Baerbock - regjimi iranian në 'anën e gabuar të historisë'
10 Tetor 2022Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të angazhohet që Bashkimi Evropian të vendosë ndalime hyrjeje për ata që janë përgjegjës për shtypjen e protestave në Iran.
Baerbock i bëri komentet për gazetën Bild am Sonntag, duke shtuar se BE do të ngrijë gjithashtu asetet e tyre në të 27 vendet anëtare të BE-së.
Ministrja e Jashtme gjermane kritikoi autoritetet iraniane me fjalët "Kushdo që rreh gratë dhe vajzat në rrugë, rrëmben njerëz që kërkojnë vetëm të jetojnë të lirë...është në anën e gabuar të historisë."
Më herët Baerbocku u kishte bërë thirrje udhëheqësve iranianë që të dëgjonin kërkesat e protestuesve, të cilët kërkonin të drejtat themelore.
Autoritetet iraniane kanë vepruar me dhunë kundër protestuesave në javën e tyre të katërt. Grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se 185 vetë janë vrarë dhe qindra janë arrestuar.
Liderët iranianë në takim krize
Ndërkohë, liderët politikë të Iranit mbajtën një takim krize të dielën ndërsa janë shtuar protestat për vdekjen e Mahsa Aminit.
Mahsa Amini, një grua kurdo-iraniane 22-vjeçare, vdiq në paraburgim policor në shtator, pasi u arrestua nga "policia e moralit" e Iranit me dyshimin se kishte thyer kodin e rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë.
Vdekja e saj shkaktoi një valë të paprecedentë protestash në disa qytete të Iranit. Gratë kanë prerë flokët dhe djegur hixhabet e tyre në shenjë proteste kundër ligjit të hixhabit, i cili kërkon që gratë të mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjata dhe të gjera.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi, kryetari i parlamentit dhe kreu i gjyqësorit morën pjesë në takimin të dielën, bëri të ditur zyra presidenciale e Iranit.
Protestat vazhdojnë dhe lënë dy të vdekur
Takimi i krizës erdhi pasi të paktën dy protestues u vranë në një qytet me shumicë kurde në veri të Iranit të shtunën, sipas raporteve nga Rrjeti i të Drejtave të Njeriut të Kurdistanit me qendër në Francë dhe Organizata për të Drejtat e Njeriut Hengaw, e regjistruar në Norvegji.
"Forcat e sigurisë po qëllojnë mbi protestuesit në Sanandaj dhe Saqqez," tha Hengaw të shtunën, duke shtuar se policia e trazirave po përdorte gjithashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Javët e fundit, protesta kanë shpërthyer në disa qytete në të gjithë Iranin dhe protestuesit janë përplasur shpesh me forcat e sigurisë. Të paktën 185 persona, duke përfshirë disa fëmijë, janë vrarë gjatë trazirave, tha të dielën Human Rights Iran me qendër në Norvegji.
Hakerët marrin për pak kohë kontrollin e medias
Veç kësaj, transmetuesi publik i Iranit u morr peng nga piratët e internetit të shtunën mbrëma. Një maskë u shfaq fillimisht në ekran, e ndjekur nga një foto e Ayatollah Khamenei me flakë rreth tij.
"Gjaku i rinisë sonë është në duart tuaja”, lexohej në ekran. Grupi që pretendon se e shkroi, Edalat-e Ali (Drejtësia e Aliut), gjithashtu shtoi një mesazh në krye të ekranit: "Bashkohuni me ne dhe ngrihuni".
Ata shtuan një imazh të Aminit dhe tre personave të tjerë që ishin vrarë në trazirat gjatë javëve të fundit.
Pyetje për shkakun e vdekjes së Aminit
Raporti i mjekësisë ligjore shtetërore, i lëshuar në fillim të kësaj jave, thotë se vdekja e Amini nuk është shkaktuar nga një goditje në kokë dhe gjymtyrë. Në të nuk thuhet nëse ajo ka pësuar ndonjë lëndim.
Sipas medias shtetërore, raporti e lidhi vdekjen e Amini me probleme të mëparshme mjekësore.
Babai i Aminit tha se ajo kishte vende të mavijosura në këmbë dhe e konsideroi policinë përgjegjëse për vdekjen e saj.
rm/wd (Reuters, AFP, dpa)