Kurti dhe Vuçiq nuk duan t'i japin as dorën njëri-tjetrit
23 Qershor 2023Konflikti vazhdon të ziejë, frontet mbeten të ndara, kjo u duk në takimin e së enjtes (22.0.6) ku nuk pati as edhe një takim tresh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit Vuçiq dhe kryediplomatit të BE, Josep Borrell në Bruksel. Takimet u zhvilluan të ndara të enjten në mbrëmje, pasi nuk pati ujdi për një takim të përbashkët. Pas takimeve veçmas kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha, se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Megjithatë sipas Josep Borrell, pas më shumë se katër orë diskutimesh, të dy udhëheqësit e kanë të qartë seriozitetin e situatës në veri të Kosovës, por “kanë qasje dhe interpretime të ndryshme”.
Së bashku me të dërguarin e BE-së në dialog Miroslav Lajҫak, Borrell u paraqiti palëve pritjet e Bashkimit Evropian për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. "Për Kosovën që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t'i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, tha Borrell, duke kërkuar pjesëmarrje pa kusht të serbëve në zgjedhjet në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. "Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes. Zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, tha Borrell.
Kurti pranon nevojën për zgjedhje të parakohshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se ai ka shprehur gatishmërinë që Kosova të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale në katër komunat veriore, por "në përputhje me kornizën ligjore të vendit”. "E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, tha kryeministri Kurti.
Kurti tha, se ishte i gatshëm të takohej me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ky i fundit kishte refuzuar që ta takojë Kurtin. "Kam ardhur të takohem me palën serbe për të diskutuar për hapat përpara, por meqë ky është një proces që përfshin dy palë, kjo nuk ishte e mundur”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Vuҫiq ndërkaq, tha se nuk mund të konfirmojë që "ka ndonjë udhërrëfyes", për daljen nga kriza në veri të Kosovës. "Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë momente", tha Vuçiq. Sipas tij, ҫdo gjë ka shkuar shumë larg dhe ai nuk e di akoma sesi do të zhvillohen ngjarjet në terren, duke përmendur që akoma ka kamionë me mallra të bllokuar në kufirin Kosovë-Serbi.
Takimet e ndara në Bruksel të Kurtit dhe Vuҫiq me ndërmjetësit evropianë erdhën pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor dhe tensionimit të ri të situatës. Kosova akuzon Serbinë për “rrëmbim të policëve” brenda territorit të saj, ndërsa Beogradi thotë se ata u kapën brenda territorit serb. Lidhur me këtë çështje kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Tre policët e Kosovës po mbahen akoma të arrestuar në Kralevë të Serbisë. Borrell të hënën e javës së ardhshme do t’u raportojë ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të të BE-së për situatën dhe rrjedhën e bisedimeve.