Letërsia shqipe në Lajpcig
19 Mars 2012
Ndoshta janë syzet me ngjyrë që të krijojnë ndjesinë se diku mes teje dhe saj qëndron një mur i qelqtë që të pengon t'i afrohesh. Autorja e vitit 2011 në Shqipëri, Helena Kadare, përfaqëson këtë vit në Leipzig letrat shqipe. Prezantimi i saj organizohet nga Leipziger Buchmesse dhe Shoqata e Botuesve të Shqipërisë. Dikush i kërkon një autograf për librin “Gruaja nga Tirana”, të cilin ajo do ta prezantojë pas pak në hollin e letërsisë ndërkombëtare.
Teksa ul kokën për të hedhur përkushtimin duket se syri i kap një fytyrë të njohur. “Blerina, fole me djalin?” i drejtohet koleges së re nga Kosova, e cila për herë të parë e ka lënë të birin vetëm. Në këtë moment pamja e saj të kujton diçka mes një nëne dashamire dhe një shoqeje solidare dhe muri i padukshëm duket sikur ka rënë. Në fytyrën e saj ka një gjallëri gati vajzërore që shtohet edhe më shumë kur e pyet për efektin që ka pasur botimi i librit aq të diskutuar “Kohë e pamjaftueshme”, për të cilin ajo vitin e kaluar u shpall në Tiranë autorja e vitit. Megjithëse tek-tuk i ka dhembur ndonjë akuzë e padrejtë, letrat dhe emailat pozitivë që ka marrë nga lexuesit i kanë dhënë një kënaqësi aq të madhe: “Si një lindje e dytë”.
Terrori i çensurës në diktaturë
Në romanin “Një grua nga Tirana”, të cilin e ka nisur në vitin 1987 në Shqipëri dhe e ka përfunduar në vitin 1992 në Paris, Helena Kadare rrëfen për kontrastin mes realitetit gri të Shqipërisë komuniste dhe botës së brendshme shpirtërore të një gruaje të re që dashuron me gjithë shpirt. Suzana, personazhi i saj kryesor, sapo ka përfunduar studimet dhe fillon punën tërë optimizëm në një shtëpi botuese të Tiranës, por shumë shpejt ajo përballet me zymtësinë e së përditshmes redaksionale që shkaktohet në radhë të parë nga presioni i censurës.
Se sa arbitrare dhe terrorizuese ka qenë politika diktatoriale, Helena Kadare këtë e ka përjetuar nga afër në shtëpinë botuese “8 nëntori” në Tiranë, ku merrej me redaktimin e biografive të njerëzve të shquar: “Për mua që isha një vajzë e re që e adhuroja letërsinë, vendosja në këtë punë ishte me të vërtetë një shans shumë i madh edhe një gëzim i vërtetë, por këshilla e parë që na thanë që në mbledhjet e para ishte që të censuronim çdo emër të shkrimtarëve, të cilët unë i kisha lexuar në familjen time dhe i kisha adhuruar”, u rrëfen ajo lexuesve të interesuar gjermanë. “Edhe sot çuditem kur e mendoj se si ka qenë e mundur që deri para 20 vjetëve bëheshin arrestime mu në mes të mbledhjeve, për ata njerëz të cilët kishin bërë gabime në censurime”.
Në rrethana të tilla dashuria për letërsinë e lirë merr përmasa të jashtëzakonshme: Në ato kohëra çdo intelektual shqiptar do të ishte i lumtur të kishte në dorë një libër nga këta që prezantohen në këtë panair, kujton ajo. Dhe çuditet se si me rënien e komunizmit, kjo dashuri për librin ra menjëherë: "Sigurisht që jeta tani është më e pasur e ka edhe oferta të tjera, por që interesi për librin të bjerë kaq shumë, kjo është deri diku e kuptueshme, por e pafalshme", kritikon shkrimtarja 69-vjeçare që jeton në Paris e Tiranë.
Festa më e madhe letrare e Evropës
Ora letrare me Helena Kadarenë është tipike për Lajpcigun: një prezantim i shkurtër biografik, 40 minuta lexim dhe dhjetë minuta kohë me pyetje për publikun. Lexime të tilla janë nga më të preferuarat në Lajpcig, sepse ato krijojnë oaze meditimi në ambientin e rrëmujshëm të një panairi. Prandaj edhe rubrika “Leipzig liest” (Lajpcigu lexon), e cila këtë vit numëronte 2600 aktivitete të këtij lloji në 350 pika të ndryshme të shpërndara brenda dhe jashtë panairit, konsiderohet si festa më e madhe letrare e Evropës.
163 500 vizitorë numëroi panairi gjatë katër ditëve të hapjes duke ruajtur kështu rekordin e vitit të kaluar. 1071 ekspozues prezantuan trendet letrare të 44 vendeve të ndryshme të botës. Nga letërsia e huaj vendin kryesor e zë ajo e Evropës Lindore dhe Juglindore, e cila falë pjesëmarrjes së parë zyrtare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi këtë vit ishte përfaqësuar e tëra.
Bibliografi e përkthimeve nga gjermanishtja
Stenda e Shqipërisë ishte pozicionuar në një vend shumë të rrahur nga vizitorët, pikërisht përballë Forumit të Evropës Juglindore të rrjetit Traduki, ku thuajse çdo orë kishte nga një lexim, me autorë nga vendet e Ballkanit. Nëpër muret e saj ishin afishuar fotografitë e pesë shkrimtarëve përfaqësues, që, përveç Helena Kadaresë, ishin Lindita Arapi, Ermir Nika, Agron Tufa e Romeo Çollaku.
