Albin Kurti prezanton planin për uljen e tensioneve në veri
13 Qershor 2023Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i prezantoi ambasadorëve të shteteve anëtare të QUINT-tit, një propozim të tij për "uljen e tensioneve në veri të Kosovës”, të banuar me shumicë serbe. Propozimin kryeministri Kurti, tha se e ka ndarë paraprakisht me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell. "Me Borrellin dje, dhe vendet partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha kryeministri Kurti në një konferencë për medie pas një takimi të gjatë që zhvilloi me ambasadorët e Quint-tit në Prishtinë.
Pikat kryesore të planit për uljen e tensioneve
Pika e parë në planin e kryeministrit të Kosovës është sundimi i ligjit në katër komunat në veri. "Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe medieve”. Pika e dytë; "Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës”. Pika e tretë; ”Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë”. Pika e katërt; "Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhjet e reja në veri”, dhe pika e pestë; "Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit. Bashkimi Evropian siguron një plan renditje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike”.
Kryeministri Albin Kurti gjatë gjithë ditës së djeshme dhe të martën ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësusit perëndimorë. Këta të fundit, emisari i BE-së Mirosllav Lajçak dhe ai amerikan Gabriel Escobar, ishin kritikë ndaj qeverisë së Kosovës, e cila me forcë dhe me njësi të policisë dërgoi në objektet komunale në veri, katër kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e prillit pas bojkotimit të tyre nga serbët lokalë. Zgjedhjet e reja në veri pas situatës së tensionuar atje, përmenden si opsion edhe në planin për shtensionimin e situatës nga kryeministri Kurti. Por Lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, është duke e kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me "tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”.
Lista Serbe këmbëngul në kërkesat e saj
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Srpskae ka ritheksuar qëndrimin partisë: "Çështjet me prioritet që duhet të zgjidhen për të shtensionuar situatën në terren, e që janë edhe kërkesa të serbëve në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë', janë; largimi i forcave speciale të Kurtit nga ndërtesat komunale në veri, kryetarët e rrejshëm që nuk kanë legjitimitet dhe ligjshmëri, të mos vijnë në këto objekte, sepse nuk i kanë zgjedhur qytetarët, dhe të lirohen të arrestuarit padrejtësisht”, ka thënë Igor Simiq.
Edhe të dërguarit perëndimorë kanë propozuar organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të qetësuar situatën atje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë të mundshme, nëse peticionin e nënshkruajnë 20 për qind e qytetarëve të regjistruar në regjistrin e zgjedhjeve. Në bazë të ligjeve të Kosovës, në këtë mënyrë do të iniciohej procesi për shpalljen e zgjedhjeve të reja, ose, varianti i fundit përmendet edhe dorëheqja e vetë kryetarëve shqiptar.