Liderët polakë, çekë dhe sllovenë vizitojnë Ukrainën
15 Mars 2022Një tren që transportonte kryeministrat polakë, çekë dhe sllovenë kaloi të martën në mëngjes kufirin me Ukrainën, sipas raporteve polake të publikuara. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki, i shoqëruar nga kolegët e tij Petr Fiala dhe Janez Jansa, do të takojnë në Kiev presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe kryeministrin Denys Shmyhal. Synimi është sigurimi për mbështetjen e BE, sipas qeverisë së Varshavës.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha në një postim në Twitter se "Evropa duhet të garantojë pavarësinë e Ukrainës dhe të sigurohet se është e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e Ukrainës".
Mbështetje e qartë e gjithë Bashkimit Evropian
“Objektivi i kësaj vizite është të riafirmojë mbështetjen e qartë të të gjithë Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe të paraqesë një paketë të gjerë ndihme për shtetin dhe shoqërinë ukrainase”, thuhet në deklaratën e Varshavës.
Sipas ndihmësit të presidentit polak Michal Dworczyk, udhëheqësit pritet të paraqesin një paketë ndihme të BE për Ukrainën. Vizita ishte planifikuar prej disa ditësh, por u mbajt e fshehtë për arsye sigurie, tha Michal Dworczyk
"Në Kiev, përveç një sinjali të fortë mbështetjeje për Ukrainën, do të prezantohet nga kryeministrat një paketë konkrete mbështetjeje," tha Dworczyku.
Kryeministri çek Petr Fiala tha në një postim në Twitter: “Qëllimi i kësaj vizite është të shprehë mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian për Ukrainën, lirinë dhe pavarësinë e saj." Prandaj, do t'i paraqitet popullatës një paketë mbështetëse.
Të tria vendet janë shtete anëtare të BE dhe gjithashtu anëtarë të aleancës së NATO-s. Gjatë fundjavës, krerët e BE e bënë të qartë se nuk mund të ketë rrugë të shkurtër për anëtarësimin në BE, pas një samiti jozyrtar dyditor në Pallatin e Versajës, në Francë.
Drejtuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, megjithatë, i kanë premtuar Ukrainës ndihmë ushtarake prej një miliardë eurosh (1.1 miliardë dollarë).
Ursula von der Leyen: Ukrainasit të drejtë për të zgjedhur fatin e tyre
Në samitin dyditor të javës së kaluar, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ukrainasit po ushtrojnë "të drejtën e tyre për të zgjedhur fatin e tyre" duke filluar procesin e anëtarësimit në BE.
Vizita është koordinuar me Presidentin e Këshillit të BE, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Një zyrtar i BE-së, i cili foli jo zyrtarisht për shkak të ndjeshmërisë së udhëtimit tha se pas një samiti javën e kaluar në Versajë, Këshilli Evropian u informua për misionin e mundshëm, por nuk kishte “asnjë përfundim apo mandat nga Këshilli Europian si i tillë” për këtë iniciativë.
Ky zyrtar tha se edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel "theksoi rreziqet e sigurisë" të një udhëtimi të tillë. Eric Mamer, zëdhënës i Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, konfirmoi se ajo dhe Micheli ishin informuar për një vizitë të mundshme ditët e takimit të Versajës. Ai theksoi se BE mbështet Ukrainën, e cila po përballet me një sulm.
"Kjo vizitë u konfirmua mbrëmë”, tha Mamer. “Bashkimi Evropian qëndron përkrah Ukrainës. BE-ja përpiqet të sigurojë mbështetje të koordinuar politike, financiare, materiale dhe humanitare”.
aud (br, dpa, AP, Reuters)