090911 Japan Katastrophe Gedenken
10 Shtator 2011Më shumë se 15.000 viktima dhe 4.000 të humbur, që nuk gjenden kurrë - tërmeti i rëndë i 11 marsit dhe para së gjitha cunami shkatërrimtar me valë deri në 30 metër e kanë ndryshuar Japoninë. Megjithëse këtu toka tronditet thuajse çdo ditë dhe vazhdimisht zhvillohen ushtrime përgatitore, për katastrofën nuk kanë qenë të përgatitur sa duhet. Kjo vlen të thuhet në rradhë të parë për masat e sigurisë në centralin e dëmtuar atomik Fukushima 1.
"Japonia dhe e gjithë bota shpresojnë që situata do të vendoset nën kontroll. Të gjithë njerëzit këtu janë çelësi për të përballuar krizën. Unë ju lutem të vazhdoni të jepni gjithçka për këtë", tha kryeminsitri i Japonisë, Yoshihiko Noda, kur vizitoi impiantin e shkatërruar atomik. I veshur me një kostum mbrojtës ai falendëroi në rradhë të parë punonjësit e forcave të vetëmbrojtjes, gatishmëria e të cilëve vlerësohet lart nga popullsia. Kjo vlen të thuhet si për operacionet me helikopterë për ftohjen urgjente në fillim të krizës, po ashtu edhe për punën në rajonin e shkatërruar bregdetar në verilindje të Japonisë.
Njerëzit nuk mund t'i harrojnë përjetimet e tmerrshme
Por një gjysëm viti më vonë tensioni së paku ka rënë. Njëra nga mësueset në shkollën provizore në Rikuzentakata tregon: "Fëmijët nuk kanë thënë asgjë, por unë e kam ndjerë qartë, që ishin të shqetësuar pas evakuimit. Por me ngadalë gjendja qetësohet dhe normaliteti mund të kthehet."
Fëmijët, që vijnë këtu, duhet të udhëtojnë me autobuz përmes pjesëve të shkatërruara të qytetit. Por në mësim detin nuk e vizatojnë më si diçka kërcënuese.
"Dikur kam shkuar me qejf të zë peshk dhe kam shumë peshq. Dua që ta bëj përsëri" - tregon njëri prej tyre.
Në prefekturën Fukushima 88.000 vetë u desh të largoheshin nga vendlindja për shkak të ngarkesës radioaktive. Edhe në qoftë se kthehen, ata nuk do të kthehen shpejt. Punimet për mënjanimin e rrezatimit të lartë vazhdojnë shumë ngadalë dhe janë të mundimshme.
Por ka edhe shpresë: Një sukses duket se e sjell për shembull mbjellja e lulediellit, thotë ky shkencëtar: "Ne kemi ndërkohë të dhëna, se atje, ku kemi mbjellur luledielli, radioaktiviteti ka rënë me 30 deri 50 përqind."
Por kjo nuk mjafton akoma dhe nuk ndihmon në pastrimin e shtëpive dhe rrugëve. Në një vizitë në Fukushima kryeministri i ri i Japonisë theksoi edhe një herë: "Pa rigjallërimin e prefekturës së Fukushimës nuk do të ketë Japoni të rigjallëruar. Prandaj kam ardhur këtu, për të ndarë këtë ndjenjë me ju. Pasi e kam parë situatën me sytë e mi, e di, se çfarë përgjegjësie të rëndë mbajmë."
Autor: Peter Kujath/Angjelina Verbica
Redaktoi: E. Xhani