1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërcënimi nga IS bashkon armiqtë e dikurshëm në rajonin arab

Ala‘ Jumaa/Lindita Arapi22 Gusht 2014

IS, Shteti Islamik, bashkon armiqtë e dikurshëm. Fuqitë rajonale lënë mënjanë dallimet e bashkohen për t'i bërë ballë terrorit të shtetit islamik. Operacioni i SHBA Irakun verior mbështetet nga Irani e Arabia Saudite.

https://p.dw.com/p/1Cz5Y
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Ndryshimet në peizazhin politik të rajonit arab po kërkojnë aleanca të reja. Vetëm kështu mund të kuptohet pozicioni i Iranit, i cili pranon të mbështesë luftëtarët kurdë, Peshmerga. Madje vetë intervenimi ushtarak i SHBA-së në veri të Irakut, edhe pse nuk është pohuar asgjë zyrtarisht, duket se e ka bekimin e Teheranit. Më e pazakontë është gatishmëria e Arabisë Saudite për aleancë me armikun e vjetër, Iranin, për të luftuar "Shtetin Islamik", IS. Por edhe partnerët e sprovuar, Riadi dhe Uashingtoni, nuk kanë qenë gjithmonë të një mendimi në të kaluarën. Në një kohë që Arabia Saudite e ka cilësuar rrëzimin e presidentit egjiptian, Mohamed Mursi si një "puç ushtarak", SHBA e mbështeti ndryshimin e pushtetit në Egjipt. Tani Arabia Saudite kërkon luftimin e IS duke vënë në dispozicion 100 milionë dollarë.

Ministri i Jashtëm i SHBA Kerry takon Saud Al-Faisal bin Abdulaziz al-Saud në Riad
Ministri i Jashtëm i SHBA Kerry takon Saud Al-Faisal bin Abdulaziz al-Saud në RiadFotografi: Reuters

"Një fenomen i panjohur kurrë më parë"

Abdel Bari Atwan, botues në Londër i gazetës online "Raialyoum", në bisedë me Deutsche Welle-n shpjegon se IS po e fut rajonin në frikë dhe terror. "Këtë herë po vëmë re një fenomen të panjohur kurrë më parë. Vendet në rajon po lenë mënjanë dallimet, për të luftuar këtë organizatë".

IS rekruton milicë si brenda ashtu edhe jashtë vendeve islamike. Sipas gazetarit Atwan IS ekziston në zemër të botës arabe dhe jo në periferi të saj, si ka ndodhur me AL-Kaidën. Ai furnizohet vetë me armë përmes miliona dollarëve të bankave në rajonet ku ka kontrollin."

Të njëjtin vlerësim ndan edhe Dr. Ali Alawsi, ekspert për terrorizmin dhe drejtor i Qendrës për Studimet në Irakun e Jugut me seli në Londër. "Ai nuk përjashton mundësinë e një intervenimi të Iranit në Irak dhe Siri kundër ekstremistëve. Irani nuk do të shohë duarkryq, se si i afrohet gjithnjë e më shumë rreziku. Më shumë Teherani do të ndryshojë strategji, duke mos mbështetur parti të caktuara, por duke dërguar forca të armatosura drejt e në këto vende."

Luftëtar i Peshmenrgës në digën e Mosulit
Luftëtarë të Peshmenrgës në digën e MosulitFotografi: Ahmad Al-Rubaye/AFP/Getty Images

Plane pa efekt?

Në bisedë me Deutsche Welle-n Alawsi kritikon planet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të dobësuar financiarisht IS dhe i cilëson ato si të paefektshme. Këshilli i Sigurimit vendosi sanksione kundër përkrahësve të IS, me qëllim të ndalimit të financimit të organizatës dhe rekrutimeve. Gjashtë personave nga Kuvajti, Arabia Saudite dhe vende të tjera u janë bllokuar xhirollogaritë dhe u ndalohet udhëtimi. Sipas ekspertit IS nuk është një strukturë shtetërore dhe është më shumë një bashkim bandash. IS nuk ka as banka për të depozituar paratë, dhe as imobilie apo prona publike. Prandaj rezoluta e KS është e pavlefshme, argumenton eksperti.

Bota bashkohet kundër ekstremizmit

Tjetër qëndrim ka botuesi i "Raialyom", Abdel Bari Atwan. Sipas tij "edhe pse këto masa duken si të dobta, ato janë fillimi i një liste të gjatë masash të reja. Ato kanë një vlerë të lartë morale, dhe tregojnë se bota po vepron me forca të bashkuara kundër ekstremizmit, dhe ajo e quan kriminale çdo lloj bashkëpunimi edhe ekonomik me grupin terrorist. Një fakt i rëndësishëm ky po të kujtojmë se vetëm javën e shkuar, IS mori në duart e saj burime të reja nafte në Irak dhe me paratë e fituara financon armatimin e saj.

Sipas ekspertit edhe prioritetet e SHBA-së në rajon kanë ndryshuar në gjashtë muajt e fundit. Luftimi i IS në Irak dhe Siri është kthyer në prioritetin kryesor dhe rrëzimi i regjimit të Asadit, madje ka dalë nga fokusi. Kjo reflekton edhe gjendjen në Siri. Partitë në konflikt me regjimin sirian, "Fronti Islamik", "Ushtria e Lirë", dhe "Ushtria e Muxhahedinëve" kanë rënë ujdi të përkohshme të luftojnë armikun e përbashkët, IS.

Si pasojë e kësaj, Irani, Arabia Saudite dhe perëndimi krijojnë kështu një aleancë të re kundër IS. Për të siguruar unitetin e Irakut u armatosën luftëtarët kurdë janë armatosur dhe u largua nga detyra kryeministri Al-Maliki.

Abdel Bari Atwan: "Mund të ndodhë në të ardhmen të shohim se ushtarë irakianë dhe iranianë të luftojnë së bashku nën drejtimin e një operacioni luftarak britanik. Shenjat e para të një operacioni të tillë duken në Irak përmes intervenimit të Peshmergëve në luftë kundër IS."