Kurban Bajrami dhe pelegrinazhi drejt Mekës
Festa e Kurban Bajramit shënon kulmin e pelegrinazhit në Mekë, vendi më i shenjtë për myslimanët. Çdo vit besimtarët ndjekin ritualin e pelegrinazhit drejt Mekës.
Profeti Muhamed
Themeluesi i Islamit, Profeti Muhamed lindi në Mekë. Në këtë iamzh të artistit Rashid Al-Din nga shekulli i XIV profeti qëndron me përfaqësuesit e fiseve arabe para Qabesë. Ai mban gurin e zi të shenjtë, që sot ndodhet në Qabe. Meka është vendi më i shenjtë për myslimanët, sepse këtu ndodhet Qabja, që myslimanët e nderojnë si "Shtëpia e Zotit". Pelegrinët duhet t'i sillen Qabes shtatë herë.
Udhëtim i rrezikshëm
Në shekujt e mëhershëm, pelegrinët shkonin në Mekë në karvane të mëdha. Në rrugëtimet e gjata nga Egjipti dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, besimtarët sulmoheshin shpesh. Ndërsa sot besimtarët shkojnë me avion në Mekë.
Qyteti i madh me tenda
Mina është një luginë afër Mekës. Në Mina për çdo vit gjatë kohës së haxhit ngrihen me dhjetëra mijëra tenda. Ato shërbejnë për akomodimin e besimtarëve gjatë vizitës së tyre që zgjat disa ditë. Akomodimi dhe ushqimi i miliona pelegrinëve paraqet çdo vit një sfidë të madhe logjistike.
Ihrami
Para fillimit të ceremonisë së haxhit besimtarët meshkuj vishen me një rrobë të bardhë e cila përbëhet nga dy pjesë të paqepura nga pëlhura e pambukut. Kjo veshje quhet ndryshe edhe 'Ihram'. Ihram quhet edhe marrja e vendimit (nijeti) me të cilin Haxhiu fillon t’i kryejë ceremonitë e haxhit.
Mali Arafat
Në fillim të Haxhit besimtarët vizitojnë malin e shenjtë Arafat, i cili ndodhet rreth 25 kilometra në lindje të Mekës. Këtu Profeti Muhamed dha predikimin e tij të fundit. Pikërisht në këtë vend pelegrinët qëndrojnë dhe i luten Zotit që t'iu falë mëkatet e tyre.
Largimi i djallit duke gjuajtur me guriçka
Gjatë Haxhit disa herë kryhet gjuajtja simbolike me gurë e djallit. Si në Mina ashtu dhe në Mekë besimtarët gjuajnë me shtatë guralecë në drejtim të mureve të larta të cilat simbolizojnë djallin. Më parë besimtarët gjuanin gurë të mëdhenj por disa herë padashje janë goditur edhe njerëzit.
Festa e sakrificës
Një pjesë e rëndësishme e Haxhit është Festa e sakrificës (Kurban Bajrami). Përmes saj kujtohet Profeti Ibrahim (në bibël Abrahami), i cili ishte i gatshëm të sakrifkonte edhe birin e tij vetëm për të përmbushur urdhërin e Perëndisë. Ashtu si edhe në tregimin biblik në vend të njeriut theret një kafshë. Mishi pastaj u shpërndahet kryesisht atyre që kanë nevojë.