Landet kërkojnë leje zemërgjera qëndrimi për të huajt pa status
27 Tetor 2006Aktivitetet e qeverisë federale të nisura para disa muajsh, që duhet të kurorëzohen në një plan integrimi, u vlerësuan pozitivisht prej të ngarkuarve të landeve për të huajt dhe integrimin në konferencën e tyre të vjeshtës. Aspekti pozitiv i këtyre aktiviteteve është involvimi në proces edhe i migrantëve.
Kërkohet integrim në tregun e punës
I ngarkuari i Berlinit me çështjet e integrimit, Gynter Peining u shpreh, se me fillimin e këtyre aktiviteteve një vëmendje e veçantë i kushtohet "aksesit të migrantëve në arsim që mundëson edhe futjen në tregun e punës": "Në radhë të parë synohet, që të përmirësohet kalimi nga shkolla në kurset e kualifikimit profesional, duke forcuar përmes menaxhimit tranzitor sistemin dual, çka do të thotë mësimi në praktikë në ndërmarrje paralelisht me përgatitjen teorike në një shkollë profesionale. Ky sistem duhet të jetë i përgatitur për shoqërinë e emigracionit dhe njëkohësisht të shmangë pengesat, që dalin në nxitjen e hapjes së vendeve të punës. ...Unë besoj, se këtu të ngarkuarit e landeve me integrimin kanë dhënë propozime të rëndësishme, se ç´drejtim duhet të marrim në vitet e ardhshme, nëse synojmë të arrijmë një integrim më të mirë edhe në tregun e punës."
Vendime të ekuilibruara në dhënien e statusit
Të ngarkuarit me integrimin u shprehën gjithashtu për dhënien e lejeve të qëndrimit më me zemërgjerësi për të huajt. Lidhur me këtë e ngarkuara e landit të Saksonisë për të huajt, Friederike de Has: "Unë mendoj, se nëse nisemi nga një shifër prej 200.000 refugjatësh në Gjermani që kanë leje të përkohshme qëndrimi, të ashtuquajtur "Duldung", dhe që kanë mbi gjashtë vjet, këta janë pothuajse e gjysma, të mendohet që të përfitojnë statusin e qëndrimit. Ne e dimë, që gjithmonë vendimet duhet të jenë të ekuilibruara mes ndenjës njerëzore nga njëra anë dhe drejtësisë nga ana tjetër. Për të ruajtur këtë ekuilibër do të jetë e vështirë.
"Duhet të gjendet një rregull, theksuan të ngarkuarit e landeve, që në pjesën më të madhe këtij grupi t´i sigurohet një status qëndrimi. Ky status duhet që të garantojë akses të plotë në arsimim, në studime, në tregun e punës dhe në masat për integrimin. Për shkak të ndryshimeve rajonale në tregjet e punës, të prekurve duhet që t´u jepet një afat i përshtatshëm për të dëshmuar se janë në gjendje të sigurojnë vetë të ardhurat, u tha në konferencë.
Nuk ka integrim pa perspektivë qëndrimi
Përse është kaq e rëndësishme e drejta e qëndrimit, këtë e bëri të qartë i ngarkuari i Nordrajn-Vestfalisë, Tomas Kufen: "Duke pasur parasysh pikërisht fëmijët dhe të rinjtë ne kemi nevojë për një rregull të tillë, sepse perspektiva e qëndrimit dhe e integrimit janë të kushtëzuara me njëra-tjetrën. Pa një perspektivë qëndrimi integrimi është shumë i vështirë të arrihet. E megjithatë ne përjetojmë, se fëmijët dhe të rinjtë edhe pse s´kanë perspektivë qëndrimi janë integruar në normat që kemi vendosur ne."
Një temë tjetër e konferencës ishte edhe se si mund të arrihet forcimi i bashkëpunimit mes myslimanëve dhe institucioneve shtetërore. Të ngarkuarit e landeve me këtë problematikë ishin të një mendimi, se duhet që të konsolidohet bashkëjetesa dhe shkëmbimet reciproke për të çuar përpara procesin e integrimit.