kur ka filluar lufta civile në vendin fqinjë. Uadi Khaled përbën qoshen më veriore të Libanit, dhe futet si një hundë në territorin sirian.
Homs, qyteti ku janë përqendruar kryengritësit që luftojnë kundër Assad-it, ndodhet 40 kilometra larg. Kur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle shkoi javën e kaluar në Bejrut, ai foli për realitetin që ekziston këtu prej disa javësh: "Gjendja në Siri ka pasojat e veta në rajon dhe kryesisht në Liban".
Në Uadi Khaled digjen tani gomat e makinave, rrugët janë të bllokuara, ushtria libaneze tregon prezencë. Arsyeja janë një seri rrëmbimesh. Ato filluan ditën e shtunë (9.6.). Një idhtar libanez i rebelëve kundër Assad-it, mysliman sunit u rrëmbye nga idhtarët e regjimit të kryetarit të shtetit sirian. Rrëmbyesit janë pjesë e komunitetit fetar të Assadit, alavitëve, një pakicë prej 10 përqind e popullsisë, e cila kontrollon në Siri prej dekadash të gjitha pikat e rëndësishme të pushtetit në politikë, ushtri dhe shërbimet sekrete. Simpatizantë dhe fetarë të të dy palëve jetoinë edhe në Liban. Sipas parimit "siç ma bën ti mua ta bëj edhe unë ty", sunitët rrëmbyen nga ana e tyre alavitë në Uadi Khaled. Numri i të rrëmbyerve ka arritur ndërkohë në shtatë.
Konflikti ka përfshirë edhe Libanin, dhe ai pason praktikat që vazhdojnë atje, siç tregon ky libanez pas kthimit nga vendi fqinjë. "Në Siri kanë ndodhur disa rrëmbime. Atje kemi të bëjmë edhe me rrëmbime për të marrë para. Kush nuk paguan vdes. Por pjesa më e madhe e rrëmbimeve janë me motive fetare." Sunitët kundër shiitëve, përkatësisht alavitëve. Kjo luftë fetare i ngjan asaj të Irakut dhe pritej të ndodhte në Siri, po ashtu siç ekziston rreziku që të përfshijë edhe Libanin thotë Hilal Khashan nga Universiteti Amerikan në Beirut: "Të dy palët janë si binjakë. Libanezët ndjekin me shumë vëmendje gjendjen në Siri."
Në Uadi Khaled, ku po qëndrojnë mijëra sirianë të larguar nga regjimi i Assad-it, rrëmbimet janë të një kualiteti të ri. Në afërsi të Tripolit, qytetit të dytë për nga madhësia në Liban, ka pasur gjatë të shtënave midis grupeve të armiqësuara edhe të vdekur. Tensionet janë në rritje. Të dy vendet janë ndërthurura ngushtë.
Ushtria siriane e ka mbajtur Libanin të pushtuar gati tri dekada me radhë, ka përcaktuar politikën atje dhe iu desh të largohej prej andej pas vrasjes së kryeministrit Hariri, shtatë vjet më parë. Hisbollahët, forca më e madhe politike dhe ushtarake ne Bejrut, që drejton që prej fillimit të vitit edhe qeverinë, ka lidhje të ngushta me Assad-in dhe përkrahen nga aleati i tij, Irani. Prandaj bota druhet të kryejë një angazhim ushtarak kundër Assad-it, sepse pasojat e një aksioni të tillë nuk i njeh vetëm Westerwelle: "Ne duhet të shmangim rënien e zjarrit në rajon".