1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ky rajon është shtëpia jonë"-Drejt roaming falas në Ballkan

4 Prill 2019

Më 4-5 Prill zhvillohet Samiti i Dytë Dixhital për Ballkanin Perëndimor në Beograd. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal mbi përfitimet e një marrëveshjeje roaming për Ballkanin.

https://p.dw.com/p/3GDcb
Majlinda Bregu
Fotografi: privat

Tani, në këtë moment, më shumë se gjysma e botës është online. Mbi dy të tretat e saj kanë një celular dhe pjesa më e madhe e tyre kanë një smartphone. Teknologjia ka zaptuar jetën e gjithkujt. Madje nuk është rritur me shpejtësi të habitshme vetëm numri i atyre që përdorin internetin, por edhe koha që ata kalojnë online.

Një përdoruesi mesatar, jo dhe aq i fiksuar pas internetit, lundrimi mes pajisjeve e shërbimeve online i merr 6 orë të ditës. Më shumë se 76% e qytetarëve të Europës Juglindore janë përdorues të internetit, ndërsa 40% e tyre përdorin të gjitha aplikacionet e mediave sociale nga celularët. Dhe nuk besoj se i vjen ndokujt çudi po të them që shumica e përdoruesve janë të rinj. Janë po të rinjtë në rajonin tonë, që uljen e tarifave të roaming-ut e vlerësojnë po aq të dobishme sa lëvizja e lirë. Një arsye më shumë që të udhëtojnë më shpesh dhe të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre. Ata që janë kontributorë direktë në zhvillimin ekonomik të rajonit, përfaqësuesit e biznesit, në një shumicë të konsoliduar, 70%, e shohin heqjen e tarifave të roaming-ut si ndihmë për të rritur tregtinë.

Heqja e tarifave të roaming-ut - impuls ekonomik

Më shumë se 12 milionë turistët që vitin e kaluar shijuan dhe u endën mes mrekullive të Ballkanit, u kthyen pas në vendet e tyre duke rrudhur buzët për faturat e roaming-ut, edhe më të kripura se uji i detit. Të  ndryshëm, por të ngjashëm, të gjithë janë në një mendje se ulja dhe heqja e tarifave të roaming-ut, iu vjen për shtat të gjithëve dhe ndihmon në zhvillimin e ekonomisë.

Si të gjithë ju, kësisoj edhe unë, lundroj online e medoemos jam një nga ata të shifrave të lartpërmendura. Deri diku kjo është dhe një pjesë e rëndësishme e punës dhe e detyrave të mia. Prej disa muajsh, kam privilegjin të punoj për fuqizimin  ekonomik e social të rajonit tonë. Mandej, pse jo edhe për të shpalosur potencialin real të kësaj pjese të Europës. Është borxhi i pashlyeshëm që i detyrohemi qytetarëve në këtë rajon, atyre që kanë duruar një mal me vuajtje për më shumë se gjysmë shekulli rropamash historike; që besojnë fort  se jeta e tyre do të ndryshojë për mirë duke ndjekur të njëjtin model si Europa. E vetëdijshme për këtë borxh e ahtet këtu ku jetojmë, parapëlqej rezultatet e prekshme në vend të premtimeve llamburitëse.

Tek e fundit, unë jam një qytetare e Ballkanit Perëndimor, që vjen nga Shqipëria e që e njeh me përvojën e drejtpërdrejtë, "tingullin” që shkakton fjala Ballkan mes nesh dhe jehonën e oshëtimën e kësaj fjale jashtë nesh.

E lodhshme, e ndërlikuar dhe kushton shtrenjtë!

Shtëpia dhe familja ime janë në Tiranë, zyra qëndrore është në Sarajevë. Për shkak të punës më duhet të udhëtoj shumë dhe shpesh. Të jem në kontakt me miqtë dhe bashkëpunëtorët e kam sa të domosdoshme, por dhe të vështirë. Është me të vërtetë nakatosëse të ndryshosh karta SIM të celularit sa herë kalon kufirin, ose të vraposh ku ka WIFI për të parë mesazhet. Të mbyllësh "roaming”, për të mos patur një faturë të frikshme në fund të muajit, dhe prapë të duash të mbarosh punë, apo thjesht të njoftosh familjarët dhe miqtë se ke mbërritur mire, është më e bezdisshme se sa kur telefonat i kishim me fill. E po kështu si unë bëjnë dhe miqtë e kolegët, madje edhe biznesmenët.

