1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libra historie, që afirmojnë mirëkuptimin dhe bashkëjetesën

2 Dhjetor 2010

Duke prezantuar librat koordinatorja greke e programit, profesoresha e historisë së Universitetit të Peloponezit, Kristina Kulluri, shpalos optikën e re të përbashkët dhe pa stereotipe nacionaliste të historisë së EJL

https://p.dw.com/p/QNuz
Fotografi: DW

E mbushur me nacionalizma dhe konflikte ndëretnike historia e "vështirë" e Ballkanit mund të bëhet ndërkohë një rrëfim didaktik, që afirmon mirëkuptimin dhe bashkëjetesën dhe jo urrejtjen midis fqinjëve. Një dëshmi e tillë janë katër librat e historisë së tij të re ("Perandoria Otomane", "Kombet dhe shtetet e Evropës Juglindore", "Luftërat Ballkanike", "Lufta e Dytë Botërore"), që Qendra për Demokracinë dhe Pajtimin në Evropën Juglindore me seli në Selanik përgatiti dhe përmes ministrive të Arsimit të disa vendeve të rajonit i vuri në dispozicion të shkollave të mesme. Librat përbëjnë një këndvështrim të ri, pa stereotipet dhe mitet nacionaliste të versionit kombëtar të librave të historisë të secilit vend, dhe janë fryt i punës 10-vjeçare të 60 historianëve akademikë dhe qindra arsimtarëve të lëndës së historisë. Tekstet janë shpërndarë dhe mirëpritur në vende të tilla si Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Qiproja, por jo dhe në Greqi, ku presin akoma "dritën jeshile" të ministrisë së Arsimit. Pritet së shpejti dhe botimi në gjuhën bullgare dhe mbeten ato në turqisht, rumanisht dhe sllovenisht. "Ky projekt është vërtetë një gjë origjinale. Historianë nga gjithë rajoni për herë të parë ulen në një tavolinë të përbashkët dhe ngjizin rrëfimin historik", thotë koordinatorja e programit të "historisë së përbashkët" dhe profesoreshë e Historisë në Universitetin e Peloponezit, Kristina Kulluri, e cila shikon dy ndryshime thelbësore në tekstet në fjalë nga ato zyrtare: "Mbi të gjitha ekziston një ndryshim esencial."

Jo tekste shkollore në kuptimin klasik të fjalës

Christina Koulouri Universität Peloponnese
Kristina Kulluri, profesoreshë historie në universitetin e PeloponezitFotografi: Christina Koulouri

Çdo vend ka tekstet e tij shkollore, që aprovohen dhe u vihen në dispozicion shkollave. Këto nuk zëvendësojnë këto libra, por janë paralele. Pra mund të përdoren si material ndihmës për tekstet shkollore. Është keqkuptim se tekstet kanë ambicjen, ose kanë për të zëvendësuar tekstet e historisë". Po ndryshimi i dytë? "E dyta ka të bëjë me qasjen, që është një qasje rajonale. Pra historia nuk ezaurohet brenda suazës së historisë kombëtare, por përpiqet të bëjë fjalë për gjithë rajonin", ashtu sikundër themi, siç sqaron Kulluri, "histori evropiane".

Dy ndryshimet e nismës gjermano-franceze nga ajo ballkanike

Dëgjohet si mburrësi, por i iniciuar që në vitin 1999 projekti i historisë alternative të vendeve të Evropës Juglindore është më i hershëm se edhe ai evropian me tekstin e përbashkët gjermano-francez të historisë të vitit 2005 fill pas vendimit politik Shrëder-Shirak të vitit 2003. Por me dy ndryshime: "Së pari kishin kaluar shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore nga konflikti, që krijoi urrejtjen midis tyre, kurse nga ai i viseve të ish Jugosllavisë as 10 vjet", thekson Kulluri, që ndërkohë rastin gjermano-francez e sheh si "nismë qeveritare të inspiruar nga kërkesa e vetë nxënësve". "Në rastin tonë në Ballkan qeveritë në pak raste i kishim në krah, si në rastin e Serbisë, pasi në rastin më të mirë ishin indiferente dhe në disa raste negative", thotë profesoresha greke.

