1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

161208 Siemens Korruption USA

Ralf Shmidberger17 Dhjetor 2008

Koncerni elektronik Zimens (Siemens) duhet të paguajë një gjobë prej 1 miliardë eurosh në Gjermani dhe në SHBA. Me këtë hap i jepet fund procesit gjyqësor kundër sipërmarrjes, të akuzuar për mitmarrje në postet zyrtare.

https://p.dw.com/p/GH9H
Logo e firmës Zimens
Fotografi: AP

Këshilli Kontrollues dhe kryesia e Zimensit (Siemens) u lehtësuan shumë kur morrën vesh vendimin e drejtësisë amerikane dhe Prokurorisë së Mynihut. Rreth 600 milionë euro gjobë do t`u paguhen autoriteteve amerikane të drejtësisë dhe Kontrollit të Bursës dhe 400 milionë euro do t`i paguhen Gjermanisë. Kjo shumë është shumë më e vogël nga sa pritej. Sepse në fillim flitej për rreth 10 miliardë euro. Kryetari i Këshillit Kontrollues të Zimensit, Gerhard Krom (Cromme):

„Autoritetet e hetimit kanë vlerësuar faktet. Në këto fakte bëjnë pjesë edhe që Zimensi e ka kërkuar vetë sqarimin e rasteve dhe ka qenë shembullor për autoritetet hetimore. Prandaj Ministria Amerikane e Drejtësisë i kërkoi Gjykatës përkatëse të reduktojë dënimin. Një kërkesë e tillë është e para e këtij lloji në raste të tilla.“

Proceseve kundër Zimensit në SHBA dhe në Gjermani u jepet fund. Sipas pikëpamjes së Kromsit, kështu i jepet fund pjesës më të rëndësishme të këtij kapitulli të hidhur të historisë së koncernit. Në disa vende vazhdojnë hetimet për pagesa mitmarrjesh, megjithatë dënimet që priten janë të kufizuara, thotë Kryetari i Këshillit Kontrollues. Por fund nuk kanë marrë hetimet kundër ish- menaxherëve përgjegjës për mitmarrjet, thotë Minsitria amerikane e drejtësisë. Edhe Zimensi kërkon me ngulm dëmshpërblim.

„Juristët e koncernit dhe juristët e të prekurve janë në bisedime dhe gjërat do të shihen në sfondin e zhvillimeve të reja. Por në parim, Këshilli i Kontrollit vazhdon të qëndrojë për ato që ka thënë, ai nuk është në gjendje të bëjë ndryshe. Do të ketë pretendime për shpërmblime dhe kjo do të bëhet. Do të kërkohen kompensime ose do të zgjidhet rruga e gjykatës, këtë do ta shohim.“

Dënimi i butë i autoriteteve dhe vlerësimi i tyre për bashkëpunimin e Zimensit në aferën e bakshisheve gëzon edhe kryetarin e ri të Kryesisë, Peter Lësher (Löscher). 430 mijë Zimensianët kanë fituar më shumë vlerësim për vetveten. Sot Zimensi është një sipërmarrje e ndryshme nga ajo e para dy viteve, me një kulturë të re drejtimi.

Që edhe në të ardhmen koncerni i Mynihut të punojë në përputhje me ligjet, ai do të kontrollohet nga Teo Vajgeli (Waigel), ish- ministri gjerman i financave, i cili u propozua nga Zimensi si monitorues dhe u pranua si i tillë nga autoritetet amerikane. Teo Vajgeli do të vëzhgojë katër vjet me radhë Zimensin dhe do të informojë rregullisht Ministrinë amerikane të drejtësisë dhe Këshillin e Bursës, nëse koncerni vazhdon të sillet në mënyrë shembullore.