Letërsia e re kroate “Ne i përshkruajmë gjërat siç janë”
14 Mars 2008Dëbimet, pushtimet, arratisjet autorët e rinj kroatë i kanë kthyer në dëshmitarë të shkatërrimit të brendshëm dhe të jashtëm, dhe kanë lënë të lirë një kreativitet të jashtëzakonshëm.
Nenad Popovic, një nga njohësit më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore kroate, i ka mbledhur zërat e rinj kroatë në një vëllim. Libri “Nuk ka zot në Susedgrad (Shtëpia botuese Schöffling) ka mbledhur tekste të autorëve që njihen shumë mirë në Kroaci, por janë të panjohur në Gjermani. Me tekste të përkthyera për herë të parë në gjermanisht, do të prezantohet për publikun gjerman një brez i tërë autorësh kroatë.
Sa herë që kumbojnë këmbanat e mesditës dhe në orën 12 fiks një top i vjetër qëllon nga Kulla e Lotrsak-ut në Zagreb, shefi i shtëpisë botuese Durieux hedh një sy tek ora. Nenad Popovic nuk kish dashur ndonjëherë të bëhej botues. Ishin ndryshimet shoqërore në vitet 90-të dhe lufta, që e bënë ish drejtorin e një ndërmarrjeje të vogël grafiqesh, botuesin më të njohur kroat.
“Pushtimi, shkatërrimi, rrethimi, uria. Banja Luka, Sarajeva natyrisht, Mostari. Shkatërrimi. Dhe papritur u shfaqën ata autorë kroatë që mund të shpreheshin. Dhe siç ndodh shpesh me shkrimtarët, që edhe me një manuskript lind çudia prej nevojës. Unë mendoj se kriza njerëzore i ka mësuar mësuar njerëzve shumë”.
Kjo krizë ka sjellë një brez të ri autorësh kroatë të cilët Nenad Popovic ja bën tani të njohur publikut gjerman me librin “S’ka zot në Susedgrad”. Tema qëndrore e këtij brezi postjugosllav autorësh është realizimi i jetës së tyre, ndenja e vetë jetësore.
“Kur shpërtheu lufta unë sapo hyra në gjimnaz. Kur përfundoi lufta dhe jeta filloi të normalizohej unë u bëra papritur 25 vjeç. Prandaj unë mendoj se brezi im është një lloj brezi i humbur. Një brez, vitet më të mira të të cilit u zhdukën në periudhën e luftës dhe të pasluftës. Prandaj mbase ekziston ende tek ne dëshira për të mbetur adoleshentë të përjetshëm.”
Në tregimet e librit të saj “Borë gushti” autorja Olja Savicevic, e lindur më 1974, i dërgon protagonistët e saj të kërkojnë qëllimin e jetës para kulisës mesdhetare në det, në Split. Të ardhurat për të jetuar, pothuajse si gjithë autorët e tjerë ajo nuk i nxjerr me letërsi, por me gazetari. Autorët e rinj kroatë e ndjejnë veten mirë në botën e re të mediave dhe i përdorin me virtuozitet mundësitë që ato ofrojnë, si në rastin e autorit Dalibor Simpraga. Simpraga, nën pseudonimn Andrej Puplin realizoi si blogger një qënie virtuale e cila shumë shpejt filloi të kishte jetën e vet. “Andrej Pulplin ishte një emër që unë e gjeta në një nga tregimet e mia. Këto tregime ishin shkruar me gjuhën zhargon të Zagrebit dhe merreshin me problemet e brezit tim të viteve nëntëdhjetë. Por unë kam zhvilluar edhe intervista shumë serioze me këtë Andrej Puplinin”.
Ndërkohë “historitë e kafeve të Andrej Puplinit” janë kthyer prej kohësh në kult. Me të Simpraga futi zhargonin e Zagrebit në gjuhën e letërsisë të vendit të tij. Njëkohësisht ai arriti një lloj autenticiteti, që i bënte shumë lexues të besonin se ky Andrej Puplini ekzistonte vërtet. Mbase është kjo ajo që i karakterizon autorët kroatë, të qënit shumë afër me jetën e njerëzve dhe tregimi i historive të tyre. Jo rrallë romanet e tyre i ngjajnë mozaikëve të cilat lexuesi duhet t’i ndërtojë vetë.
Në një nga tregimet e saj Olja Savicevic merr shkas nga një tregim i autorit bullgar Georgi Gospodinov, i cili i kushtohet konstruksionit të një syri mizeje. Syri i një mizeje prodhon mijra pika imazhi, e megjithatë nuk është në gjendje që ta kapë ambientin si një të tërë. Autorët e rinj kroatë, thotë Savicevic, kanë në princip të njëjtin problem: “Autorët e rinj që shkruajnë romane tek ne shkruajnë në mënyrë shumë fragmentare dhe shumë prej këtyre romaneve është një gur në themelet e rrënimit. Brezi im dhe brezi i autorëve të rinj nuk synon të shkruajë libra klasikë. Ne i përshkruajml gjërat ashtu siç janë.”