1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa e Seehoferit: "Myslimanët janë pjesë e Gjermanisë"

29 Nëntor 2018

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer deklaroi se "myslimanët janë pjesë e Gjermanisë", gjatë ditës së parë të Konferencës së Islamit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/395qQ
Deutsche Islam-Konferenz 2018
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Deklaratën e mnistrit kristiansocial të Punëve të Brendëshme Horst Seehofer, se  "myslimanët janë pjesë e Gjermanisë" disa e konsideruan një kthesë 360 gradë, ndërsa disa të tjerë e panë në një këndvështrim më pak dramatik.
Horst Seehofer u shpreh gjatë së mërkurës (28.11)në Berlin se "myslimanët i përkasin Gjermanisë", teksa drejtoi Konferencën e katërt Islame Gjermane (DIK). Deklaratat e tij tërhoqën vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh deklaratat e së shkuarës të Seehofer, kur thoshte se "Islami nuk është pjesë e Gjermanisë".

Në deklaratat e fundit Seehofer tha se "myslimanët kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime si të gjithë qytetarët e këtij vendi". "Nuk mund të ketë dyshime rreth kësaj çështjeje", tha ai. Seehofer, i cili u la mënjanë si udhëheqës i Unionit Kristian Social (CSU) në Bavari, ngjalli debate gjatë muajit mars, kur deklaroi se "Islami nuk i përket Gjermanisë" dhe se "Gjermania është formësuar nga Krishtërimi".

Gjithësesi, edhe gjatë asaj interviste aq të lexuar të muajit mars dhënë për "Bild", Seehofer pati deklaruar se: "myslimanët që jetojnë këtu janë pjesë natyrale e Gjermanisë. Kjo, sigurisht që nuk nënkupton se ne do të heqim dorë nga traditat dhe zakonet e veçanta të vendit tonë kundrejt deklarimeve false". Këto komente nxitën kritika të ashpra ndaj Seehofer, dhe shumë menduan se deklaratat e fundit u bënë për të zbutur ato të mëparshmet.

Konferenca Islame Gjermane, e cila për herë të parë u mbajt në vitin 2006 nga ish-ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble, mbledh së bashku myslimanë gjermanë dhe zyrtarë të qeverive të landeve dhe të asaj federale. Qëllimi i kësaj Konference është të përmirësojë pjesëmarrjen fetare dhe shoqërore të myslimanëve në Gjermani dhe të zhvillojë më tej dialogun mes përfaqësuesve shtetërore dhe organizatave Islamike.

Këtë vit, Seehofer bëri disa ndryshime në këtë organizim, duke ftuar përveç organizatave Islamike, më shumë teologë dhe shkencëtarë liberalë. Disa prej të ftuarve të tij kanë qenë kritikë ndaj këtyre organizimeve, për shkak të qasjes së tyre konservatore ndaj Islamit. Gjatë viteve të fundit, Konferenca ka trajtuar çështje si edukimi fetar dhe kujdesi pastoral Islam. Fokusi i këtij viti do të përqendrohet tek ndikimi i jashtëm në xhamitë gjermane dhe komunitetet myslimane, por edhe tek roli i teologjisë Islame në universitetet gjermane. Diskutimet do të vijojnë deri të enjten (29.11).

Deutsche Islam-Konferenz 2018
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld