1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lavrovi bën krahasime pa vend: SHBA si Hitleri e Napoleoni

18 Janar 2023

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov fajëson SHBA-në për pushtimin rus të Ukrainës. Ai tha se SHBA po vepron si dikur Hitleri apo Napoleoni.

https://p.dw.com/p/4MMAf
Russland | Sergej Lawrow
Fotografi: Alexander Zemlianichenko/AP/dpa/picture alliance

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov shpeshherë ka dëshmuar se shprehet me fjalë shumë të qarta. Ministri i Jashtëm rus akuzoi aleancën perëndimore të mbrojtjes NATO-n për udhëheqjen e një "kryqëzate për të shkatërruar Rusinë dhe për të ndarë botën".

Në konferencën e tij më të fundit për shtyp, të mërkurën në mëngjes në Moskë, ai sulmoi ashpër Uashingtonin zyrtar. Në fund të fundit, SHBA është përgjegjëse për luftën në Ukrainë, tha ai. Ajo që po ndodh atje është rezultat i përgatitjeve amerikane për një luftë hibride midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kriza në Ukrainë filloi shumë kohë përpara se Moska të pushtonte vendin fqinj në shkurt.

Në këtë drejtim, Sergej Lavrov i krahasoi veprimet e fundit të Uashingtonit me veprimet e Adolf Hitlerit dhe Napoleon Bonapartit. SHBA e ka nënshtruar edhe Evropën për të bërë luftë kundër Moskës. Duke iu referuar popullatës ruse etnike në Ukrainë, ministri tha se "poshtërimi" i tyre atje ishte i papranueshëm.

Russland | Sergej Lawrow
Fotografi: Evgenia Novozhenina/REUTERS/dpa/picture alliance

Frontet e ngurtësuara

Sipas Lavrovit, aktualisht nuk ka propozime serioze paqeje në tryezë për t'i dhënë fund luftës. Idetë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski nuk mund të diskutohen. Ndër të tjera, lidershipi në Kiev kërkon tërheqjen e plotë të trupave ruse nga territori ukrainas dhe pagesën e dëmshpërblimeve për shkatërrimin e shkaktuar nga ushtria ruse.

Rusia vazhdimisht e ka bërë të qartë se Moska beson se një traktat paqeje mund të arrihet vetëm nëse Ukraina njeh aneksimet e gadishullit të Krimesë në Detin e Zi dhe të rajoneve Donetsk, Luhansk, Cherson dhe Zaporizhia. Ukraina i ka kundërshtuar kategorikisht këto kërkesa dhe pohon se do të vazhdojë luftën deri në çlirimin e vendit.

 

 

bc/djo/se (dpa, rtr)