1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libreza e shanseve: Si të shpëtohet tregu gjerman i punës

5 Qershor 2024

Nga 1 qershori ka hyrë në fuqi Libreza e shanseve. Me të ata që nuk janë nga vendet e BE mund të kërkojnë punë në Gjermani. Kjo mendohet të zgjidhë problemin e mungesës së forcave të punës, por ekspertët janë skeptikë.

https://p.dw.com/p/4geFA
Të rinj duke u trainuar në një pavion spitali si kujdestarë për të sëmurët
Mungesa më e madhe e forcave të punës ndjehet në sistemin e kujdesit shëndetësor në GjermaniFotografi: Friso Gentsch/dpa/picture alliance

Më në fund do të ketë më shumë forca të specializuara pune për kujdesin ndaj të sëmurëve, për teknikën dhe për industrinë. Gjermania kërkon të joshë forcat e specializuara të punës të vijnë nga vendet e tjera për të punuar në Gjermani, duke përdorur një sistem të ri pikësh, të ashtuquajturën Librezë shansesh, njëjtë si Kanadaja dhe Australia, duke menduar të verë kështu më në fund nën kontroll mungesën e fuqisë së specializuar në vend. Më poshtë po shpjegojmë si funksionon ky sistem dhe ku i shohin specialistët mangësitë.

Si funksionon Libreza e shanseve?

Që prej 1 qershorit 2024 ata persona që kërkojnë punë dhe nuk janë nga një vend i BE-së, mund të vijnë në Gjermani duke përdorur Librezën e shanseve. Për të ardhur në Gjermani, punëkërkuesit nuk do të kenë nevojë të kenë kontratë pune për punë me kohë të plotë, por do të kenë në dispozicion një periudhë kohore prej një viti për të gjetur punë. Kushti për të marrë librezën e shanseve është që personi të ketë përfunduar një shkollë profesionale të paktën dyvjeçare ose të ketë përfunduar shkollën e lartë, si dhe të ketë njohuri të gjuhës gjermane në nivelin A1 ose të gjuhës angleze në nivel më të lartë, atë B2. Edhe kontaktet me persona që jetojnë në Gjermani luajnë një farë roli.

Në varësi të përvojës profesionale, njohurive të gjuhës, moshës dhe kontakteve në Gjermani, bëhen vlerësimet në pikë. Kush ka një kualifikim profesional në një profesion, për të cilin ka mungesa krahu pune në Gjermani, merr pikë më shumë. Në kushte të caktuara periudha kohore për të gjetur punë mund të zgjatet maksimumi deri në dy vjet.

Sa e lartë duhet të jetë rroga?

Ata që kërkojnë punë duhet të kujdesen vetë për të ardhurat e jetesës (pra nuk marrin ndihma nga zyra sociale (shënim i përkthyesit). Vetëm ata që kanë sukses gjatë kërkimit të punës mund të vazhdojnë të qëndrojnë më gjatë në Gjermani. Kusht është që rroga bruto në vit të jetë minimumi 40.770 euro, ose që rroga të paguhet sipas tarifave. Paralelisht me kërkimin e punës lejohet të punohet në punë të tjera maksimumi deri 20 orë në javë.

Libreza e shanseve ka të bëjë me pjesën e tretë të ligjit për marrjen e migrantëve që janë forcë e specializuar pune. Ligji u nxorr në vitin 2020 nga koalicioni në atë kohë në pushtet, midis socialdemokratëve SPD dhe konservatorëve të CDU, për të joshur forcat e specializuara të punës nga vendet jo anëtare të BE-së, që të vijnë të punojnë në Gjermani.

Si është puna me njerëzit nga vendet e Ballkanit?

Edhe për fuqinë punëtore nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, që prej 1 qershorit janë rritur shanset që të futen në tregun gjerman të punës, edhe nëse nuk kanë shkollim profesional. Megjithatë para ardhjes në Gjermani, ata duhet që të tregojnë një kontratë pune.

Deri tani 25 mijë forca pune nga Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë pasur mundësi të vijnë në Gjermani nëpërmjet të ashtuquajturit rregull për Ballkanin Perëndimor. Tani ky kontigjent është rritur duke arritur dyfishin, në 50 mijë çdo vit.

Sa e madhe është mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani, dhe pse është aq e madhe?

