1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës Tiranës: zgjidhni krizën në KQZ

Intervistoi Ani Ruci14 Qershor 2013

Luca Volonté, kryesuesi i delegacionit të KE sheh rrezik real për kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve. Ai thotë për DW se legjislacioni zgjedhor ka nevoje per amendim lidhur me lirinë e medias.

https://p.dw.com/p/18p3B
Fotografi: picture alliance/abaca

DW: Z. Volonté, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar prej jush, e cilësoi situatën në KQZ, të tillë që rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në Shqipëri atyre parlamentare të 23 qershorit. Ju lutem, a mund të thoni konkretisht se ku rrezikohen këto zgjedhje, çfarë rreziku vjen nga  funksionimi i KQZ vetëm me 4 anëtarë që i përkasin së njëjtës forcë politike? 

Luca Volonté : Rreziku ka lidhje me kredibilitetin e procesit zgjedhor, me besimin e  publikut tek rezultati i zgjedhjeve. Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ  është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë,  por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka bërë një apel të fortë drejtuesve politikë të shqipërisë, që ta zgjidhin krizën në KQZ, pasi ajo rrezikon kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ne kemi bërë apel që të gjendet një zgjidhje për funksionimin e plotë të KQZ. Vendimin për t'i dhënë fund kësaj situate, kur nga 23 qershori kanë mbetur pak ditë, duhet ta marrin drejtuesit politikë dhe kjo duhet të bëhet  në emër të së ardhmes së Shqipërisë, ky është apeli ynë, kjo është ftesa jonë.

DW: Çfarë parregullsish, mangësish apo moszbatim të ligjit ka në funkdsionimin e deritanishëm të  KQZ në krizën e tij , të pjesëmarjes së paplotë, të mungesës së shumicës së cilësuar për të bërë në fund të fundit punën e vet? Çfarë ju kanë thënë përfaqësuesit e partive politike, shoqërie civile në takimet që delegacioni juaj zhvilloi në Tiranë?

Luca Volonté: Kemi zhvilluar takime dhe biseda me KQZ, drejtues të të gjitha forcave politike. Deri tani asnjë nga përfaqësuesit e partive politike nuk ka denoncuar parregullsi nga ana e KQZ, pasi anëtarë të PS apo të partive të tjera mund të ndjekin publikisht takimet dhe mbledhjet e KQZ. Njëkohësisht  KQZ mund të marrë sugjerime nga përfaqësues të partive politike,  para se të marrë vendimet. Kjo është shumë e mirë, pra që  po punojnë në mënyrën e duhur edhe pse jo me të gjithë anëtarët. Ndërkohë duhet marrë në konsideratë që deri tani  procesi zgjedhor ka ecur qetë dhe drejtuesit politikë  në takimet me elektoratin shpalosin programet e tyre, gjë që është e re për Shqipërinë dhe Ballkanin dhe që tregon se drejtuesit politikë po ecin drejt zhvillimit të fushatave elektorale sipas mënyrës perëndimore,  flasin për të ardhmen e vendit, për qytetarët, sesi mund të zgjidhin probleme  të krizës ekonomike. Pra këto tri aspekte: vendime mjaft të mira nga KQZ, bashkëpunimi jo zyrtar mes përfaqësuesve të të gjitha partive politike, qofshin ose jo anëtarë të KQZ si edhe përqasja e re e drejtuesve politikë për të shpalosur programet e tyre janë tregues pozitivë të fushatës që mund të sjellin një rezultat jo të kontestueshëm të zgjedhjeve.

Luca Volonté flet për DW
Luca Volonté flet për DWFotografi: DW/A.Ruci

DW: Një anëtar i delegacionit tuaj, Z. Petros Tatsopoulos, deklaroi se KQZ nuk mund të mbajë peng zgjedhjet, se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike është tregues i një demokracie të pjekur. Si mund të kuptohet kjo deklaratë duke patur parasysh opinionin tuaj të saposhprehur për KQZ?  

Luca Volonté: Nga vizita në Tiranë kemi kuptuar se dikush, nuk po përmend emra nga asnjë prej partive politike, mund ta përdorë dorëheqjen e disa anëtarëve të KQZ për të pritur përfundimin e zgjedhjeve dhe ta përdorë këtë dorëheqje për të zhvlerësuar procesin dhe mos pranuar rezultatin. Ne këtë nuk e pranojmë.  Sigurisht që organizmat e pavarura institucionale duhet të funksionojnë me të gjithe anëtarët dhe secili prej tyre duhet të përmirësojë kredibilitetin e institucionit dhe jo të përdorë mungesën e kredibilitetit për të protestuar në rrugë dhe sheshe. Përmes tyre nuk fitohen zgjedhjet. Ne bëjmë apel për të përmirësuar pjekurinë e demokracisë në Shqipëri, të fokusuar veçanërisht në pyetjen që u drejtojmë politikanëve protagonist:  a dëshironi një demokraci të pjekur apo dëshironi të përdorni një alibi teknike? Kjo do të ishte një rrezik i mundshëm për  Shqipërinë dhe do të zvogëlonte kredibilitetin në përpjekjet e saj për t'u bërë anëtare e re  BE.   

DW: A keni parë vullnet politik nga drejtuesit politikë për të gjetur një formulë ligjore dhe për t'i dhënë fund krizës në KQZ? 

Luca Volonté: Reagimet janë të ndryshme, disa janë pozitve, të tjera ende të pavendosura. Disa drejtues të forcave politike janë në linjën e dhënies fund të krizës në kQZ, të tjerë janë ende duke u menduar. Kjo do të duket në këto ditë që kanë mbetur nga 23 qershori. Zgjidhja e krizës në KQZ  është në interesin të të gjithëve dhe mendoj se askush nuk do të refuzoje të dëgjojë apelin tonë.

DW: Cilat janë standartet e Këshillit të Evropës që duhet të plotësojnë këto zgjedhje?

Luca Volonté: Në radhë të parë njerëzit duhet të votojnë, të votojnë lirisht për kë dëshërojnë, pa asnjë detyrim, pa asnjë presion, numërim i votave duhet të jetë transparent dhe realist, palët duhet të pranojnë rezultatin, kjo është  çështje kyç. Po kështu shumë e rëndësishme është jeta parlamentare. Një nga standartet e Këshillit të Europës është jo transparenca në procesin e numërimit të votave , por edhe përmirësimi i kuptimit të demokracisë për qytetarët nga njëra anë, dhe nga tjetra duhet, që  drejtuesit politikë të binden që instituvioni për të vendosur së bashku  për ecurinë dhe zhvillimin demokratik të vendit është Parlamenti. Nuk mund të jetë kurrë i pranueshëm bojkoti i Parlamentit. Gjithsesi standartet e Këshillit të Europës, të BE,të OSBE/ODIHR-it dhe në përgjithësi standartet europiane nuk plotësohen kurrë të gjitha. Prandaj nuk përdoret më përkufizimi ”zgjedhje të lira dhe të ndershme” por “në linjë me standartet ndërkombëtare”, përkufizim që e kemi përdorur para tri vitesh edhe për zgjedhjet  në SHBA.

DW: Media ankohet për kufizim të lirisë së shprehjes, kasetat e gatshme, të prodhuara në selitë e partive shpërndahen në kanalet televizive. Çfarë mendoni, si mund t'i jepet fund kësaj praktike kaq të dëmshme dhe kompromentuese lidhur melirinë e medias?

Luca Volonté: Kodi elektoral ka dispozita për të transmetuar kaseta te gatshme, pra duhet amenduar kodi elektoral në parlamentin e ardhshëm. Duhet respektuar liria e medias.