Shoqata e Botuesve, e cila kishte përgatitur enkas edhe një fletëpalosje informative për stendën dhe programin, përfaqësohej nga pesë botues: Dituria, Onufri, Ombra, Neraida, Argeta LMG. Kjo e fundit kishte ardhur me një surprizë të këndshme për bibliofilët gjermanë: Një katalog i thjesht, por shumë informues me mbi 600 tituj librash, që janë përkthyer nga gjermanishtja në shqip: “mbi 20 përqind e letërsisë botërore të përkthyer në shqip vjen nga gjermanishtja” thotë Mehmet Gëzhilli, drejtor i ARGETA-s, dhe bibliograf i pasionuar. Gëzhilli e ka botuar broshurën enkas me rastin e Leipzigut dhe për shumë vizitorë të fushës ai përbën një informacion shumë të vyeshëm.
Ngjyrime alternative
Edhe Elvana Zaimi, e cila përfaqëson Qendrën për Promovimin e Kulturës Letrare, ka sjellë një katalog në gjuhën gjermane, me tekste nga 28 autorë të përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Shkrimet në prozë e poezi janë përkthyer në gjermanisht nga Joachim Röhm, i cili për përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë në vitin 2006 u nderua me çmimin Jane Scatcherd të fondacionit Heinrich Maria Ledig-Rowohlt. Veç autorëve të pranishëm në Leipzig 2012, si Beqë Cufaj, Romeo Çollaku, Lindita Arapi, e Agron Tufa, në antologji janë përfshirë shumë emra të njohur të skenës letrare të hapësirës shqipfolëse, ndër ta edhe disa emra që fizikisht janë ndarë para kohe nga kjo skenë, por që vazhdojnë të mbeten frymëzues për pasardhësit e tyre, si Mirko Gashi a Ilir Belliu. Kjo antologji e Qendrës së Kulturës Letrare së bashku me kartolinat promocionale me pamje nga biblioteka e 'Për7shmja' dhe torbat mjedis-ruajtëse, që 32-vjeçarja trupvogël dhe dinamike ua shpërndan vizitorëve të interesuar për letërsinë shqipe, i solli stendës së Shqipërisë pikërisht atë element alternativ e spontan, që deri tani i ka munguar Shqipërisë në Lajpcig.
Këtë imazh e sjell në Lajpcig edhe Jeton Neziraj për Kosovën. Dramaturgu i mirënjohur brenda dhe jashtë saj është drejtor i Qendrës Multimedia, e cila kishte ardhur në panairin e sivjetshëm me një një katalog me disa autorë, botues e përkthyes. „Letërsia e re e Kosovës” ishte një nga librat që të binte më shumë në sy në stendën e vogël e të thjeshtë të Unionit të Botuesve Kosovarë. Kthina që ndodhej mes Sllovenisë dhe një shtëpie botuese “Pranvera Arabe” kishte një sipërfaqe prej tetë metra katrorësh. Sipas Behxhet Bicit, kryetarit të Unionit, stenda është financuar nga Ambasada e Kosovës në Berlin.
Solidaritet ballkanik
Behxhet Bici, i vetmi përfaqësues i botuesve të Kosovës nga Leipzigu, doli nga panairi me përshtypje më të mira se ç'kishte pritur. Mungesën e komoditetit në stendën e Kosovës e kompensonte herë herë kolegu i tij slloven Andrej që i ofronte kafe ndonjë mysafiri që i vinte për vizitë. Ky lloj solidariteti ndërballkanik është karakteristik për Lajpcigun dhe ai arrin pikën kulmore zakonisht në Netët Ballkanike të premteve dhe të shtunave, ku shkrimtarë dhe muzikantë nga vendet e Ballkanit frymëzojnë njëri-tjetrin me krijimet e tyre origjinale. Në këto netë, ku shpirti ballkanik bëhet një, këtë vit për fat të keq mungonte letërsia shqipe. Shoqata e Botuesve të Shqipërisë së bashku me Katedrën e Letërsisë së Universitetit të Tiranës zhvillonte paralelisht një mbrëmje me temë Erotika në Letërsinë shqipe.
Ishte një diskutim teorik-shkencor me intermexo klasike të luajtura nga kuarteti i harqeve të Radio Televizionit: Një shkëputje që e kishte vënë në dilemë publikun e interesuar për Evropën Juglindore dhe që pati si rezultat që vetëm një numër i vogël kishin preferuar të sakrifikonin pjesëmarrjen në Netët Ballkanike në favor të Shqipërisë. Por kjo mund të konsiderohej si një mangësi e vogël organizative dhe një përvojë shtesë për një koordinim më të mirë në vitet e ardhshme. Për partnerët kryesorë të SHBSH-së në këtë panair është e qartë se prezantimi i sivjetshëm i Shqipërisë ishte një hap përpara drejt realizimit të planit për ta futur letërsinë shqipe në fokus, sikurse ka qenë edhe Serbia më 2011 dhe Kroacia më 2008. Alida Bremer, koordinatore e programit të EJL-së për Tradukin këtë radhë flet me superlativa për prezantimin e Shqipërisë në panair: “Bashkëpunimi këtë vit ka qenë mjaft profesional dhe ne po i afrohemi gjithmonë e më shumë qëllimit tonë për ta futur Shqipërinë në fokus të panairit”.
Autore: Anila Shuka
Redaktoi: Esat Ahmeti