Sipas ministrit gjerman të Punës, Hubertus Heil deri në vitin 2035 në Gjermani duhen zëvendësuar shtatë milionë forca pune. Pa migracionin kjo gjë nuk mund të arrihet. Mungesa të krahut të punës ka sidomos në kujdesin për të sëmurët dhe të moshuarit, kujdesin për njerëzit me aftësi të kufizuara etj, si dhe në gastronomi. Edhe në teknologjinë e informacionit ka mungesa të krahut të punës, si në ndërmarrje ashtu edhe tek autoritetet.

Arsyet pse mungojnë forcat e punës janë të ndryshme. Shoqëria gjermane është duke u plakur, fëmijët që kanë lindur në periudhën e bumit të lindjeve (vitet 1960) dalin pas pak kohe në pension. Përveç kësaj forcat e specializuara mungojnë edhe në sektorët e rinj të punës dhe në vendet e reja të punës në fushën e digjitalizimit. Si pasojë nuk merren më porosi për punë, oraret e mbajtjes hapur të shërbimeve ulen, pacientët dhe të moshuarit nuk marrin shërbimin e duhur.

Një vend pune në kujdesin për të moshuarit mbetet mesatarisht 251 ditë i pazënë, bëhet e ditur nga Ministria e Ekonomisë, kurse në fushën e prodhimit të lëndëve të ndërtimit 249 ditë. Instituti për ekonominë gjermane vlerëson, se mungesa e krahut të specializuar do t'i kushtojë sipërmarrjeve në Gjermani 49 miliardë euro.

Ende pak vende pune që nuk zihen në tregun gjerman të punës

Krahasuar me një vit më parë shifrat sivjet janë madje shumë optimiste: Agjencia e Punës njoftoi për prill 2024 se 701 000 vende pune nuk janë zënë, 70 mijë vende pune më pak se vitin e kaluar. Edhe sipas Institutit Ifo për studimet në fushën ekonomike, gjendja në mars të 2024 ka qenë që mungesa e krahut të specializuar është zvogëluar pak. Kështu rreth 36,3 përqind e firmave kanë pranuar se vuajnë nga kriza e krijuar prej mungesës së krahut të punës. Vitin e kaluar kjo shifër ka qenë 43,6 përqind.

Lajmi që shifrat kanë rënë pak nuk është ndonjë lajm i mirë, sepse kjo rënie ka të bëjë me konjukturën e dobët në Gjermani. Kur konjuktura të përmirësohet sërish, mungesa e krahut të specializuar të punës do të rritet, thotë eksperti i Ifo-s, Klaus Wohlrabe.

Çfarë problemesh ka Libreza e shanseve?

Megjithë këto ndryshime studiuesit e migracionit vazhdojnë të mbeten skeptikë. Herbert Brücker nga Instituti për studimin e tregut të punës dhe profesioneve (IAB) thotë për gazetën e Dyseldorfit, "Rheinische Post" se efekti do të jetë i kufizuar. Ndryshe nga p.sh.  Kanadaja, këtu kemi të bëjmë vetëm me mundësitë për të kërkuar punë. Kurse në Kanada sistemi i pikëve çon në marrjen e së drejtës së përhershme të qëndrimit, prandaj është shumë më tërheqës.

Përveç kësaj Libreza e shanseve nuk sjell vërtet lehtësim. Sepse edhe pa të ata që kërkojnë punë lidhen me punëdhënësit që ndodhen kudo në botë nëpërmjet konferencave me telefon dhe aplikojnë e zenë vendin e punës nëpërmjet Facetime ose Zoom-it. Të tjerët vijnë në Gjermani si turistë dhe dalin pastaj në kërkim të punës.

Lidhja gjermane e sindikatave, DGB, mendon se kushtet paraqesin pengesa. Sepse jo të gjitha vendet kanë shkollim profesional të njohur nga shteti. Nganjëherë të rinjtë e mësojnë profesionin duke filluar pa formalitete të mëdha me „trajnimin në punë", pa marrë më parë dëftesa e diploma. Përveç kësaj ata që kërkojnë punë duhet të dëshmojnë që e përballojnë vetë jetesën. Prandaj DGB nuk mendon që „ndikimi të jetë pozitiv".

Stephanie Höppner Redaktore dhe autore për platformën gjermanisht të dw.com