“Letërsi e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave”
19 Maj 2010Në morinë e vizitorëve të fotoekspozitës ishin dhe një grup nga Gjermania me studiues e historianë të zbardhjes se diktaturave. Tani po shikohet mundësia që stendat e saj të udhëtojnë dhe drejt Berlinit, për të prezantuar për publikun gjerman këtë aspekt të krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Përkujtim i të anatemuarve
Hapësira rreth 300 metra katrore e arreduar krejt thjesht të ngacmon. Në çdo faqe te mureve janë varur fotot bardh e zi të njerëzve me histori nga më të ndryshmet. Por që i bashkon fati i keq i ekzekutimit me pushkatim, apo me varje, me vuajtje e përndjekje, me damkën e mospublikimit dhe përhapjes së veprës së tyre letrare e filozofike. Brenda ambjenteve të fotoeskpozitës ka dhe inventar personal nga krijuesit, dorëshkrime origjinale, botime në kohë të ndryshme, deri dhe detaje, që të kthejnë disa dekada në kohë.
Si në një galeri personazhesh parakalon tek portreti i At Gjergj Fishtës, të cilin rregjimi i Enver Hoxhës e rivrau duke ia hedhur eshtrat në lumin Drin, apo duke ia anatemuar krijmtarinë e aktivitetin. Të dalin përpara vargjet e Pader Anton Arapit, proza e Dom Lazër Shantojës, krijimtaria brilante e Vincens Prenushit, Ali Baba Tomorit, ish ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, avokatit Myzafer Pipa etj.
Bedri Blloshmi ka sjellë në ekspozitë relike dhe sende personale nga i vëllai i tij, Vilsoni. Aty pranë është dhe poeti tjetër po nga Bërzezhda e Ligrazhdit, Genc Leka. Në kohën, kur ata u ekzekutuan, ishin shumë të rinj. Bedri Blloshmi më tregon një nga një sendet personale të të vëllait, ku nuk mungon mbeturina e plumbit, që mori jetën.
“Kam sjellë një radio të vogël, që ai e mbante gjithmonë me vete dhe e dëgjonte sidomos natën. Kam sjellë një shall, dy penela, sepse ai pikturonte ndonjëherë. Janë disa dorëshkrime me poezi, që janë me shkrimin e tij origjinal. Në 1994, kur ne bëmë ceremoninë e rivarimit të Vilsonit e Gencit, kemi gjetur mes dy trupave të tyre, kemi gjetur plumbin e mallkuar, që unë e kam ekspozuar këtu”, thotë Bedri Blloshmi për DW.
Besim Ndregjoni është organizatori kryesor i ekspozitës. Ai thotë për DW se është punuar më shumë se 6 muaj për të grumbulluar të gjithë dokumentacionin, që do t'i prezantohej publikut.
Eshtë synuar një harmonizim brezash dhe periudhash.
Duke afishuar krimtarinë e protagonistëve të viteve ‘30, që u ndaluan dhe u ndëshkuan nga rregjimi komunist me ata të periudhës së mëvonshme.
“Është ndërthurrur Musine Kokalari e vitit ‘44 me Drita Comon të viteve ‘80. Është ndörthurrur Mirash Ivanaj i viteve ‘30 me Gjergj Kokoshin e viteve ‘45-'46. Është ndërthurrur poezia e Pader Anton Arapit me atë të poetit, që u var në vitet '88, kur gjithë Europa shkatërronte murin komunist, në Shqipëri u var poeti Havzi Nela”.
Vehbi Lika është një piktor nga Burreli. Pasi e vizitoi ekspozitën, ai shprehet se i ka mbetur në mëndje figura e klerikut dhe intelektualit të njohur Pader Anton Arapi, i ekzekutuar nga rregjimi komunist. Vehbiu ka kryer shkollën në Shkodër dhe ka dëgjuar qysh në rini mjaft opinione të qytetarëve për njërin prej simboleve të kryeqëndrës së veriut të Shqipërisë.
“Shikoj një vërtetësi, në të kundërt me atë që pasqyronte muzeu ateist në kohën e diktaturës, ku mohonte mentalitetin dhe integritetin e Pader Anton Arapit. E nxirrnin si një figurë mjaft negative, ndërkohë që tani e del e vërteta. Që ai ka qënë truri i kombit dhe një njeri mjaft i zgjuar, që ka punuar për kombin shqiptar për të drejtat e shqiptarëve.”
Ndërsa Fejzulla Gjadri ka mbetur para fotografisë së Havzi Nelës i ekzekutuar me varje në ditët e fundit të rregjimit komunist në qytetin e Kukësit. Ai e njeh mirë aktivitetin e bashkëqytetarit të tij dhe kjo fotoekspozitë nuk i ka ngacmuar vetëm kujtimet e dekadave më parë. Ka dhe një mesazh të qartë, thotë ai për DW:
“Që gjithmonë duhet të jemi vigjilentë nga diktaturat, të jemi vigjilentë ndaj atyre, që duan të na shtrëmbërojnë letërsinë historinë, të na shtrëmbërojnë veçanërisht kulturën.”
Besim Ndregjoni tregon për DW se në morinë e vizitorëve të ekspozitës ishin dhe një grup nga Gjermania me studiues e historianë të zbardhjes se diktaturave. Ata kanë mbetur të impresionuar nga fotoekspozita. Sipas Besim Ndregjonit po shikohet mundësia, që stendat e saj të udhëtojnë dhe drejt Berlinit, “për të prezantuar për publikun gjerman këtë aspekt të krimeve gjatë periudhës së rregjimit komunist në Shqipëri.”
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Angjelina Verbica