1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kultura e kujtesës në masakrën e SS-ve

22 Mars 2012

Në fshatin francez Oradur pranë Limoges, më 10 qershor 1944 ushtarë të divizionit SS „Rajhu“ vranë 642 civilë, midis tyre 247 fëmijë. Burrat i vranë me mitrolozë, gratë e fëmijët i helmuan dhe dogjën në një kishë.

https://p.dw.com/p/14PcG
"Europa sot" 22.03.12
"Europa sot" 22.03.12

Kjo masakër është kthyer në simbol të mizorive naziste në Francë. Drejtësia në Gjermani e në Francë ka kohë që kërkon pjesëmarrësit në krim. Ata që janë gjetur, nuk janë dënuar për mungesë provash. Së fundi, është zbuluar rastësisht edhe një ushtar tjetër, pjesëmarrës në masakër. Siç mund ta ndiqni në emisionin televiziv të Deutsche Welles „Evropa Sot“ (22.03.2012) shanset për dënimin e tij prokuroria i sheh të pakta, sepse ai besohet se nuk ka dhënë ndihmë aktive në krim. Për këtë çështje, si dhe për kulturën e kujtesës në Gjermani, Lindita Arapi pyeti kolegun Auron Dodi.  

L.Arapi: A ka shanse, Auron të dënohet ky ushtar, 68 vjet pas luftës për këtë masakër?

A. Dodi: Para drejtësisë dhe Zotit je i pafuqishëm, thonë në Gjermani, Lindita. E kësaj mund t'i referohen si viktimat, ashtu edhe dorasit. Po u dëshmua pjesëmarrja e ushtarit në krim, gjë që duket e vështirë, padyshim ai do të dënohet. Masakra çnjerëzore si kjo e Oradurit të shokojnë edhe 70 vjet më vonë, aq më tepër kur t'i tregojnë viktima direkte. 

Prandaj ka gjysëm shekulli që merret drejtësia me ngjarjen: në fillim të viteve '50, saktësisisht në vitin 1953 dha dënime, në mungesë, drejtësia franceze. Përgjegjësin kryesor për masakrën, gjeneralin Heinz Lammerding e dënuan me vdekje. Por shteti francez nuk ra dakord në atë kohë me Gjermaninë për dorëzimin në Francë të Lammerdingut.

Në fillim të dhjetorit 2011  ishte drejtësia gjermane që bastisi shtëpitë e gjashtë ish- ushtarëve SS. Hetuesit shpresuan se me kontrollet e papritura mund të siguronin prova, si p.sh. ditare të ish-SS-ve, por kjo shpresë nuk u realizua.

Përgjithësisht, që pas përfundimit të gjyqeve të famshme të Nyrenbergut, në të cilat u dënuan me vdekje disa nga krerët e Rajhut të tretë, drejtësia gjermane ka analizuar 25.000 raste krimesh. Për fat të keq, shumica e rasteve nuk ka qenë e mundur të mbështeten si duhet me prova, për ta nxjerrë çështjen para gjyqit. Gjithsesi, nëse është folur për mizori të skajshme naziste në krimet e kryera prej tyre, në të njëjtën mënyrë, pa mëshirë, i ndjek fajtorët sot shteti gjerman i së drejtës.

Gjermania sot - kundërprojekt i shtetit nazist

L.Arapi: Shoqëria gjermane e ka në qendër të vëmendjes luftën kundër harresës ndaj mizorive naziste. Si funksionon kultura e kujtesës ndaj diktaturës hitleriane në Gjermani?

A. Dodi: Mënyra si e kujton të kaluarën naziste shoqëria gjermane sot orientohet tek respektimi apo jo i lirisë së individit, tek qëndrimi tolerant apo jo ndaj njeriut në të kaluarën naziste. Pra kujtesa historike sjell ngjarjet në të sotmen-ato marrin emrin 'e drejtë' apo 'faj' - varësisht nga qëndrimi në to ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Gjermania e pasluftës u konceptua që në kushtetutë si kundërprojekt i shtetit shtypës nazist. Mbi këtë bazë është ngritur identiteti politik i gjermanëve pas luftës. Pra legjitimohen veprimet e së shkuarës me të cilat është respektuar liria e njeriut e përkatësisht quhen të gabuara ato që e kanë përçmuar njeriun e lirinë e tij.

