1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Le Pen nën hetim për financimin e fushatës në vitin 2022

10 Korrik 2024

Menjëherë pas fuqizimit të populistëve të djathtë në zgjedhjet e fundit në Francë, prokuroria nis hetimet për fushatën elektorale të Rassemblement National në vitin 2022.

https://p.dw.com/p/4i4zY
Marine Le Pen
Marine Le PenFotografi: Dimitar Dilkoff/AFP/Getty Images

Gjyqësori francez ka nisur hetimet paraprake ndaj ish-kryetares së partisë Rassemblement National (RN), Marine Le Pen, për dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2022. Në atë kohë populistja e djathtë u mund nga presidenti aktual Emmanuel Macron në raundin e balotazhit.

Sikurse njoftoi prokuroria e Parisit dyshohet për shpërdorim fondesh, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ndër të tjera po hetohet edhe për një kredi të marrë gjatë fushatës zgjedhore. Hetimi filloi në fillim të korrikut. Shkak është bërë një raport i Komisionit për Llogaritë Bankare për Fushatën, i cili qe prezantuar në vitin 2023 në të cilin analizohen llogaritë e të gjithë kandidatëve.

11,5 milionë euro për garën për president

Në garën e saj të tretë për postin e kreut të shtetit Le Pen kishte investuar rreth 11.5 milionë euro, duke kapërcyer tavanin e kostove të parashikuara nga ligji.

Francë kostot për fushatën kufizohen me ligj dhe nëse fondet përdoren në mënyrë të ligjshme, shpenzimet e bëra rimbursohen proporcionalisht nga shteti.

 Pllakatë elektorale e populistëve të djathtë për zgjedhjet e fundit në Francë me kandidatin Bastian Duenas
Pllakatë elektorale e populistëve të djathtë për zgjedhjet e fundit në FrancëFotografi: Lisa Ellis /DW

Komisioni përgjegjës për fushatën elektorale kishte kritikuar se Le Pen kishte shpenzuar rreth 300,000 euro për reklama nëpër autobusë. Po ashtu pas fushatës zgjedhore të vitit 2017 komisioni kishte kritikuar që Le Pen i kishte pranuar në formë huaje rreth 870 mijë euro.

Le Pen dhe më shumë se 20 të pandehur të tjerë do të përgjigjen së shpejti në gjykatë për dyshimet për përvetësimin e fondeve të BE-së. Gjyqi është planifikuar të fillojë në fund të shtatorit. Prokurorët janë të bindur se midis viteve 2004 dhe 2016, një numër asistentësh të deputetëve të RN-së në Parlamentin Evropian kanë punuar në fakt për partinë dhe jo për zyrtarët e zgjedhur. Le Pen i mohon akuzat.