Librat e shkollës në Gjermani për Holokaustin
30 Janar 2014Masakrimi i më shumë se gjashtë milionë hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore bën pjesë në kapitujt më të errët të shoqërisë njerëzore. Prandaj nuk është për t'u çuditur që Holokausti pasqyrohet në librat e mësimit të të gjithë botës. Megjithatë në nivel shumë të ndryshëm, siç kanë konstatuar ekspertë të Institutit Georg Eckert për hulumtimin e librave shkollorë në botë, duke krahasuar librat shkollorë dhe planet mësimore. Për momentin janë publikuar vetëm pjesë nga studimi i tyre, por edhe këto rezultate tregojnë ndryshime të mëdha midis shteteve.
Vëmendja më e madhe i kushtohet në studim masakrimit industrial të hebrenjve në vendin e dorasve. Duke ndjekur rekomandime të ekspertëve të librave të shkollës, mësuesit përcjellin tek nxënësit në Gjermani orë të veçanta mësimi për Holokaustin. Por një pikë të dobët, ekspertët e kanë konstatuar edhe këtu: përmbajtjet në libra janë paraqitur herë pas here pa kujdes. Zakonisht, Hitleri, nacionalsocialistët si dhe hebrenjtë theksohen si koncepte, në një kohë që grupe të tjera të viktimizuara, bashkëpërgjegjësia e qytetarëve të thjeshtë dhe roli i shteteve fqinjë evropiane në përndjekjen e hebrenjve gjejnë pak vend.
"Këtu me sa duket vazhdon të jetë e përhapur një përfytyrim i vjetër për Holokaustin, sipas të cilit Hitleri shihej si inisiatori i vetëm i tij." Në këtë përfundim arrin studiuesi i Holokaustit, Frank Bajohr. "Ndërkohë ne jemi larguar shumë nga ky përfytyrim. Edhe nëse natyrisht duhet të pranojmë që Holokausti nuk do të qe zhvilluar në këtë formë pa Hitlerin." Në vend të kësaj teze, kërkimet shkencore flasin sot për më shumë se 250.000 mijë doras gjermanë dhe austriakë.
Jo zbutje e qëllimshme
Që autorët e librave të shkollës i zbusin me qëllim faktet, këtë studiuesi Bajohr nuk e beson. Më tepër mund të thuhet se në veprat e tyre pasqyrohet një gjendje e vjetër e studimeve shkencore. Ka edhe gabime tematike, konstatojnë ekspertët në Gjermani. Përmenden për shembull kampe asgjësimi në Rusi, të cilat nuk kanë ekzistuar kurrë. Veç kësaj, në libra gjen herë pas here fjalë të gabuara, si "komanda speciale" për "komandat e operacionit", siç shkruan studiuesi i historisë së didaktikës dhe i Holokaustit, Thomas Sandkühler në vitin 2012. Sandkühleri kërkon një kontroll më të mirë cilësor të librave.
Kjo në një kohë kur ekspertët e fushës dhe mësuesit e verifikojnë me shumë kujdes një libër para publikimit. Kryetari i Shoqatës së Filologëve, Heinz Peter Meininger është në këto kushte i habitur për përfundimet e ekspertëve, që kanë verifikuar librat. Ai mendon se gabimet mbërrijnë deri në mësim më tepër përmes mësuesve, të cilët përdorin burime nga interneti pa i verifikuar.
Holokausti mungon në planin mësimor
Në vendet e tjera, ekspertët kanë hasur në probleme të tjera. Në disa kantone të Zvicrës p.sh. Holokausti nuk bën pjesë zyrtarisht në lëndën mësimore. "Eshtë pak e çuditshme, që një temë qendrore si Holokausti nuk fiksohet në planin mësimor", thotë Frank Bajohr. Është pikërisht komisioni i historianëve zviceranë që është marrë me vite të tëra me Gjermaninë nacionalsocialiste dhe me përfshirjen e Zvicrës në ngjarje. Megjithatë, edhe nëse Holokausti nuk shfaqet në planet mësimore, ka "dëshmi se ai trajtohet në mësim", bën të ditur Instituti Georg Eckert.
Edhe jashtë BE genocidi kundër hebrenjve trajtohet në forma të ndryshme. Librat e shkollës në Shqipëri flasin për "epokën e tronditjes 1914-1945" dhe e zhvendosin vështrimin tek qytetarët shqiptarë, të cilët kanë shpëtuar hebrenjtë e përndjekur. Në Kinë dhe në Ruandë, nga ana tjetër, Holokausti evropian shfaqet vetëm pak, si etalon krahasues për gjenocidet lokale.