1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurz në Ballkan: Austria e jep votën pro Kosovës në Interpol

6 Nëntor 2018

Historia të mbetet histori! Kancelari austriak, Sebastian Kurz që ndodhet për vizitë në Ballkan bën thirrje në Beograd për lënien pas të së shkuarës në emër të paqes e stabilitetit. Të martën ai qëndron në Kosovë.

https://p.dw.com/p/37iIt
Österreich Wien Aleksandar Vucic und Sebastian Kurz
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Hochmuth

Para vizitës në Kosovë, kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka bërë të ditur se Austria do të japë votën pro Kosovës për t'u bërë pjesë e Interpolit. "Ky është një prioritet i presidencës austriake, që të mbështeten shtetet e Ballkanit në afrimin me BE. Kjo vlen veçanërisht për reforma në sigurinë e brendshme", citon gazeta austriake, Kurier Sebastian Kurz.

Në Prishtinë kancelari austrik të martën (06.11) pritet për një vizitë tek trupat austriake të KFOR-it. Pastaj zhvillohen takime me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj. Edhe në Prishtinë do të luajë rol qendror vazhdimi i dialogut për zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Për Kosovën që pret liberalizimin e vizave me BE, vizita e kancelarit austriak, Sebastian Kurz ka rëndësi të veçantë, pasi Austria mban aktualisht presidencën e radhës në BE.

Paralajmërim Serbisë të vazhdojë dialogun me Kosovën!

Të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Ky ishte mesazhi i kancelarit austriak dhe kryesuesit të presidencës së radhës në BE, Sebastian Kurz pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd të hënën (05.11). "Njerëzit në Serbi duhet të jenë të vetëdijshëm, se do të ketë një anëtarësim në BE, vetëm kur të jenë gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes Beogradit dhe Prishtinës", tha Kurz të hënën (05.11) në Beograd, citon dpa kancelarin austriak.

Belgien Brüssel - EU Gipfel: Sebastian Kurz
Fotografi: Getty Images/AFP/B. Stansall

Kurz bëri thirrje që "të shkuarën ta lenë të shkuar" për të ardhur tek paqja dhe stabiliteti. Ky është një shans historik që "historia të mbetet histori", tha ai". Kurz theksoi, se Austria nuk do të pengonte një marrëveshje mes dy vendeve e cila sjell paq dhe stabilitet. Por presidenti serb deklaroi, se jemi ende "shumë larg" nga zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve.

Serbia negocion me BE për anëtarësimin dhe është e interesuar të hapen kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësimin. Por pengesa kryesore mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur pas dështimit të takimit në Bruksel mes presidentit Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq në shtator. Presidenti serb, bëri të ditur të hënën, se ende nuk ka një datë për takimin mes dy presidentëve. "Por ne jemi gati për vazhdimin e bisedimeve", tha Vuçiq pas takimit me kancelarin austriak.

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare