1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku shkojnë maçokët e bardhë?

25 Shkurt 2017

Procesi i fshirjes së dallimeve ideologjike mes partive në Maqedoni tanimë është reduktuar në nivel të inicialeve të trashëguara, mendon Arsim Zekolli.

https://p.dw.com/p/2YD4o
Mazedonien Arsim Zekolli
Fotografi: DW/K. Blazevska

Interesimi i zjarrtë me të cilin e prisja sesionin e këtij viti të Konferencës së Mynihut për Siguri, u shua në masë të madhe për shkak të titullit të raportit të konferencës, të shndërruar në "post-vërtetësi, post perëndim, post –urdhër”. Besoj se do ta kuptoni arsyen pse asocimi im i parë ishte që Rafiz Aliti me siguri është tronditur, pas të gjitha ngacmimeve të lemzës të cilat e kanë goditur për dy ditë me radhë, krah për krah me titullin në masë të barabartë të mprehtë të revistës "Der Spiegel” për "Konferencën e Sigurisë për Pasiguri”.

Sado që konferenca pjesërisht e ka humbur rëndësinë, e cila e zbukuronte gjatë post-bllok Evropës, dhe lidhjeve të fuqishme transatlantike, do të ishte e tepërt nëse e njëjta vlerësohet si manifestim i postrelevancës së saj. Sidoqoftë, vetë titulli me pretendimet e cekëta dhe dramën e theksuar është ilustrim i mjaftueshëm për hutinë momentale të mendimit politik dhe "siestës” vizionare të perëndimit të zënë dhe të fiksuar me alarmime fataliste, sikur të dala nga skenarët  porno-kataklizmikë të regjisorit Roland Emmerich.

Lehtësia e përfundimit dëshpërues

Nota e depresionit maniak e "post-momentit” ndoshta është efekt anësor atraktiv i garës mediatike në konceptualizimin e paralajmërimeve panike për fundin e botës, por as përafërsisht i përshtatshëm në konsiderimin e realiteteve afatgjata të balancimit të fuqive dhe trendeve globale në zhvillim. Shkurtimisht, as e vërteta është kohë e kaluar, as perëndimi fundoset në hijen e lindjes, as urdhri jep frymë para rrëmujës së paevitueshme dhe anarkisë, e cila kinse na troket në derë. Përkundrazi, në hijen e toneve të tilla të errëta, perëndimi ende nuk arrin të njohë se të gjitha post-momentet e numëruara janë efekte anësore të suksesit personal global në vendosjen e standardeve racionale të shkencës si fakt, sistemit perëndimor si model dhe sundimit të së drejtës si zanafillë universale të çdo urdhri. Në rastin më të keq, post-momenti mund të konsiderohet si mallkim i suksesit të perëndimit, si prind, fëmijët e të cilit nëpër procesin e pjekurisë dhe të rebelimit e ndërtojnë karakterin e tyre të pavarësisë dhe falënderimit konsekuent.

Lehtësia e përfundimit dëshpërues se çdo gjë është "post” dhe që më e mira veç më është e kaluar, janë modë e trendit të momentit, duke u nisur prej proklamimeve të përshpejtësuara fukujamiste akademike për fundin e historisë, deri te replikat e mërzitshme pop-kulturë të Toni Sopranos se "ditë e më shpesh ndjej se jam kyçur në fund, se më e mira është pas nesh”. Por, në mënyrë paradoksale, ndoshta burimi i ndjenjave të këtilla dramatike  nuk qëndron në vizionet për shkatërrimet dhe thyerjet e ardhshme tragjike, por përkundrazi, në mungesën e tyre. Për më saktë, në periudhën më të gjatë historike të paqes dhe të zhvillimit global si standard i ri në të cilin njerëzimi do të duhet të adaptohet dhe ta ndërpresë fiksimin periodik të trashëguar me logjikën Maltusiane për konfliktin dhe luftën si nevojë ciklike për pastrimin e njerëzimit. Në këtë drejtim, depresioni i post-momentit është refleks i vizioneve dominuese dhe të trashëguara dhe të parashikueshme pro-kataklizmike për luftërat, për dallim ballafaqimet inerte, oportuniste dhe të brengosura për botën e re të virtytshme të utilitarizmit si realitet i ri global i botës së liruar nga ndarjet ideologjike. Ose, siç  e përfundon Huntington idenë e Fukujamës për fundin e historisë dhe "ardhmërinë e re, e cila nuk do t'u përkushtohet ideve të mëdha interesante, por zgjidhjeve të problemeve teknike dhe mondane”. Botë e cila do të jetë në masë të madhe e mërzitshme”.

Pasojat e utilitarizmit të ri

Ndoshta. E ndoshta jo! Njohja optimiste e ardhmërisë do të ishte asgjë më pak se një romancë euforike nëse nuk konsiderohen edhe pasojat e utilitarizmit të ri si mbindërtim logjik i iliberalizmit. Për arsye se, nëse praktika e varësisë reciproke si ngjitës normativ, i cili i mban shtetet në paqe përmes frikës dhe respektit reciprok arrin të sigurojë paqe afatgjatë globale ose rajonale, kjo me siguri që nuk vlen për vetë shoqëritë, të cilat akoma mbijetojnë në gjendje të konfliktit të brendshëm, të përcaktuar nga pabarazia ekonomike në rritje. Kështu që, për dallim nga pasuria e instrumenteve ndërshtetërore për bashkëpunim dhe zgjidhje të konflikteve, rritja e autoritarizmit, liberalizmit dhe erozionit gjithëpërfshirës të demokracisë përfaqësuese –zgjedhore, në mënyrë plotësuese i dobëson mjetet përmes të cilave shoqëritë i zgjidhin konfliktet e brendshme dhe sigurojnë ndikim mbi pushtetin. Ndoshta utilitarizmi ka efekt shërues mbi gjeo-politikën e të sotmes, mirëpo shtrohet pyetja nëse suksesi i njëjtë do të pasojë edhe mbi demo-politikën e së ardhmes.

Çfarë ndodh me maçokun e bardhë më pak të suksesshëm?

Aq më tepër që kultura konsumuese bashkëkohore e suksesit me çdo kusht, shndërrohet si reflektim shoqëror i autoritarizmit shtetëror. Për më tepër, nuk befason fakti që slogani i sotëm i preferuar i utilitarizmit vjen pikërisht nga Kina dhe thënia e preferuar e Mao-s se "nuk është me rëndësi nëse maçoku është i bardhë ose i zi, por nëse i kap minjtë”. Slogan i plotësuar me paralajmërimin e Maos se "utilitarizmi i tejkalon të gjitha dallimet ideologjike, por suksesi i tij është i mundshëm vetëm në shoqëritë në të cilat klasat dhe privilegjet klasore janë të eliminuara”. E thënë në kontekstin e të sotmes,  vija çdo ditë e më e hollë dhe e njollosur e distinkcionit mes ideologjive dhe ndërlidhjen e tyre të ndërsjellë deri në mosnjohje, është edhe vijë dramatike e ndarjes sipas pabarazisë (dhe pas kësaj edhe e gjithë shoqërisë). Në një joshje festimi totemësh të (supozuar) maçokut të bardhë të sukeseshëm në kapjen e minjve, parashtrohet pyetja – çfarë ndodh me maçokun e bardhë më pak të suksesshëm? I përjashtuar në skajet e shoqërisë dhe në këtë mënyrë edhe detyrimisht i vendosur në epiqendrën e çdo popullizmi të ardhshëm fillestar dhe përqafimi të solidarizuar të të pasukseshmëve të pamjaftueshëm, të paadaptuarve, të rrënqethurve.

Në një mënyrë dhe jo nga arsye për të cilat do të duhej të ndjehemi krenarë dhe të veçantë, Maqedonia është një mikrokosmos i llojit të vetë, i të gjithë këtyre faktorëve, intensiteti i të cilit është i forcuar në mënyrë plotësuese për shkak të ngushticës kohore dhe hapësinore në të cilat në mënyrë paralele zhvillohen procese të thella sociale, politike, ekonomike dhe të tjera, të cilat shkaktojnë drama vendore dhe kureshtje nga jashtë. Ndryshimet e pritura të cilat i dëshirojmë, do të mbeten vetëm dëshirë e paramenduar nëse me kohë nuk i njohim shanset të cilat na ofrohen, por gjithashtu edhe rreziqet të cilat na kanosen nëse ndryshimet e tilla mbeten vetëm ndryshime formale-administrative të udhëheqjes, pa ndërhyrje thelbësore dhe parandaluese në paperspektivën tonë endemike dhe simptomatike.

