1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti e Vuçiq zhvillojnë takime në Bruksel me krerët e BE

24 Tetor 2023

Në rend të ditës të samitit të BE-së në Bruksel të enjten janë ndër të tjera edhe raportet mes Kosovës e Serbisë. Kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti, Aleksandar Vuçiq takohen në kuadër të samitit me krerët e BE.

https://p.dw.com/p/4XzKK
Montazh me dy foto të presidentit serb, Vuçiq dhe kryeministrit, Kurti

Bashkimi Evropian ka ftuar në një takim në Bruksel të enjten (26.10.2023) kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të dy liderët janë ftuar në margjinat e Samitit të Këshillit Evropian. Takimi u paralajmërua pas vizitës së të dërguarve të vendeve perëndimore gjatë fundjavës në Prishtinë dhe në Beograd, të cilët thanë se paraqitën një plan për rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, thuhet se plani është që katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten. Takim i të njëjtit format pritet të zhvillohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se "priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”. Zëdhënësi Stano tha, se Bashkimi Evropian tashmë u ka prezantuar palëve një propozim "modern evropian”, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

"Diskutimet e të dërguarit evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet”, tha Stano.

Vuçiq: Ka një marrëveshje që të mos flitet për këtë çështje

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha të martën (24.10.2023) se pret që brenda dy apo tri ditësh të qëndrojë në Bruksel, ku siç tha, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se rendi i ditës së diskutimeve do të jetë në përputhje me atë që është diskutuar me pesëshen diplomatike gjatë fundjavës, duke nënvizuar se ka një marrëveshje që të mos flitet për këtë çështje.

Kurti: Beogradi nuk dëshiron të nënshkruajë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij,  tha të martën se është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe Ohër ndërsa akuzoi autoritetet në Beograd se po e shmangin marrëveshjen, e cila sipas tij çon në njohje de facto të Kosovës nga Serbia.

Takim i kryeministrit Albin Kurti me diplomatët perëndimorë
Takim i kryeministrit Albin Kurti me diplomatët perëndimorë, 21.10.2023Fotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

"Por Beogradi nuk dëshiron të nënshkruajë, sepse përmbajtja e marrëveshjes është njohja de facto. Është modeluar sipas dy Gjermanive të vitit 1972, njohja faktike mes dy Gjermanive. Kjo është marrëveshja që ne kemi me Serbinë”, tha Kurti, gjatë një debati mbi temën "thellimi i solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?  organizuar nga "The Economist”, në Greqi.