Këshilli i Auditimit të BE: Ndihmat për Ballkanin pak efekt
11 Janar 2022Në këto vende vazhdojnë të ekzistojnë problemet sa i përket sistemit të pavarur të drejtësisë, influencës politike dhe korrupsionit. „Mbështetja e BE-së për shtetin ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka çuar në një kthesë rrënjësore", tha Juhan Parts nga zyra e Auditimit të BE-së. Përparimet e pakta venë në pikëpyetje „vazhdimësinë e mbështetjes së BE-së në përgjithësi në kuadrin e procesit të anëtarësimit". „Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë, nëse ato nuk sjellin rezultate të prekshme."
Gjashtë vendet e Balllkanit Perëndimor prej 20 vjetësh punojnë pak a shumë në mënyrë intensive për një anëtarësim në BE. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë vende kandidate. Vetëm në periudhën mes viteve 2014 dhe 2020 këto vende kanë marrë rreth 700 milionë euro për mbështetjen e reformave. Gjithashtu rregullisht ka shkëmbim në nivelin politik.
Rekomandimi: Të mbështetet shoqëria civile dhe mediat
Edhe Komisioni i BE-së së fundi konstatoi mangësi të mëdha sa i përket pavarësisë së sistemit juridik, luftimit të korrupsionit apo lirisë së medias. Në raportin e Këshillit të lartë të Auditimit të BE-së thuhet, se rëndom nuk bëhet sa duhet për ta forcuar vullnetin politik dhe se masat e marra shpesh nuk japin rezultat. Financimi dhe zbatimi i projekteve jo gjithmonë kushtëzohet me përmbushjen e kushteve të përcaktuara për ndihmën.
BE-ja rrallëherë e ndërpret ndihmën, kur pala përfituese e ndihmës shkel rregullat bazë të demokracisë. Auditimi i BE-së i rekomandon Komisionit të BE-së, që të mbështesë më fort shoqërinë civile dhe mediet. Po ashtu duhet që dhënia e ndihmave financiare nga BE të kushtëzohet me përparimin drejt shtetit ligjor dhe projektet duhet të mbikqyren me më shumë rigorozitet.