1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lech Walesa: "Unë duhet të vazhdoj edhe më tej"

29 Shtator 2018

Nobelisti dhe udhëheqësi legjendar polak i sindikatave Lech Wałęsa mbush 75 vjeç. Në intervistë për Deutsche Wellen ai thotë, se përse dëshiron të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.

https://p.dw.com/p/35fCS
Polen | DW Interview mit Lech Walesa
Fotografi: Institut Lech Walesa

Nobelisti dhe udhëheqësi legjendar polak i sindikatave Lech Wałęsa mbush 75 vjeç. Në intervistë për DW ai thotë, se përse dëshrion të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.

DW: Zoti president, ju lindët 75 vjet më parë në kushte varfërie. Babai juaj gjeti vdekjen si pasojë e torturave në një kamp gjerman pune. Juve qysh në moshë të shumë të re iu desh që të kujdeseshit për familjen. Më 1980 u vutë në krye të një lëvizjeje të madhe, që kontribuoi shumë në rënien e komunizmit dhe të Murit të Berlinit. Ju keni marrë Çmimin Nobel të Paqes, e po ashtu ishit presidenti i parë i zgjedhur me votën e lirë i Polonisë së pasluftës. Ju në këtë funksion për gati 25 vjet keni negociuar tërheqjen e Ushtrisë së Kuqe nga Polonia. A ju mungon diçka në plotësimin e kësaj karriere?

Lech Wałęsa: Në fakt gjithçka kam ëndërruar dhe çfarë kam marrë përsipër, e kam arritur. Plani im arriti deri në rifitimin e lirisë. Rifitimi i lirisë dhe aplikimi i demokracisë, ishin qëllimet e mia. Unë mendoja, nëse ne kemi demokraci, atëherë gjithçka ecën përpara. Por më pas doli në pah, që ne nuk ishim të përgatitur për demokracinë, mungonin njerëzit e duhur dhe programet. Problemet filluan ndër të tjera, edhe sepse unë atëherë i humba zgjedhjet. Polonia është zhvilluar mirë dhe nuk ka qenë keq. Por tani unë kam filluar të mendoj, se përse kjo fitore, nëse ne nuk dimë si të komportohemi me të? Ky është problemi im, unë jam i moshuar, i lodhur dhe nuk më pëlqen ajo që po ndodh sot. Politika e qeverisë aktuale nuk është e mirë. Unë besoj, se diagnoza e saj është e mirë, por terapia nuk është si duhet. Nga ana tjetër raste të tilla si Kaczynski ose Trump na motivojnë. Prej tyre pritet që ne të gjejmë zgjidhjet. Ato na frymëzojnë. Ndonëse diagnoza e tyre është e drejte, p.sh. tek ne duhet të përmirësohet puna e gjykatave, zgjidhja që kanë përzgjedhur është e gabuar.

Qeveria polake gëzon aktualisht një reputacion jo të mirë në Perëndim. Madje mendohet, se tani Polonia po lëviz në drejtim të diktaturës. A është e vërtetë kjo?

Ne kemi të bëjmë me njerëz të papërshtatshëm, të pa kuruar, dritëshkurtër dhe me komplekse, të cilët rastësisht kanë ardhur në pushtet. Kjo është fatkeqësia jonë. Unë e kam paralajmëruar shoqërinë, sepse i kam njohur ata më parë. Problemi i tanishëm konsiston në atë që si të dalim ne prej kësaj, si të luftojmë kundër kësaj, sepse ne jemi demokratë, nuk duam dhunë, ndërsa qeveritarët pa marrë parasysh popullin dhe kushtetutën nxjerrin ligje të dobishme për vete. Eshtë e vështirë t'i kundërvihesh kësaj me demonstrata, sepse ka shumë pak njerëz aktivë. Ne duhet të mendojmë diçka, që të na çojë përpara. Ndërkohë ne përdorim procedurat e BE-së. Ne i lutemi BE-së, Gjermanisë dhe të tjera vendeve të BE-së për mbështetje, sepse duhet ende kohë deri në zgjedhje. Kjo mund të na shkatërrojë ne, sepse qeveritarët i manipulojnë ligjet dhe na mashtrojnë ne. Pra sot ne na duhet solidaritet global.

Si e gjykoni ju faktin, që ndërkohë qeveritarët në Poloni preferojnë të përdorin klishe kundër gjermanëve?

Ata hapin plagë të vjetra, përdorin historinë e ndërlikuar e tragjike mes popujve, luajnë me reminishencat. Ata përdorin demagogjinë, mbjellin përçarjen dhe i nxisin njerëzit kundër njeri-tjetrit. Ata venë në pikëpyetje fitoren tonë. Ata e bëjnë Wałęsan dhe të tjerë agjentë, vetëm për të fituar. Atyre nuk u bëhet vone së çfarë dëmi shkaktojnë me këtë. E rëndësishme është, që ata të fitojnë. Ndaj unë shtroj pyetjen, nëse ata janë armiq të Polonisë, tradhëtarë, agjentë apo idiotë. Ka vetëm dy mundësi: ose ata janë tradhëtarë e ndokush ndërhyn këtu, ose janë tërësisht idiotë.

E si duhet të reagojnë gjermanët në një situatë të tillë?

Ata duhet të vazhdojnë si deri tani, ta durojnë atë dhe njëkohësisht të mendojnë, se si mund të na ndihmojnë ne, që të mos shkatërrohet ajo që kemi arritur në marrëdhëniet tona të pasluftës. 

Në Poloni po shtohen zërat, që kërkojnë reparacionet e luftës në Gjermani. A janë të drejta këto kërkesa?

Gjermanët janë të pasur, ne nuk jemi e kjo madje për shkak të agresionit të tyre dhe luftës. Për këtë duhet të flasim, por jo të kërkojmë, sepse tani është shumë vonë. Ky problem nuk është zgjidhur përfundimisht, por kjo nuk bëhet me sulme e konfrontime, por përmes bisedimeve dhe bindjes, me dëshmi të qarta. Kërkesat dhe konfrontimet  janë padyshim metoda më e keqe për ta zgjidhur këtë problem.

Ju jeni një katolik që praktikoni besimin. Çfarë roli luan kisha dhe besimi kristian në jetën dhe punën tuaj?

Një rol vendimtar. Unë jam një fanatik. Besimi im nuk është i modës së vjetër apo mesjetar, është një besim më shumë si një kompjuter i serisë më të fundit. E di, që ka Zot, unë mund ta gjej atë: unë bie, por falë tij ngrihem sërish. Pa besimin gjtihçka që unë bëj do të ishte pa kuptim. Por unë vazhdoj më tej, sepse besimi më thotë: nëse nuk vazhdon, do të duhet të përgjigjesh për këtë. Pra unë duhet të bëj aq shumë, sa kjo është e mundur.