Le Pen përpara presidentit Sarkozy në sondazhe - ekstremistët e djathtë në Francë në avantazh
9 Mars 2011Filimisht gazetat luajtën me emrin e kandidates, por tani Marine Le Pen flet vetë për "valën e kaltër" drejt fitores. Nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin tani, 24 për qind e francezëve do të vendosnin t'ia jepnin votën europarlamentares nga ekstremi i djathtë. Pra më shumë se ata që do të votonin për presidentin Nicolas Sarkozy dhe më shumë se ata që do të zgjidhnin kandidatët e ndryshëm socialistë.
Sarkozy as në balotazh!
Në sistemin elektoral francez kjo do të thoshte: ashtu si nëntë vjet më parë do të kishte sërish një balotazh mes një ekstremisti të djathtë dhe këtë herë ndoshta një socialisti. Që Sarkozy nuk do të arrinte të hyjë as në raundin e balotazhit, i ka tronditur konservatorët. Por kryetari i partisë Jean-François Copé përgjigjet vetëm me llogari shifrash: „Nëse numëroj votat për Sarkozynë dhe Villepin në kampin konservator (që deri tani nuk e bën askush) atëherë arrij në 24 e ndoshta 27 për qind."
Kjo është tani parulla zyrtare shpresëdhënëse në partinë e Sarkozy-së, UMP. Ajo nuk ka logjikë shifrash pasi deri tani të gjitha shenjat tregojnë se ish-kryeministri de Villepin do të kandidojë kundër Sarkozy-së. Presidenti është në qendër të kritikave pasi gjatë mandatit të tij vazhdimisht ka vënë në axhendë tema të ekstremit të djathtë. Ish-kandidati ekologjist për president Noël Mamère mendon: „Askush nuk mund të habitet kur sheh se si presidenti dhe shumica e tij bëjnë gjueti me tezat e Frontit Nacional. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse çon ujë në mullirin e zonjës Le Pen.“
Kritikat ndaj presidentit vijnë edhe nga të tjerët
Por jo vetëm e majta e kritikon Sarkozy-në se kërkon të bëjë të vetat temat e Frontit Nacional. Një deputet i UMP-së tha se druhet, se Franca po bëhet një vend armiqësor ndaj të huajve. Shumë politikanë të UMP-së mendojnë se Sarkozy mund të rekuperojë në sondazhe vetëm nëse gjatë 14 muajve të ardhshëm deri në zgjedhje, arrin të ulë papunësinë e lartë dhe t'i japë hov ekonomisë.
Por edhe socialistët po fillojnë të kenë frikë. Partia është ende në kërkim të një kandidati të përshtatshëm. Krahas kryetares së partisë Aubry, për kandidaturën pretendojnë tetë politikanë të njohur dhe shefi i Bankës Botërore Dominique Strauss-Kahn, i vetmi socialist, i cili në sondazhe e lë në hije Sarkozynë. Një nga zëdhënësit e tij të pashpallur është deputeti Jean-Marie le Guen.
„Sondazhet duhet të jenë një paralajmërim për socialistët, e për të gjithë të majtën: partia duhet të bashkohet rreth atij kandidati, i cili është më i aftë të bashkojë socialistët, dhe përtej kufijve partiakë, të gjithë francezët", thotë ai.
Sondazhi konkret, sipas të cilit Marine Le Pen do të ishte fitimtarja e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, është i kontestuar pasi anketuesit i kanë bërë pyetjet në internet.
Marine Le Pen nuk ekzaltohet
Por të gjitha institutet e sondazheve në Francë janë të një mendje, se vajza ekstremistit të djathtë Jean-Marie Le Pen, aktualisht po fiton shumë zgjedhës. Ajo vetë shprehet e qetë: „Unë i shoh të gjitha këto me shumë qetësi. Nuk jam nga ata njerëz të cilët ekzaltohen, madje as nga një rezultat pozitiv sondazhi."
Marine Le Pen mund t'ia lejojë këtë vetes pasi ndryshe nga partitë e mëdha, të cilat publikisht flasin vetëm për zgjedhjet presidenciale 2012, Fronti Nacional aktualisht bënë punë konkrete në 2.000 kantone. Atje pas dy javësh mbahen zgjedhje lokale për këshillat e qarqeve. Ndërkohë konsiderohet thuajse e sigurt, se ekstremistët e djathtë do të shënojnë në ato zgjedhje një fitore të bindshme, duke krijuar kështu një bazë solide për zgjedhjet presidenciale pas 14 muajsh.
Autor: Johannes Duchrow/Eliana Xhani
Redaktoi: Bahri Cani