1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurdët në Irak

Fouad El-Auwad/ Angjelina Verbica9 Tetor 2012

Iraku është akoma larg nga stabiliteti. Zhvillimi ekonomik në Irakun verior u shton shpresat kurdëve, që jetojnë atje, për një shtet të vetin.

https://p.dw.com/p/16GSD
Kryeministri irakian Nuri al-Maliki, presidenti irakian Jalal Talabani dhe presidenti kurd Masoud Barzani
Kryeministri irakian Nuri al-Maliki, presidenti irakian Jalal Talabani dhe presidenti kurd Masoud BarzaniFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe disa muaj pas tërheqjes së trupave të fundit amerikane, në Irak nuk po vendoset qetësia. Aktualisht po zgjerohet konflikti në mes të qeverisë qendrore në Bagdad dhe qeverisë autonome kurde. Që kur SHBA dhe aleatët e saj në vitin 1991 vendosën në veri të Irakut një zonë ndalim-fluturimi kundër forcave të Sadam Huseinit, kurdët në Irakun e veriut gëzojnë një autonomi të konsiderueshme. Për më tepër rajoni përjeton prej një farë kohe një bum të vogël ekonomik nga nxjerrja e naftës. Nisur nga ky përmirësim, shumë kurdë shpresojmë tani për përmbushjen e një ëndrre të gjatë: krijimin e një shteti të pavarur kurd.

Vizioni i një populli

40 milionë kurdët janë grupi më i madh etnik në botë pa shtetin e tyre. Ata ndodhen të shpërndarë në Irak, Siri, Turqi dhe Iran. Edhe në Evropën Perëndimore dhe në SHBA jetojnë shumë kurdë. Sarbast Permeni, kurd dhe ish-ministër në qeverinë qendrore të Irakut nuk mund ta kuptojë, përse ky grup nuk lejohet ende të jetojë në shtetin e vet. Në bisedë me DW ai theksoi: "Ky komb lufton për më shumë se një shekull për realizimin e vizionit të tij: Lirinë, drejtësinë dhe vetëvendosjen". Sot autonomia kurde në Irak është pjekur në atë masë, saqë ka të gjitha elementet thelbësore të një shteti ligjor, ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Autoriteti shtetëror shpërndahet kështu në disa organe, thotë Akif Hassan, analist politik dhe ish-koordinator i lartë i PKK për çështjet politike në Evropën Perëndimore në një intervistë me DW. Por për kurdët kjo nuk është e mjaftueshme. Një ekonomi e qëndrueshme e shton kërkesën për pavarësi politike.

Proteste e kurdëve në Irakun e veriut
Proteste e kurdëve në Irakun e veriutFotografi: picture-alliance/ dpa

Sektori i ndërtimit në pjesën veriore të Irakut, i mbizotëruar nga kurdët, po merr hov. Infrastruktura është modernizuar. Sektori i shërbimeve është përmirësuar. Tregtia lulëzon. Përmes të gjitha këtyre zhvillimeve janë rritur edhe mundësitë për punë në Irakun e veriut.

Thelbi i konfliktit midis qeverisë autonome dhe pushtetit qendror qëndron këtu. Deri tani Bagdadi dërgonte rreth 17 për qind të buxhetit të tij të naftës në Irbil, selia e qeverisë së rajonit autonom të Kurdistanit në Irakun verior. Por kurdët duan ta nxjerrin vetë naftën e tyre dhe të marrin të ardhurat për vete. Ka grindje se kush duhet të shfrytëzojë në të ardhmen rezervat kurde të naftës. "Ky konflikt mund të çonte në ndarjen e vendit," thotë Sarbast Pamerni.

Marrëdhënie të mira me Turqinë

Megjithëse Turqia tregohet e paepur në luftën kundër përpjekjeve kurde për autonomi në vend, ajo ka marrëdhënie të mira ekonomike me zonat kurde në Irakun e veriut. Ajo është partnerja më e madhe ekonomike dhe tregtare e Kurdistanit irakian. Në rast të mbylljes së kufirit nga Turqia bumi ekonomik në zonat kurde të Irakut në pjesën më të madhe do të paralizohej. Kështu që vazhdon të mbizotërojë një qetësi e tendosur.

Ministri i Jashtëm kurd Davutoglu viziton Kurdistanin
Ministri i Jashtëm kurd Davutoglu viziton KurdistaninFotografi: Reuters

Turqit kanë frikë se kurdët në juglindje të vendit të tyre mund të shtrojnë kërkesa të ngjashme për autonomi, thotë Akif Hassan. Madje Ankaraja për ruajtjen e unitetit kombëtar është e gatshme të përdorë ushtrinë përtej kufijve të vet. Në fakt zonat kurde janë sulmuar disa herë vitet e fundit.

Zgjedhjet rajonale shtyhen

Me 27.09.2012 populli kurd në Irak duhej të zgjidhte parlamentin në zonën e tij autonome. Data tani është shtyrë. Komisioni zgjedhor deklaroi në Irbil se shkak për këtë ka qenë një nen i ligjit zgjedhor, që rregullon përfaqësimin e pakicave, veçanërisht të krishtera, në parlamentet rajonale në veriun kurd.

Ndryshimet politike në Kurdistan kanë ndikim në të gjithë Irakun, thotë politikani kurd Sarbast Pamerni: "Pas përfundimit të zgjedhjeve rajonale në Kurdistan do të krijohet një peisazh i ri politik. Kjo do të përcaktojë të ardhmen në të gjitha Irakun."

Masoud Barazani, kryeministri i rajonit autonom kurd dhe lideri i partisë më të fortë "Bashkimi demokratik kurd" në veri të Irakut, sipas të përditshmes libaneze Al-Hayat të datës 23.09.2012, ka kërcënuar përsëri me ndarjen e vendit të tij nga i gjithë Iraku, në qoftë se qeveria qendrore në Bagdad shkon drejt diktaturës. Për të shmangur këtë skenar të gjitha partitë politike do të duhej t'i përmbaheshin kushtetutës, tha ai në deklaratën e tij. Përndryshe Iraku do të ndahej në tri pjesë: një veri kurd, një jug shiit dhe një qendër sunite.