1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti: Nuk mund të ketë asociacion komunash mbi baza etnike

Bekim Shehu
17 Qershor 2021

Albin Kurti i përgjigjet ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, i cili u shpreh, se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe. Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike, thotë Kurti.

https://p.dw.com/p/3v5Ms
Kosovo Premierminister Albin Kurti
Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Kosovo Avdullah Hoti und Philip Kosnet
Ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnet në një takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, qershor 2020Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

Albin Kurti kundërpërgjigjet, duke thënë, se "kërkesat për Asociacion një etnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanët e fqinjët veriorë”. "Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Për SHBA Asociacioni është detyrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre besojnë se Kosova e ka detyrim ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Këtë e tha ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, gjatë një vizite në veri të Kosovës dhe një interviste që e dha për mediumin në gjuhën serbe, Radio Kontakt Plus, me seli në veri të Mitrovicës. "Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett. Sipas Kosnet, "në 20 vitet e fundit në Kosovë, njerëzit janë mësuar që bashkësia ndërkombëtare të derdhë shumë para, duke ndihmuar njerëzit të zgjidhin problemet, por kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, paralajmëroi Kosnett.

Josep Borrell und Albin Kurti
Josep Borrell dhe Albin Kurti në një takim në BrukselFotografi: Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

Britania e Madhe krah qëndrimit të SHBA

Edhe  ambasadori në Kosovë i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, tha se ai e përkrah krijimin e Asociacionit të Komunave me Serbe, sepse ai është pjesë e negociatave dhe marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani. "Përderisa është pjesë e negociatave dhe marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani, po, e përkrahim. Mendoj që është e qartë që kjo është një çështje në tavolinë, është qartazi një çështje, me të cilën është pajtuar qeveria e Kosovës më herët. Atëherë duhet shikuar se çka e rrezikon sovranitetin e Kosovës, sepse nuk është vetëm emri, apo jo? Janë kompetencat që do t'i jepeshin një Asociacioni të tillë, pra, duhet të qartësohet se cilat janë këto fuqi, dhe duhet të qartësohet, se cilat janë kompetencat që mund të rrezikojnë Kushtetutën dhe të punohet rreth këtyre pikave”, u shpreh ambasadori britanik.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013, nënshkruan marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 23 parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë, se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Serbia vazhdimisht insiston që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komuna me Shumicë Serbe. Edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, ka përsëritur disa herë, se marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi duhet të respektohen.