Ky orientim te legjitimimi është padyshim një qendrim i vendosur me ndërgjegje, në bazë të një interpretimi të caktuar. Sepse e rëndësishme për Gjermaninë (dhe botën) pas lufte ishte që prej tokës gjermane të mos i vinte më asnjë e keqe, asnjë pjese tjetër të botës. Veçanërisht fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, që e kanë mbajtur nën kontroll Gjermaninë edhe me trupa ushtarake deri 60 vjet pas Luftës së Dytë Botërore u kujdesën që kjo të shkruhej në ADN-në e brezave të rinj të Gjermanisë. Modelet kulturore të përcjelljes së traditës në këto 60 vjet jo vetëm që e kanë mbështetur idenë e një Gjermanie paqësore, por kanë bërë që për gjermanët pranimi i përgjegjësisë historike të jetë i vetëkuptueshëm. Dhe mohimi i saj – tabu. Qëndrimet e tipit „pse duhet të paguaj unë sot atë që ka bërë gjyshi im gati 70 vjet më parë“, me të cilat mund të reagojë ndonjë i ri gjerman kur duan ta tregojnë me gisht, sidomos jashtë Gjermanisë, për të kaluarën naziste të Gjermanisë, janë qëndrime të veçuara. Shoqëria gjermane e sheh veten të lidhur me përgjegjësinë historike për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

"Europa sot" 22.03.12. Në foto: Auron Dodi
"Europa sot" 22.03.12. Në foto: Auron Dodi

Edhe në vende të tjera e kanë ndërtuar klasat politike misionin e tyre mbi bazën e kundërshtimit të së kaluarës. Në vendet postkomuniste, si në Shqipëri për shembull, ndeshim të njëjtin qendrim: klasa e re politike e gjen legjitimitetin e saj pikërisht në kujtesën historike, në kundërshtimin e krimeve të diktaturës komuniste dhe në pohimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ka shoqëri të tëra që madje e identifikojnë veten si "kultura" të kujtesës.Të tillë janë për shembull hebrenjtë, polakët. Mision historik, bazë ekzistence shoqëritë në këto vende kanë shpallur pamundësimin e përsëritjes së historisë. Dihen përpjekjet shekullore për t'i zhdukur hebrenjtë si popull ose për të aneksuar territoret e polakëve.

Imagjinata zgjedh të kaluarën? 

L.Arapi: Lufta e Dytë Botërore ka ndodhur gati 70 vjet më parë. A është më i lehtë apo më i vështirë sot përpunimi i ngjarjeve të asaj kohe?

A. Dodi: Përpunimi i së kaluarës po vështirësohet në të gjitha vendet perëndimore për shkak të një problemi demografik: po vdesin brezat që i kanë përjetuar drejtpërdrejt krimet e Luftës së Dytë Botërore, mbi kundërshtimin e të cilave është ngritur rendi i lirisë dhe i paqes që kemi sot. Edhe Gjermania ndodhet tani para problemit se po vdesin dëshmitarët okularë të dhunës hitleriane. Në mënyrë interesante megjithatë kjo ka bërë që jo të bjerë interesi për kohën e Luftës së Dytë Botërore, por që ky interes të shtohet. Meqë fakteve historike nuk do t'u vihen më përballë kujtime të gjalla, po shfrytëzohen mundësitë gati të pafundme të epokës së medieve që jetojmë. Videofilma, dokumentarë, instalime multimediale, aktivitete në shkolla, në bashki e komuna kritikojnë ose mbështesin veprimet e ngjarjet historike. Një qëndrim analitik dhe kritik ndaj Luftës së Dytë Botërore premton mundësi të pashtershme trajtimi të kësaj epoke.

Individualizimi i shoqërisë së sotme gjermane nga ana tjetër, pluralizmi i modeleve si jetojnë individët, bën që të vërehet një pluralizëm edhe në kulturën e kujtesës. Nga njëra anë sipas parimit: unë e krijoj identitetin tim mbi mënyrën time të kujtesës. E kaluar, për mua, mund të jetë ajo realja, por edhe thjesht ajo që imagjinoj unë. Nga ana tjetër, ka një tendencë të kahershme tek disa sociologë dhe historianë që epokat e historisë të shihen si epoka të mbyllura në vetvete, që nuk mund t'u transmetojnë brezave, dije e përvoja të fituara në kohë të largëta. Sipas tyre brezat edukohen vetëm nga koha që ata jetojnë vetë, nga zhvillimi kulturor që ata gjejnë në kohën që jetojnë, dhe jo nga epokat më të largëta historike. Kemi të bëjmë këtu me parjen e epokave historike jo si varg gurësh kilometrazhi në ecjen e pandërprerë drejt përparimit, por si histori të ndërprerë. Kjo luftë metodash dhe qëndrimesh sociologjike e historike ndaj mënyrës se si duhet parë historia, përcillet gjithsesi nga njerëz me arsim të lartë, që janë pjesë të asaj që i referohen si „kulturë e lartë“ e jo të „kulturës popullore“. Pra flasim për një fenomen jo masiv në Gjermani.

Bisedën dhe filmin për temat e trajtuara mund t'i ndiqni në ballinën e website-t tonë, në numrin 18 të emisionit televiziv të Deutsche Welles "Evropa Sot" (22.03.2012)