"Kuq-kuq në Potsdam është një hap drejt njohjes së ish Partisë së Socializmit Demokratik (PDS), tani e Majta, si një parti normale."
13 Tetor 2009Socialdemokratët e landit gjerman të Brandenburgut kanë vendosur krijimin e një koalicioni me të majtët. Bisedimet me kristiandemokratët (CDU) nuk u pranuan. Partia Socialdemokrate (SPD) ka qeverisur me kristiandemokratët për dhjetë vjet rresht këtë land. Në zgjedhjet parlamentare të landit të zhvilluara para dy javësh SPD fitoi me 33 për qind duke dalë kështu forca më e fuqishme politike. E Majta fitoi 27,2 përqind dhe CDU 19,5 për qind.
Lidhur me këtë fillimisht në 'Frankfurter Rundchau' lexojmë:
"Të gjithë e kanë pritur që Unioni Kristiandemokrat do t'ia plasë vajit me zemërim për planet e socialdemokratëve të Brandenburgut për të krijuar koalicion me Të majtët. Pikërisht siç ishin të pritshme predikimet me maskën e shenjtit të së Majtës 'Die Linke' për koalicionin Xhamajka në landin e Zarës. Por kakarisjet nuk ndryshojnë faktin se të gjitha palët provojnë të shfrytëzojnë aritmetikën e re të sistemit partiak në vend qö ta injorojnë kategorikisht atë. Por ne zgjedhësit vetëm mund të dëshirojmë që këto ndërthurje të shumta tani të konkurrojnë për politikë më të mirë", shkruan ndër tjera 'Frankfurter Rundchau'.
Ndërkaq nga 'Tageszeitung', e cila botohet në Berlin shkëpusim:
" Matthias Platzeck, i cili më shumë i takon krahut të djathtë të Partisë Socialdemokrate, do të qeverisë me Partinë e Majtë. Ky është një hap drejt çtensionimit të raporteve të tkurrura nga ana e socialdemokratëve me partinë e majtë... Partia 'E Majta' ka dhjetë vjet që është në Brandenburg një parti qeveritare në pritje. Më shumë se 90 përqind e ithtarëve të saj e duan një koalicion kuq-kuq. Pesë vitet e ardhshme do të jenë të vështira për këtë koalicion. Në këtë periudhë duhet të kursehet një miliardë euro, ndërkohë që hapësirat për manovrim janë të vogla. Megjithatë kjo aleancë do të tregojö se partia e majtë mund të qeverisë edhe në ditë të vështira. Kjo vlen diçka, por nuk është asgjë e re. Kuq-kuq në Potsdam është një hap drejt njohjes së ish Partisë së Socializmit Demokratik (PDS), tani e Majta, si një parti normale. As më pak e as më shumë", thekson gazeta 'Tageszeitung'.
Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica