1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli "Jumbo" në Bruksel - Lindja e Mesme, Rusia dhe Afrika në axhendën e ditës

Bernd Riegert14 Maj 2007

Këshilli "Jumbo". Kështu e etiketojnë diplomatët evropianë takimin dyditor të Këshillit ministerial evropian, i cili mbledh në një tryezë ministrat e jashtëm BE-së, ata të mbrojtjes dhe të zhvillimit. Të hënën dhe të martën këshilli "Jumbo" do të mblidhet në një tryezë edhe më të madhe se zakonisht

https://p.dw.com/p/AqW6
Bashkimi Evropian, Bruksel
Bashkimi Evropian, BrukselFotografi: AP

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer kryesues i radhës ka ftuar në këtë takim edhe disa ministra të jashtëm nga vendet arabe.

Në takim do të jetë i ftuar për herë të parë edhe ministri i jashtëm i autoritetit palestinez, Siad Abu Amri. Ai nuk është anëtar i Hamasit radikalist, që qëndron në listën e organizatave terroriste të BE-së. Bashkimi Evropian synon të mbajë kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e re palestineze të unitetit kombëtar pa shkelur bojkotin ndaj Hamasit. Vetëm kur Izraeli të njihet zyrtarisht nga qeveria dhe të respektohen marrëveshjet e mëparshme, do të rivendosen marrëdhëniet me qeverinë palestineze.

Ky qëndrim nuk do të ndryshojë edhe në takimin e së hënës, bëjnë të ditur diplomatët e Bashkimit Evropian. 27 ministrat e BE-së do të diskutojnë me ministrat e jashtëm arabë dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës arabe çështjen e Lindjes së Mesme dhe mundësinë e zgjidhjes me dy shtete që shkon drejt skemës: Të drejtë ekzistence për Izraelin dhe shtet i pavarur palestinez. E pasqaruar është e drejta e kthimit e refugjatëve palestinez, deri më tani e refuzuar nga Izraeli.

Temë tjetër: negociatat e BE-së me vendet afrikane në zhvillim, ato të Karaibeve dhe Paqësorit. Deri më tani negociatat për arritjen e marrëvëshjeve të reja të partneritetit janë të bllokuara. Ka muaj që debatohet për aksesin në tregje të produkteve bujqësore nga shtetet e Paqësorit në Evropë. Nga ana tjetër nuk asnjë dakordim për lejimin e mallrave industriale me drejtim nga vendet e BE-së për në vendet në zhvillim.

Marrëveshjet e reja do të shfuqizojnë rregulloren e vitit 2000 të Cotonou (Kotunu), sipas së cilës shteteve të zonës sëPaqësorit do t'u lejoheshin dogana të ulëta dhe ndihma financiare. Këto klauozola ndihme sipas rregullores së Organizatës Botërore të Tregtisë duhet të marrin fund me fundin e këtij viti. Për këtë arsye ministrat e vendeve në zhvillim nga shtetet e BE-së janë të mendimit se koha nuk pret.

Ministrja gjermane për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin, Hajdemari Vicorek-Cojl (Heidemarie Wieczorek-Zeul) si kryetare e radhës duhet që të martën të përpiqet për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes ministrave të BE-së. Evropianët janë të ndarë në dy kampe. Njëri kamp, ku futen shtetet veriore dhe Britania e Madhe është për një akses të gjerë në treg të shteteve të Paqësorit sidomos për orizin, bananet dhe sheqerin. Ndërsa kampi tjetër, ku futen shtetet e jugut të Evropës është për kufizime më të mëdha.

Ende është e paqartë nëse në takimin e ministrave të BE-së me shtetet e Paqësorit në 25 Maj do të bihet në një ujdi.

Gjithashtu ministrat duhet të konsultohen edhe për rritjen e ndihmave financiare, të cilat që nga viti 2010 do të kapin shifrën e 2 miliardë eurove. Në rast se deri në 31 dhjetor 2007 nuk do të jenë nënshkruar marrëveshjet e reja, për vendet e Paqësorit automatikisht do të vlejnë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat nuk janë të favorshme për këtë grup shtetesh prej 39 vendesh të
varfra.

Megjithë tensionimin aktual të marrëdhënieve të Estonisë, shtet i BE-së me Rusinë, të 27 vendet anëtare të BE-së përfshi këtu edhe Poloninë e shtetet balltike do të jenë pro zhvilimit të samitit të planifikuar me Rusinë në javën e ardhshme në Samarën ruse. Synimi është mënjanimi i një eskalimi të ri të situatës. Negociatat formale për një marrëveshje të re të parneritetit strategjik nuk do të rinisin, kjo sepse Rusia vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj për bllokimin e importit të mishit nga Polonia. Nga ana e saj Polonia bllokon shpalljen e një mandati për negociatat formale.

Bashkimi Evropian do të trajtojë në axhendën e tij edhe konfliktin e Estonisë me Rusinë. Temë tjetër e takimit të këshillit minsitrial i njohur me emrin "Jumbo" do të jetë edhe diskutimi i piketave të politikës së BE-së me Afrikën si edhe kriza në Sudan.