Lajçak: Përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt
12 Maj 2023Në kuadër të përpjekjeve për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak pas qëndrimit në Kosovë të enjten viziton të premten (12.05.) Serbinë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak, tha se për BE-në, çdo propozim për të drejtat e pakicave duhet të jetë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Për Bashkimin Evropian është e pranueshme "ajo që bazohet në normat dhe vlerat evropiane dhe këtë e kemi thënë që nga fillimi". "Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës. Sipas tij është e rëndësishme që palët "i kanë kuptuar qartë sekuencat e hapave”.
Gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme
"Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi se si të kemi një marrëveshje, ne kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit 1 hapit 2 dhe hapit 3, kështu që ky ishte qëllimi që kishim siç thashë një diskutim shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm me kryeministrin Kurti”, tha Lajçak. Ndërmjetësi evropian tha se roli i tij si lehtësues "është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme dhe pikërisht atë që po përpiqemi të bëjmë”. Ai paralajmëroi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen këtë të hënë në Bruksel për të diskutuar këtë çështje.
Kurti thekson nevojën për zbatimin e marrëveshjes në tërësi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij, tha se "me zotin Lajçak ka nënvizuar nevojën që "Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”. Bashkimi Evropian, javën që shkoi shprehu shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve, sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të udhëheqin me komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, për shkak se serbët refuzuan të marrin pjesë në zgjedhje.
Ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak, vizitoi edhe veriun e Kosovës ku takoi përfaqësuesit e serbëve atje dhe deklaroi se "është i shqetësuar me ato që i ka dëgjuar në takim me përfaqësues serbë në veri të Kosovës”. Lajçak, shkroi në Twitter, se "ishte e rëndësishme vizita e tij në veri për të marrë njohuri mbi situatën aktuale”. Sipas tij, "duhet të shmanget çdo mundësi eskalimi "dhe të përqëndrohemi plotësisht te normalizimi”. "Ishte e rëndësishme për mua të vizitoja sërish veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm, që t'i fitoja përshtypjet e para të drejtpërdrejta mbi situatën aktuale. Ajo që dëgjova ishte shqetësuese për mua. Duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi tërësisht te normalizimi”, shkroi Lajçak.
Gjatë vizitës në veri Lajçak tha, se "vendimi për hapjen për qarkullim të Urës mbi së Ibër duhet të merret në dialog”. Përfaqësuesit e Listës Srpska në një reagim të tyre thanë se "serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”. Ata refuzuan të marrin pjesë edhe në zgjedhjet për pushtetin lokal që u mbajtën me 23 prill duke kushtëzuar pikërisht kthimin në institucionet e Kosovës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vizita në Kosovë e Serbi e ndërmjetësit evropian Mirosllav Lajçak, është e para pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel ku nga një grup menaxhues që e përbënin katër serb, u prezantua edhe një draft-statut për Asociacionin e që Prishtina zyrtare e refuzoi në mënyrë kategorike. Draft-statuti i këtij Asociacioni nga zyrtarët evropianë u cilësua "një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme”.