Për t'i thënë gjërat troç. Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i zhvilluar ekonomikisht. Papunësia është e lartë, largimi i "trurit” po rritet, të rinjtë duan të ikin. Njerëzit humbasin vendin e punës për arsye të ndryshme, por për disa të tjerë ky hovi  i teknologjisë është një rrezik edhe më i madh. Jetojmë në një botë që s'po i lë më thuajse hapësirë atyre që s'përshtaten dot me teknologjinë. Je apo s'je on line është çështja. Lidhjet shoqërore, ndjenjat, aktivitetet, aventurat, biznesi, politikat, qeveritë, gjithçka po kalon on line.

Përfitimet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje roaming

Një vit më parë, në Sofje në Samitin për Ballkanin Perëndimor - BE, u përudh nisma për një Marrëveshje Rajonale Roaming falas për rajonin tonë. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, ne- Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, (RCC) si lehtësues dhe padyshim Komisioni Evropian, jemi përpjekur të finalizojmë një marrëveshje, e cila sapo të nënshkruhet, i hap dritën jeshile planit konkret të uljes deri në heqjen e plotë të tarifave roaming (brenda vitit 2021) për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të vërë në lëvizje edhe proçesin e uljes së çmimeve roaming midis nesh dhe Bashkimit Europian. Dhe që të jem e sinqertë, ky nuk është i vetmi përfitim. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë i qytetarëve të këtij rajoni, është arritja më e mirë e kësaj marrëveshjeje.

Fol si n”shpi! Do të çoni mesazhe ose lundroni më shumë në internet, kudo që të ndodheni në rajon dhe sigurisht do të paguani shumë më pak. S'do t'ju prishet gjaku nëse harroni të mbyllni roaming para se të kaloni kufirin. Kjo marrëveshje për të gjashtë ekonomitë në rajon do të lidhë bizneset më shpejt dhe më lirë me njeri tjetrin, do të lidhë punëkërkuesit me punëdhënësit e tyre potencialë. Padyshim do të gëzojë turistët, të cilët mezi presin, të ndajnë e postojnë online,- menjëherë të kuptohemi, -kujtimet e ndjesitë nga pikat e shumta kulturore- arkeologjike apo aventurat gjatë pushimeve.

Europa është mendësi dhe integrimi evropian s'ka kuptim tjetër veçse ndryshimit të vërtetë të rajonit ku jetojmë. Në një botë ku e ardhmja është e turbullt dhe e mjegullt në rastin më të mirë, por me shumë të ngjarë është më shumë e pasigurt, s'kemi rrugë tjetër më të mire se sa forcimi i lidhjeve mes njëri-tjetrit. Çdo shans që nuk kapet tani e nuk lexohet si një dëshmi serioze e të ardhmes në duart tona, është një shans i humbur.

Siç thotë Pierre Bourdieu: "Për të projektuar të ardhmen, është e nevojshme të mbahesh në të tashmen." E meqenëse çka bëjmë sot, na çel rrugën e mundësive të së nesërmes, është koha për të bërë të mundur së bashku, përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshje, si një mision shëlbyes ndaj qytetarëve, me vetëdijen se ky rajon është shtëpia jonë.

 

Majlinda Bregu është Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal(RCC)) është organizata që promovon bashkëpunimin rajonal me qëllim të integrimit europian të Europës Juglindore.

*Marrëveshja e re Rajonale për Roaming është një nga rezultatet e Axhendës të Lidhjes në Planin e Veprimit për Zonën Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perendimor (MAP REA), si një nga angazhimet e dakortësuara nga liderët e 6 vendeve në Samitin e Triestes në Korrik 2017 dhe në Samitin e Sofies BE- Ballkani Perëndimor në 2018. Si pjesë e këtyre angazhimeve, zhvillohet edhe Samiti i Dytë Dixhital për Ballkanin Perëndimor në 4-5 Prill 2019 në Beograd, ku pritet të firmoset kjo marrëveshje.