1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Letërsia në rrugëtim”

7 Mars 2012

Rrjeti HALMA me qendër në Berlin po organizon një udhëtim letrar në disa stacione përgjatë Mesdheut, në Kroaci, Shqipëri e Turqi. Rrjeti HALMA e Instituti Goethe organizuan mbrëmjet letrare në Tiranë.

https://p.dw.com/p/14GEF
Pamje nga debati me shkrimtarëve ballkanikë
Pamje nga debati me shkrimtarëve ballkanikëFotografi: DW/Muka

“Letërsia në rrugëtim – përgjatë detit” është një projekt rajonal që ul në një panel autorë të njohur nga Ballkani dhe Turqia në një shkëmbim pikëpamjesh dhe refleksionesh mbi kulturat e secilit vend, në një balancë mes të shkuarës, të tashmes dhe perspektivës së raporteve të shteteve fqinje. Rrjeti HALMA me qendër në Berlin, së bashku me përfaqësinë e Institutit Goethe në Shqipëri janë organizatorët kryesorë të dy mbrëmjeve letrare në Tiranë, ku protagonistë në një auditor artdashësish janë vetë krijuesit, të cilët prezantojnë pikëpamjen duke marrë spunto nga vepra e tyre letrare.

Mendësitë individuale prezantohen si mendësi kolektive

Shkrimtari shqiptar Fatos Kongoli, vepra e të cilit është përkthyer dhe në gjermanisht, frëngjisht, greqisht, italisht dhe sllovenisht u përqëndrua tek idetë që ka shprehur në një antologji të disa viteve më parë, me autorë nga Ballkani, me titull domethënës “Ata që janë ndryshe dhe i kemi pranë”. Sipas Kongolit, në atmosferën ballkanike “mendësitë individuale prezantohen si mendësi kolektive, duke u shndërruar kollaj në ushqimin e gjuhës së urrejtjes dhe të konfrontimit. Qëndrimi ndaj të kaluarës është ose çlirim, ose prangosje për të tashmen e të ardhmen. Në Ballkan ka nisur me kohë të reflektohet pozitivisht për këtë.”

Pamje nga salla
Pamje nga sallaFotografi: DW/Muka

Nga pjesëmarësit në diskutim pati qëndrime të ndryshme për vlerësimin e së shkuarës. Pavarësisht alternativës së harresës ose faljes, apo pro alternativës së ndëshkimit të fajtorëve, bërja e drejtësisë në mënyrë të qytetëruar, u vlerësua si një instrument i pazëvendësueshëm, sipas eksperiencës dhe të vendeve të zhvilluara të kontinentit.

Autori nga Bosnje-Hercegovina, Milo Jukiç, u ndal në letërsinë e pas luftës në vendin e tij, ku mbisundonte impulsi nacionalist mbushur me të pavërteta. Ai i ilustroi idetë e tij me leximin e pjesëve nga romani që do të botohet së shpejti “Humbet vetëm një herë”. Sipas Lukiç “letërsia e keqe frymëzoi edhe më tej konfliktin ndërtnik, duke i mbajtur të gjalla plagët e luftës. Por duhet thënë se në vitet e fundit në Bosnjë-Hercegovinë po publikohen libra realistë, që ndihmojnë dhe mbështesin daljen në shesh të të vërtetave të mëdha.”

Po shkrihet “e imja” me “e jona” në një të vetme

Jovan Nikolaidis shkrimtar dhe studiues nga Ulqini i Malit të Zi preferoi që prezantimin ta bënte në gjuhën shqipe. Duke iu referuar atmosferës multikulturore në rajon ai citoi  pjesë të një skice letrare, ku pohonte me optimizëm se “tashmë dukshëm po shkrihet ‘e imja' me ‘e jona' në një të vetme” dhe sipas Nikolaidis, kjo do të bënte gjithnjë e më shumë të kënaqur në rajonin ballkanik.

Moderatorja e aktivitetit, Sonila Sadikaj, pedagoge e gjuhës gjermane në Universitetin e Tiranës, thotë se “Letërsia në rrugëtim – përgjatë detit” ka patur si stacion të parë Splitin e Kroacisë. “Pas Tiranës do të përmbyllet në Izmir të Turqisë. Në fokus mbetet trajtimi i së shkuarës, kujtesa për atë që ka ndodhur dhe rikontruktimi i historisë së një vendi dhe në vendet fqinje me të. Në qendër është e përbashkëta dhe e ndryshmja në letërsinë e vendeve ballkanike, aty ku përzihen kultura e identitete të ndryshme”.

Brigitta Grau-Günther mendon se panelet multikulturore ngjallin gjithmonë kureshtje tek auditori
Brigitta Grau-Günther mendon se panelet multikulturore ngjallin gjithmonë kureshtje tek auditoriFotografi: DW/Ani Ruci

HALMA në Berlin nxit dhe promovon njohjen dhe afrimin e autorëve

Përfaqësuesja e rrjetit HALMA me qendër në Berlin, Laura Seifert, tha se kjo organizatë përbën një rrjet me 26 qendra letrare nga 21 vende europiane. “Ajo nxit dhe promovon njohjen dhe afrimin e autorëve nga vende të ndryshme, për kontakte mes kulturave në të gjithë Europën. Në 5 vite aktivitet të rrjetit HALMA pikërisht ‘Letërsia në rrugëtim – përgjatë detit' është projekti i parë i madh rajonal. Vitin e kaluar ne kishim një udhëtim letrar përgjatë Danubit nga Bullgaria deri në Austri dhe tani po vijon me udhëtimin tonë përgjatë Mesdheut.”

Drejtorja e Deutschzentrum Tirana, Brigitta Grau-Günther, njëkohësisht dhe përfaqësuese e Institutit Goethe në Shqipëri është bashkëorganizatore e mbrëmjeve letrare në Shqipëri. Ajo mendon se aktivitete të tilla me panele multikulturore ngjallin gjithmonë kureshtje tek pjesëmarrësit në auditore. Në mënyrë figurative ajo përmend një fakt: „Se sa shumëngjyrësh është Ballkani këtë e simbolizon dhe arredimi i mjedisit të mbrëmjes letrare, të mobiljeve, tavolinës, apo karrigeve në ngjyra të ndryshme...“.

Përveç partnerëve lokalë në Kroaci, Shqipëri dhe Turqi, projekti “Letërsia në rrugëtim – përgjatë detit” është mbështetur financiarisht  nga Komisioni Europian dhe zhvillohet nën patronazhin e Komisionit Shqiptar dhe Kroat të UNESCO-s.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi