Kujtesa dhe edukimi garanci për një të ardhme më të mirë
3 Gusht 2024"Të mos harrojmë të kaluarën, që ajo të mos përsëritet në të ardhmen. Ajo që ndodhi në Aushvic, është një mësim se demokracia dhe paqja nuk duhet të merren si të mirëqena", tha gjatë ceremonisë zyrtare të përkujtimit kryetarja e Senatit të Republikës së Polonisë, Małgorzata Kidawa-Błońska.
Duke bërë një analogji me të tashmen, kur Europa po përballet sërish me luftë dhe frikës se agresioni mund të shtrihet përtej Ukrainës Małgorzata Kidawa-Błońska tha: "Sot ne e dimë që asgjë nuk është falas, as paqja dhe as demokracia, ky është një fakt që duhet të na bëjë të veprojmë”.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha përmes një video-mesazhi, se sot bota më shumë se kurrë duhet të bëhet bashkë kundër fanatizmit, kudo dhe kurdo që përhapet.
"Realiteti i trishtë është se sot ende komuniteti rom përballet me diskriminim në të gjitha drejtimet e jetës dhe në të gjithë botën. Ekstremistët dhe grupet ksenofobe mbajnë fjalime me gjuhë urrejtjeje. Duhet të qëndrojmë bashkë të ndalojmë fanatizmin kudo dhe kurdo që përhapet, të mbrojmë dhe të promovojmë të drejtat e komunitetit rom dhe të ndërtojmë një botë ku të gjithë jetojnë me dinjitet në paqe dhe liri”, deklaroi Guterres.
Kujtesa dhe edukimi kanë rëndësi thelbësore
"Që të ketë lumturi në të ardhmen duhet të kalojmë përmes kujtimeve, kjo është eksperienca dhe njohuria që na çon në humanitet dhe që na sjell një të kaluar të re”, u shpreh Theodoros Rousopoulos, President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Një nga të mbijetuarit e Holokaustit, Boleslaw Rumanowski, tha se kujtesa dhe edukimi janë e vetmja rrugë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. "Ne nuk duam ndojë trajtim special. Ka ende shumë për të bërë për romët që të trajtohen si qytetarë të barabartë, ne nuk jemi vetëm romë, por edhe qytetarë të vendeve të ndryshme të Europës. E vetmja rrugë kundër anticiganizmit është edukimi. Ju duhet të mësoni dhe të studioni që të jeni shembull në vendet që jetoni. Luftoni për të drejtat tuaja që të mos përjetoni të kaluarën”, tha ai.
Gjatë Luftës se Dytë Botërore u shfarosën në mënyrë sistematike 500,000 sinti dhe romë. Në kampin e përqëndrimin Aushvic-Birkenau u dërguan 23.000 pjesëtarë të komunitetit rom dhe sinti, nga të cilët 20.000 humbën jetën.
Më 2 gusht 1944 në dhomat e gazit të kampit të përqëndrimit Aushvic-Birkenau u vranë rreth 6.500 pjesëtarë të komunitetit rom dhe sinti. Në vitin 2015 Parlamenti Evropian e shpalli 2 gushtin si Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit kundër sinti dhe romëve, që kjo periudhë e errët të mos harrohet dhe të mos përsëritet.
Përkujtim me luledielli
Në 80-vjetorin e holokaustit kundër sinti dhe romëve 400 të rinj, kryesisht nga komuniteti sinti dhe rom, të ardhur nga e gjithë bota vizituan kampin e përqëndrimin Aushvic-Birkenau për të prekur nga afër një nga pjesët më të errëta të historisë njerëzore. Duke shkruar drejt krematoriumit numër 5, në Birkenau, vendi ku u shfarosën trupat e të burgosurve të këtij komuniteti, ata mbanin në duar lule, mes të cilave edhe luledielli.
Lulet e diellit ishin një nga motivet e shkrimtares dhe piktores së njohur rome Ceija Stojka, që i kishte mbijetuar Holokaustit, vepra e së cilës simbolizon shpresën, qëndrueshmërinë dhe shpirtin e palëkundur të popullit rom.
Në aktivitete ishin të pranishëm anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar të të Rinjve Romë (TernYpe), Roma Active Albania (RAA); Rrjetit të Fondacionit Rom për Evropën, Romët për Demokraci Ndërkombëtare (RFD), Instituti Evropian i Romëve për Art dhe Kulturë (ERIAC), Nisma për Zhvillimin e Sipërmarrjes Rome (REDI), Fondi i Edukimit Rom (REF),