Epshe të quajtura qeveri

Kohezioni i tanishëm i sulmit opozitar kundër pushtetit përfiton nga çasti magjik në të cilin përputhen epshet e atyre që i gëzojnë të gjitha por, të motivuar nga grykësia, dëshirojnë të përfitojnë edhe më shumë, të përcjellë nga shtresa e mesme e cila vrapon përpara nga frika e fundosjes në proletariat. Dhe në fund, vet proletariati i cili këto përmbysje shoqërore i konsideron si mundësi, shanse unike për të ngritur veten në eshalonet e shtresës së mesme.

Por ky garim drejt pushtimit të objektit të errët të epsheve të quajtura qeveri, fillon të zbehet po ne çastin kur kjo rrjedhje natyrore, normale dhe e pandalshme qarkore e fotosintezës shoqërore fillon të ngadalësohet, stagnon dhe në fund frenohet në emër te ruajtjes së status-quosë, duke krijuar kështu cikle të reja pakënaqësish dhe agresionesh. Kështu qëndron pezull pyetja nëse vallë energjia e tanishme e emocionit mobilizues antiregjimor është më shumë prodhim i mllefit të arsyeshëm por me efekt kalimtar të motivuar nga kundërshtimi i qeverisë, apo rezultat i pjekjes përmbajtësore të qytetareve të vendosur të hapin kaptina të reja.

Ngarkesa emocionale e momentit të tanishëm politik gjithsesi favorizon mendimin se tanimë gjendemi në një proces pjekjeje. Megjithatë, reflektimi më i kujdesshëm mbi energjitë në suaza të opozitës së vëllazëruar patjetër imponon interpretime më koshiente dhe anticipim më të vëmendshëm të ngjarjeve që do të mund të vijojnë në një të ardhme të afërt. Nuk ka nevojë për tepër kohë dhe mund për të arritur tek përfundimi se procesi i fshirjes së dallimeve ideologjike mes partive tanimë është reduktuar në nivel të inicialeve të trashëguara, por në realitet të kundërshtuarat kampe ideologjike në të djathtë dhe të majtë tani më janë tërësisht të ngjyrosura me kolorite utilitare. Me demonstrime incidentale të diferencave te reduktuara në folklor-simbolizëm djathtist dhe trëndafile të socializmit majtist.

Proces manipulimesh identitare

Në rrafshin etnik, vijat e ndarjes mbeten si distinktiv mes dy komuniteteve dominante, por përbrenda vetë kampeve zhvillohet po i njëjti proces utilitar i manipulimeve identitare. Është ky një realitet që gjithsesi kontribuon pozitivisht drejt ndërtimit të një fronti të bashkuar të revoltës dhe refuzimit të regjimit të tanishëm autokrat, por nuk arrin dot të shmangë dilemen për atë se ç'do të ndodhë kur dëshirat e tanishme nuk arrijnë të plotësohen? Vallë, do të arrihet që ky kohezion i tanishëm të shkrihet dhe mbindërtohet në së paku ndonjë stabilitet politik afatgjatë, nëse veç nuk arrin të krijojë ndonjë realitet të ri dhe të qëndrueshëm? Acarimi populist kundër krimit, korrupsionit dhe qeverisjes së dobët, që tani simbolizohet nga parti të caktuara politike (VMRO-DPMNE dhe BDI) dhe pa vetreflektime për pasojat e mendjelehtësive të veta dhe "besimit në premtime pa kusur”, që tani duhet konsideruar si paralajmërime alarmante se rruga drejt ndryshimeve aq shumë të dëshiruara lehtë mund të përfundojë në qarkore. Fragjilitetet tona identitare dhe njomësia sociale na bëjnë të hapur për hove euforike dhe rënie të shpejta dhe të dhimbshme. Pikërisht për shkak të botëkuptimeve tona utilitariste dhe përkahjes sonë lidershipeve opozitare të cilat na kthejnë me abuzime njëhoveshe të mllefit qytetar. Nëse marrim parasysh pozicionimet e partive politike, rrjedhat shoqërore dhe eksperiencat 20-vjeçare, shtrohet dilema reale dhe paralajmëruese nëse vërtetë kemi arritur të mësojmë leksionet të tilla.