Landet gjermane kërkojnë mbështetje
16 Shtator 2015Kufiri jugor hungarez është mbyllur dhe me këtë edhe kalimi kryesor për refugjatët që vinin përmes rrugës ballkanike. Pak orë pas mbylljes së kufirit 175 kilometrash me Serbinë, qeveria e Budapestit njoftoi të martën (15.09) edhe mbylljen e kufirit me Rumaninë.
Ndërkohë disa udhëheqës të BE-së, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU) dhe kolegun e saj austriak Werner Faymann, kanë kërkuar një samit të posaçëm për javën e ardhshme.
Merkel tha në samitin e kërkuar të 28 liderëve të BE-së duhet të diskutohet ndër të tjera në lidhje me mënyrën se si mund të mbështeten më mirë vendet e origjinës së refugjatëve. Edhe me Turqinë duhet të hyhet më mirë në kontakt. Një çështje tjetër do të jetë ndërtimi i qendrave të pritjes në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk njoftoi se vendimin për këtë samit do ta kumtojë të enjten.
Landet gjermane kërkojnë më shumë mbështetje
Në mbrëmje kancelarja Merkel u takua me kryeministrat e landeve gjermane. Aty u diskutua në lidhje me synimin e qeverisë gjermane për t'i lehtësuar landet për ndërtimin e strehimoreve shtesë fillestare për pritjen e refugjatëve. Njoftohet se qeveria federale ka ofruar të ndërtojë 40.000 vende për pritjen fillestare të refugjatëve dhe për t'i administruar vetë ato. Atyre u shtohen edhe dy kampe fushorë me 5000 vende ku azilkërkuesit mund të regjistrohen dhe të shpërndahen pastaj nëpër lande. Kjo do të jetë detyrë e qeverisë federale dhe jo më e lndit të Bavarisë, ku kohët e fundit arritën dhjetra-mijëra refugjatë.
Kancelarja u shpreh se në lidhje me financimin dhe ndarjen e shpenzimeve mes federatës dhe qeverive të landeve vendimi do të merret në samitin për refugjatët javën e ardhshme. Në takimin e posaçëm të martën (15.09) në mbrëmje ishte në qendër të vëmendjes shpërndarja e drejtë të refugjatëve në Gjermani, rezervat e mundshme apo angazhimi i ushtarëve gjermanë për refugjatët.