1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak: Pa Asociacionin nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
15 Tetor 2020

I ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak tha në Prishtinë, se zbatimi i asociacionit të komunave serbe duhet të bëhet realitet pas nënshkrimit të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/3jz2N
Slovakei Außenminister Miroslav Lajcak
Fotografi: DW

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak tha, se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës duhet të bëhet realitet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Sipas tij, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është detyrim i Kosovës i dalë nga marrëveshja Kosovë-Serbi e vitit 2013. Këto komente Mirosllav Lajçak i bëri në një konferencë shtypi (15.10) para nisjes për në Beograd dhe pas përfundimit të vizitës së tij dy ditore që zhvilloi në Kosovë. Lajçak tha se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe t'i përfundojnë të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme për këtë proces.

"Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave, sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit ”, tha Lajçak. Sipas tij, nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

"Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen, parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar atë, kështu që Kosova duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe ajo është pjesë e procesit, është pjesë e negociatave. Kur disa politikanë në Kosovë po thonë se çështja është e mbyllur, do të thotë se ata nuk dëshirojnë të hapin tekstin e marrëveshjes, por, ne nuk po kërkojmë të hapim tekstin, ne po kërkojmë zbatim”, tha Lajçak.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak tha, se e kupton ndjeshmërinë e çështjes së asociacionit, por theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës në opinionin e vitit 2015 për Asociacionin nuk ka thënë që ai nuk duhet të krijohet fare.

"Gjykata Kushtetuese ka thënë, se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës, kështu që hapi i radhës duhet të jetë diskutimi mbi statutin dhe kjo është çka ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, marrëveshja do të fillojë së zbatuari pas nënshkrimit. Kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit do të fillojë pas nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Lajçak.

Gjatë vizitës dy ditore në Kosovë, Lajçak takoi të gjithë udhëheqësit politik dhe institucional. Ai tha, se atyre u ka bërë thirrje për kompromis në dialogun Kosovë-Serbi.

"Dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Dialogu i ofron Kosovës një mundësi për të diskutuar për të gjitha çështjet e pazgjidhura me Beogradin. Dialogu duhet t'i mbyllë të gjitha çështjet e hapura, por në të njëjtën kohë duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi. Unë u bëra thirrje bashkëbiseduesve që të jenë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në institucione kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga institucionet e Kosovës, nëse Prishtina zyrtare nuk e themelon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por, për këtë paralajmërim Mirosllav Lajçak tha, se "politikanët serbë nuk kanë nevojë të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, sepse zyrtarë të kësaj të fundit janë pajtuar gjatë takimeve me të se do të diskutojnë për Asociacionin”. Një ditë më parë i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takoi edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit kërkoi që në tavolinën e bisedimeve të diskutohet për njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

"Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.