Avantazhet e leximit alternativ të historisë

Die Deutsche Bibliothek in Tirana
Të mësohet më shumë për fqinjëtFotografi: DW / Aida Cama

Këndvështrimi i fqinjit, i "tjetrit", për ndodhinë, apo figurën historike, që nga shekulli i 14-të dhe deri në Luftën e Dytë Botërore, që shpesh është diametralisht i kundërt siç ndodh me perandorinë otomane, që turqit e shohin si tolerante për kulturat dhe fetë e tjera dhe fqinjët e tyre otomanët si tiranë, përbën një nga avantazhet e mëdha të "leximit alternativ të historisë". Është ndoshta mënyra më efikase për rrëzimin e gënjeshtrave dhe miteve, që siç thuhet, "janë mallkimi i historisë". «Mitet nuk rrëzohen duke thënë "shikoni, ky është mit dhe kjo është e vërteta". Ne përpiqemi të ofrojmë njohuri të sakta historike. Gjithsecili sigurisht duke pasur ndërmend mitet mund të kuptojë se cila është e vërteta në lidhje me mitet. Nuk mund të vazhdohet me tekstet, që ofrojnë si ndodhi gjëra, që kurrë nuk kanë ndodhur», thotë bashkëbiseduesja jonë dhe sjell si shembull në vazhdim rastin e "shkollës së fshehtë" në kohën e Perandorisë Otomane për greqishtfolësit. "Ajo çka konstatojmë është se mungon dija për fqinjët". Vërejtjes sonë se mungesa e dijes është ajo, që krijon terrenin për stereotipet, i përgjigjet: "Pikërisht, ashtu është. Mitet janë kryesisht të rrenjosur tek ajo, që ne e quajmë histori publike, përmes monumenteve, ceremonive edhe televizionit, e theksoj dhe së fundi në internet, jo në shkollë. Ne si historianë vitet e fundit po përballemi me më shumë kundërshtarë, të cilët minojnë njohjen dhe të vërteten historike".

Entusiaztë mësuesit e historisë, të rezervuara qeveritë

Library in Prishtina, Kosovo
Biblioteka në PrishtinëFotografi: Zulfija Jakupi

Por si u pritën librat që përcjellin tjetër imazh nga ai zyrtar për "armiqtë historikë" në vende të tilla si Serbia dhe Kosova? "Ka çifte të tilla në Ballkan: armiqsh ose miqsh shtinjakë. Do të mund të sillnim si shembull dhe grekët me turqit, eventualisht dhe serbët me kroatët. Në Serbi librat u përhapen gjerësisht. Patëm botim të dytë, që mori publicitet të madh dhe ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit. Organizuam edhe seminare kualifikimi. Kosovarët janë më mosbesues. Është periudha fill pas shpalljes së pavarësisë. Është pak e vështirë që tekstet të jenë të pranueshme nga të gjithë. Kanë rrugë të gjatë akoma", thotë profesoresha greke e historisë, e cila flet ndërkohë për "pritje entusiazte", kur vjen fjala për qëndrimin e arsimtarëve të vendeve të rajonit.

Paradoksi grek dhe interesimi japonez për projektin

Por si ndjehet që librat ende nuk kanë vajtur në duart e nxënësve grekë, pasi ministria e Arsimit nuk ka dhënë aprovimin e saj? "E dini, ndjehem si ajo që thuhet se asnjë nuk bëhet profet në vendin e tij. Bëhet fjalë për një punë, që është lavderuar kaq shumë në Ballkan dhe kryesisht në perëndim, pasi janë libra, që me burimet historike, që kanë, përdoren jo vetëm për liceistët, por edhe në universitetet amerikane dhe angleze.

BdT Deutschland JVA Münster Bibliothek des Jahres 2007
Fotografi: AP

Nuk do ta quaja brengosje, por më duket pak paradoksale që ministria nuk njeh një punë, që mund të reklamonte vetë Greqinë, pasi pas shembullit franko-gjerman, që erdhi më pas, është diçka unikale, për të cilin tregoi interes akoma edhe Japonia, që më ftoi për promovim të teksteve, të cilat ka për t'i perdorur si model në problemet me Kinën dhe Korenë. Një punë pra, që funksionon si model në nivel botëror, nuk e fsheh se më jep kënaqësi të madhe. Nga ana tjetër fakti që në Greqi ka një drojë, për mendimin tim të pajustifikueshme, kjo ndodh për shkak se disa grupe të vogla reagojnë. Profesoresha greke e konsideron naive akuzën, që i bëhet, se "po tenton të dekonstruktojë identitetet kombëtare" dhe në radhë të parë atë grek. "Kjo është një akuzë e përgjithshme, që kurrë nuk është bazuar në përmbajtjen e librave. Asnjë nuk tha se në faqen 35, apo 66 gjejmë këtë gjë", thotë Kristina Kulluri për të shtuar se akuzat bëhen kryesisht për faqen 2, ku shkruhen sponsorizuesit e qendres, midis tyre Ministria e Jashtme Gjermane dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. "Jetojmë në shtete kombe dhe mësojmë historinë kombëtare. Në qoftë se duam të kuptojmë më mirë identitetin tonë kombëtar duhet të njohim mirë të tjerët", përfundon historianja greke, Kristina Kulluri.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica