1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reforma tek Yahoo

9 Shkurt 2012

Pionieri i internetit ka parë kohë më të mira. Ai po parakalohet majtas e djathtas nga Google dhe Facebook, të ardhura të rëndësishme nga reklamat janë në rënie. Ekspertët shohin vend për përmirësime.

https://p.dw.com/p/1407R
Fotografi: dapd

Gazetat dhe mediet online janë plot me njoftime për Google dhe Facebook, por shumë rrallë informohet në Gjermani për pionierin e internetit Yahoo. Edhe kur flitet për Yahoo-në informacionet janë shpesh të pakëndshme: rënie në vlerën e aksioneve në bursë, luftë për pushtet në kryesinë e koncernit, tatëpjetë. Por eksperti i internetit Thomas Knüwer nuk është plotësisht dakord me imazhin negativ të kompanisë, të paktën sa i takon financave. "Punët nuk i kanë mirë, por jo edhe aq keq sa shkruhet për ta në Gjermani", shprehet në bisedë me Deutsche Welle-n themeluesi i kompanisë konsulente "punktnull". 

Yahoo vetë sigurisht përpiqet të tërheqë vëmendjen ndaj zhvillimeve pozitive. Heiko Genzlinger, drejtues i Yahoo-së në Gjermani nuk lodhet së përsërituri se sa mirë i ka punët koncerni: "Unë nuk e di se sa kompani njihni ju, që çdo tremujor realizojnë një fitim prej 200 milionë dollarësh ose më shumë". Sidomos në sektorin e medieve kjo është një shifër domethënëse, thotë Genzlinger për DW.DE.

Në foto, Heiko Genzlinger
Në foto, Heiko GenzlingerFotografi: Yahoo

Klientët e reklamave i drejtohen më shumë Facebook dhe Google

Megjithatë ka pasur kohëra kur koncerni i përfaqësuar në më shumë se 40 vende ka qenë shumë më i suksesshëm. Në vitin 2008 Microsoft pati ofruar 47 miliardë dollarë amerikanë për blerjen e Yahoo-së, por oferta nuk u pranua asokohe. Aktualisht sipërmarrja e kuotuar në bursë nuk vlen më as 20 miliardë dollarë, dhe xhiroja dhe fitimet globale kanë qenë në rënie kohët e fundit.

Probleme i shkaktojnë Yahoo-së edhe sukseset e Google dhe Facebook. Dy gjigantët e sektorit të internetit po i hyjnë gjithnjë e më shumë në pjesë pionerit Yahoo në të ardhurat nga reklama. Kush ka më shumë përdorues mund të tërheqë edhe më shumë klientë nga reklamat dhe Yahoo me rreth 700 milionë përdoruesit e tij në të gjithë botën është shumë prapa konkurrencës. Ylli i ri në industrinë e reklamës është Facebook: sipërmarrja mbledh pa u lodhur të dhëna personale nga përdoruesit, një tmerr për mbrojtësit e të dhënave dhe një ëndërr për këdo që merret me reklamë. Yahoo nuk ka mundësi ta ofrojë këtë fluks të pandërprerë të dhënash. 

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dapd

Interneti nuk është rrugë me një kalim

Konsulenti dhe eksperti i internetit Thomas Knüwer konstaton një numër vendimesh të gabuara që Yahoo i ka marrë në të kaluarën. Në fillim të mijëçarit koncerni mori vendimin të bëhej një kompani zbavitjeje: "Ky ishte sigurisht një gabim i madh strategjik. Atëherë kryesia e koncernit besonte se interneti do të bëhej një medium pasiv si televizioni apo kinemaja. Koncerni u orientua në këtë drejtim." Por interneti u zhvillua gjithnjë e më shumë në një rrjet interaktiv. Kthimi prapa i këtij vendimi është ende sfida e madhe e Yahoo-së.

Edhe në tregun e telefonisë mobile sipërmarrja ka bërë shumë pak dhe është fare pak e pranishme: "Këto janë të gjitha tregje që tashmë janë zënë", mendon Knüwer. Specialisti nuk sheh asnjë strategji që mund ta ndihmonte Yahoo-në në arritjen e suksesit afatgjatë. Nuk duhen aksione dramatike por diçka duhet të ndryshojë, mendon Knüwer.

Në foto, Thomas Knüwer
Në foto, Thomas KnüwerFotografi: picture-alliance/Sven Simon

Modeli mund të jetë tregu vendas i Yahoo-së, në SHBA. Edhe atje xhiroja është në rënie por Yahoo shënon pikë me sport dhe oferta lajmesh, pra si koncern klasik mediesh. Edhe në Gjermani sipërmarrja synon të fitojë terren në këto fusha.

Autorë: Klaus Jansen / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti