140510 Griechenland Türkei
15 Maj 2010Në të vërtetë programi politik zgjati vetëm pak orë. Megjithatë si kryeministri grek Jorgos Papandreu ashtu edhe homologu i tij turk Rexhep Taip Erdogan e cilësuan takimin në Athinë "historik". Gjatë bisedimeve të cilat u cilësuan "intensive", u nënshkruan më shumë se 20 marrëveshje të përbashkëta në fushat e turizmit, tregtisë, arsimit dhe mbrojtjes së ambjentit, si dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Kryeministri turk Erdogan, i cili kishte ardhur me dhjetë ministra dhe 80 përfaqësues nga ekonomia, u shpreh: "Kjo vizitë do të hyjë në histori. Me marrëveshjet e nënshkruara sot (14.5.) kemi ndërmarrë një hap drejt një të ardhmeje të re. Dita e sotme është një moment kthese në historinë 100-vjeçare të të dy vendeve."
Marrëdhëniet reciproke në të ardhmen do të institucionalizohen. Për këtë u themelua dhe një i ashtuquajtur "Këshill i Bashkëpunimit Turko-Grek", i cili do të mblidhet rregullisht në të ardhmen. Veç kësaj kryeministrat e dy vendeve do të takohen një herë në vit dhe ministrat e tyre të jashtëm dy herë në vit.
Temë e rëndësishme për të ardhmen do të jetë reduktimi i shpenzimeve për armatimet. Të dy vendet, edhe për shkak të armiqësisë së tyre të vjetër, kanë në mbarë Evropën përqindjen më të lartë të shpenzimeve për mbrojtjen. Megjithëse marrëdhëniet në plan politik janë përmirësuar vitet e fundit, ushtarakët e dy vendeve anëtare të NATO-s vazhdojnë të jenë skepktikë ndaj njëri-tjetrit, pasi prej vitesh ata grinden për të drejtat e sovranitetit në Egje. Një qëndrim ky sa i pakuptimtë aq edhe i vjetëruar, thotë studiuesi i shkencave politike nga Stambolli, Cengiz Aktar:
"Greqia këtë vit planifikon të shpenzojë për armatime dhe rroga të personelit ushtarak rreth gjashtë miliardë euro. Reduktimi nga të dy vendet i shpenzimeve për ushtrinë do të ishte në këtë kohë për Greqinë një balsam mbi plagë. Kjo nuk do të ishte e mirë vetëm për Greqinë, por edhe për Turqinë, e cila që prej vitit 1975 mban të ashtuquajturën "ushtri të Egjeut". Ajo u ngrit atëherë për shkak të kërcënimit grek, por sot askush nuk e kupton më se përse duhet të ekzistojë.“
Përfitues i mosbesimit të vjetër mes Ankarasë dhe Athinës është ndër të tjerë Gjermania, furnizuesi kryesor i armatimeve si për Greqinë ashtu edhe për Turqinë. Të shtunën (15.5.) Erdogan gjatë qendrimit në vendin fqinj do të vizitojë edhe pakicën turke.
Autor: Ulrich Pick / Eliana Xhani
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi