Kundërsulm i ushtrisë irakiane ndaj luftëtarëve të ISIS
16 Qershor 2014Pas marshimit të xhihadistëve në veri të Irakut, forcat qeveritare janë hedhur në kundërsulm. Ushtria pretendon se ka rikthyer kontrollin në dy qytete në veri të Bagdadit. Luftëtarët e grupit sunit ekstremist "Shtet Islamik në Irak dhe në Siri", (ISIS), nga ana tjetër, sulmuan bazën ushtarake në Taxhi pranë Bagdadit dhe me sa duket futën nën kontrollin e tyre qytetin Tal Afar në veri-perëndim të vendit. Situata ishte katastrofale, ka pasur luftime tė ashpra, thanë përfaqësuesit e autoriteteve lokale. Shumica e familjeve janë bllokuar në shtëpitë e tyre, shumë civilë kërcënohen me vdekje.
Luftëtarët e ISIS-it marshojnë në drejtim të Bagdadit
Luftëtarët e ISIS pushtuan fillimisht gjatë ditëve të kaluara qytetin milionësh në veri të Irakut, Mosul dhe pastaj tërë krahinën e Ninivës si dhe pjesë të tre krahinave të tjera. Ata vazhduan të depërtojnë gjithnjë e më shumë në drejtim të kryeqyteti Bagdat, forcat irakiane të sigurisë fillimisht treguan vetëm pak rezistencë.
Tani, një zëdhënës i kryeministrit Nuri al-Maliki sqaroi se ushtria tani është sërish në epërsi në luftë kundër xhihadistëve. Brenda 24 orëve janë vrarë gati 280 kryengritës. Mediat irakiane njoftojnë se ushtria e përforcuar nga mijëra vullnetarë është duke përgatitur tashmë ripushtimin e Mosul-it dhe qytetit qendror irakian, Tikrit.
SHBA kërkon bisedime me Iranin
Ndërkohë zhvillimet e fundit në Irak çojnë drejt konfigurimeve të reja politike. Siç raporton "Wall Street Journal", duke cituar zyrtarë të lartë të qeverisë në Uashington, SHBA janë duke kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me armikun shumëvjeçar Iranin, në lidhje me gjendjen e sigurisë në vendin fqinj. Një mundësi për të trajtuar këtë çështje janë bisedimet bërthamore ndërkombëtare të cilat pritet të rifillojnë këtë të hënë në Vjenë, vazhdon gazeta amerikane. Presidenti i Iranit kryesisht të banuar me shiitë, Hassan Rohani, është treguar tashmë i hapur për bashkëpunim me SHBA në luftën kundër ISIS.