1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë Nelson Mandela

Pandeli Pani10 Dhjetor 2013

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban tha në fjalën e tij për Mandelën se ai kishte aftësi për të pajtuar njerëzit.

https://p.dw.com/p/1AX26
Fotografi: Reuters

Dhjetëra-mijëra vetë i dhanë sot lamtumirën e heroit kombëtar të Afrikës së Jugut Nelson Mandela në stadiumin e futbollit në Johanesburg. Të pranishëm ishin dhe më shumë se 90 kryetarë aktualë dhe ish-kryetarë shtetesh e qeverish.

"Rroftë fryma e Nelson Mandelas," tha Cyril Ramaphosa në fjalën hapjes në ceremoninë e zhvilluar në stadiumin e futbollit Johanesburg për nder të ish-presidentit të Afrikës së Jugut Nelson Mandela që vdiq të enjten në moshën 95 vjeç, pas një sëmundjeje të gjatë. "Ai ishte mësuesi ynë, mentori ynë," tha Ramaphosa, politikan i ANC. "Ai ndërtoi kombin tonë."

Vlera historike për lirinë e demokracinë

Presidenti amerikan Barak Obama i krahasoi arritjet politike të nobelistit për Paqe me punën e jetën e themeluesit të shtetit indian Mahatma Ghandhi, presidentin e madh të SHBA-së Abraham Lincoln dhe aktivistin për të drejtat e njeriut Martin Luther King. Shërbimet e Mandelës për lirinë e demokracinë bëjnë pjesë këtë seri vlerash historike, tha Obama në fjalimin e tij drejtuar njerëzve që merrnin pjesë në ceremoninë e përmortshme.

Barack Obama Graca Machel
Fotografi: ALEXANDER JOE/AFP/Getty Images

Falje dhe bashkim

Të ftuar të tjerë nderi në këtë ceremoni ishin Presidenti gjerman Joachim Gauck, presidenti francez François Hollande dhe Princi Charles, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun dhe kryeministri i Kubës njëkohësisht dhe kreu i partisë Raúl Castro. Ban tha në fjalën e tij për Mandelën se ai kishte aftësi për të pajtuar: "Ai ka treguar fuqinë e madhe të faljes - duke i bashkuar njerëzit," tha Ban. Duke iu referuar të pranishmëve ai tha: "Shikoni rreth e qark në këtë stadium, ne shohim të përfaqësuar zyrtarë që kanë mendime e qëndrime mjaft të kundërta, njerëz nga të gjitha shtresat. Të gjithë janë të bashkuar këtu".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun
Ban Ki MunFotografi: picture-alliance/dpa

Në mesin e pjesëmarrësve në ceremoninë e përmortshme për Mandelen qenë të pranishëm edhe udhëheqës të shumë vendeve që kanë marrëdhënie të vështira me njëra-tjetrën, si Shtetet e Bashkuara dhe Kuba, apo Britania e Madhe dhe Zimbabve.

Obama dhe Raul Castro
Obama dhe Raul CastroFotografi: Reuters

Lutje ndërfetare

Ceremonia filloi me një lutje ndërfetare në të morën pjesë klerikë të krishterë, muslimanë dhe hinduistë. Në lutjet e tyre, ata theksuan luftën Mandelës për liri dhe dëshirën e tij për pajtim.

Shumë prej të pranishmëve ishin veshur me ngjyrat kombëtare. Disa ishin mbuluar me flamurin e Afrikës së Jugut. Ata kërcenin dhe të këndonin këngë të lëvizjes kundër Aparteidit.