Liderët e G20-ës dënojnë luftën në Ukrainë
16 Nëntor 2022Gjatë fjalimit të hapjes së samitit të G20, presidenti indonezian Joko Widodo u bëri thirrje vendeve anëtare që t'i japin fund konfliktit dhe luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Të pranishëm në samitin e G20 janë presidenti i SHBA Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe liderë të tjerë. Presidenti rus Putin nuk merr pjesë.
"Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën," tha presidenti indonezian Widodo. "G20 duhet të jetë katalizatori për rimëkëmbje ekonomike gjithëpërfshirëse. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë. Ne nuk duhet të lejojmë që bota të shkojë në një tjetër luftë të ftohtë."
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbajti gjithashtu një fjalim përmes njgjithashtu lidhjeje me video në samit. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të G20 që të bëhen "bashkëkrijues i paqes" dhe t'i japin fund luftës "agresive dhe destruktive" të Rusisë.
G20 dënon me forcë luftën në Ukrainë
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters udhëheqësit e G20 paraqitën një projekt-deklaratë në të cilën dënohet me forcë lufta në Ukrainë dhe theksohet se ajo po kontribuon në përshkallëzimin e brishtësisë ekonomike në të gjithë botën.
Dokumenti prej 16 faqesh, pritet të miratohet nga një shumicë e madhe e anëtarëve të G20.
Në projekt-deklaratë thuhet se ndërsa "G20 nuk është forum për të zgjidhur çështjet e sigurisë", udhëheqësit pranojnë se "çështjet e sigurisë mund të kenë pasoja të rëndësishme për ekonominë botërore".
Më herët, Rusia u përpoq ta largonte fokusin nga lufta e saj ndaj Ukrainës, duke këmbëngulur se G20 nuk ishte platforma për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe se aty duhet t'u jepej përparësi sfidave ekonomike.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, tha se vendet e G20 po përpiqen të "politizojnë" deklaratën e përbashkët të samitit.