1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290410 Zwangsarbeiter Stiftung

15 Korrik 2010

Dhjetë vjet pas themelimit, Fondacioni "Kujtesë, Përgjegjësi, E ardhme", që është marrë me dëmshpërblimin e punëtorëve që kanë kryer punë me detyrim në kohën e nacionalsocializmit, ka bërë një bilanc pozitiv të punës.

https://p.dw.com/p/OJYD
Shenja e punëtorëve polakë me punë të detyruar
Shenja e punëtorëve polakë me punë të detyruarFotografi: Berlin, Stiftung Deutsches Historisches Museum

Dhënia e dëmshpërblimeve mori fund në vitin 2007. Sipas fondacionit, viktimave të nacionalsocializimit i janë dhënë 4,4 miliardë euro. Pas përfundimit të detyrës themelore të tij, fondacioni po përqëndrohet tashmë në projekte në Evropën Lindore dhe në Izrael. Në vjeshtën e këtij viti, në muzeun hebre në Berlin do të hapet një ekspozitë.

Arbeitskarte Anna P Linz 1943
Karta e punës së Ana P, Linz 1943Fotografi: Stiftung Erinnerung Verantwortung und Zukunft

Kur para tre vitesh u dhanë edhe pagesat për dëmshpërblimet e fundit për punëtorët me detyrim, u shtrua pyetja, se çfarë do të bëhet në të ardhmen me fondacionin, tregon anëtari i kryesisë së fondacionit, Günter Saathoff. Që puna jonë nuk kishte marrë fund, për këtë nuk patë asnjëherë dyshime që mund të merreshin në konsideratë. Që kjo nuk ishte vetëm një temë gjermane gjithashtu, tregon ai. "Për shkak të 13 milionë ish- punëtorëve të detyruar që u deportuan në Gjermani duhet thënë: Puna e detyruar ka qenë një fenomen evropian dhe e meriton për këtë arsye që të ankorohet në kulturën evropiane të kujtesës si element thelbësor i një historie padrejtësie."

Tema evropiane

Nga fondet e fondacionit që kapin shifrën e 400 milionë eurove mbështeten projekte të shumta. Kështu vetëm në programin "Evropianët për paqen" kanë marrë pjesë më shumë se 100.000 të rinj nga 28 vende nga e gjithë Evropa. Gjithashtu iu ndihmohet viktimave të ekstremizmit të djathtë apo të antisemitizmit. Gjithsej janë derdhur rreth 56 milionë euro në mbi 2000 projekte. Për fondacionin është një nga pikat e rëndësishme të punës, të mbështesë ish- punëtorët me detyrim të kohës së nacionalsocializmit apo të afërmit e tyre.

Günter Saathoff
Günter SaathoffFotografi: Stiftung EVZ

Mundësi për t'u shprehur

Për këtë është ngritur programi "Pikëtakimi për dialog" në të cilin trajtohet tema që për vite ishte një tabu, ajo e punës së detyruar. Në këtë mënyrë arrihet vlerësimi, megjithëse i vonuar i këtyre personave, njihet roli i tyre si viktima, thotë Günter Saathoff: "Në kohën e stalinizmit punëtorët e kthyer nga kampet e internimit duhej të mbanin në shoqëri damkën e tradhtarit të atdheut duke jetuar për vite të tëra me dinjitet të shkelur. Me forumin "Pikëtakimi për dialog" ne përpiqemi që t'u ofrojmë këtyre njerëzve aty ku janë një mundësi për t'u shprehur. Ne duam gjithashtu të inkurajojmë shoqëritë që të kthejnë kokën nga këta njerëz. Për këtë arsye në qendër të punës është vendosur dialogu me gjeneratat dhe angazhimi në terren."

Dhjetë vjet Fondacion për punëtorët e punës së detyruar nga nazizmi
Dhjetë vjet Fondacion për punëtorët e punës së detyruar nga nazizmiFotografi: Rosalia Romaniec

Si të përballesh me punëtorët e detyruar

Në fund të shtatorit në muzeun hebre në Berlin në prezencë të presidentit Christian Wulff, do të hapet një ekspozitë e madhe për prezantimin e punëtorëve me detyrim. I përfshirë në përgatitjet e saj është edhe drejtori i memorialit të kampit të përqëndrimit Mittelbau Dora, Jens-Christian Wagner: "Ne tregojmë, kur dhe si gjermanët duhet të vendosnin se si të përballeshin me punëtorët e detyruar. Me shembullin e punës së detyruar, tregohet edhe historia e nacionalsocializmit, një rend shoqëror baza fikse ideologjike e të cilit ishte racizmi radikal."

Ekspozita nuk është pjesë direkte e punës së fondacionit, thekson Wagner. Historia e punës së detyruar në kohën e nacionalsocializmit vetëkuptueshëm zbardhet në mënyrë kritike, po ashtu edhe forma e dëmshpërblimit. Por jo të gjithë viktimat kanë marrë të drejtën e tyre:"Mendoni për ushtarakët italianë të internuar apo kujtoni të burgosurit sovjetikë të luftës, të cilët sipas rregullave të fondacionit nuk mund të merrnin dëmshpërblim, as ndihma humanitare, por që nga pikëpamja e historianit duhet të trajtoheshin si punëtorë me detyrim."

Megjithatë Wagner pranon se një dëmshpërblim absolutisht i drejtë është i pamundur. Prandaj ai duke bërë bilancin flet për një "drejtësi të dëmtuar."

Autor: Marcel Fürstenau/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama