1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroacia rrezikohet nga sanksione të BE-së

(afp,dpa, die Presse)/Eliana Xhani18 Shtator 2013

Kroacia nuk pranon të ndryshojë ligjin e ekstradimit në përputhje me legjislacionin e BE-së. Komisioni i BE-së kërcënon me sanksione financiare.

https://p.dw.com/p/19k1r
Fotografi: Dimitar Dilkoff/AFP/Getty Images

BE paralajmëroi të martën (17.9.) anëtaren e tij më të re Kroacinë për shkak të zvarritjeve në përmbushjen e detyrimeve të Unionit për ligjin e ekstradimit. "Është e qartë që do të ketë sanksione", tha komisionerja e BE-së për drejtësinë Viviane Reding të martën (17.9.). "Komisioni ka të drejtën të vendosë sanksione... Ne do të konsultohemi me vendet anëtare dhe pastaj do t'i aplikojmë ato", tha Reding.

Komisionerja tha se hyrja e Kroacisë në Shengen do të jetë e kërcënuar nëse Zagrebi nuk kthen mbrapsht ndryshimet kontroverse në ligjin e tij për ekstradimet, të bëra vetëm pak ditë para hyrjes në BE në 1 korrik.

Ndryshimet pengojnë ekstradimin e të dyshuarve për krime të kryera para vitit 2002, gjë që mund të mbulojë edhe krimet e luftës gjatë luftrave të Ballkanit 1991-1995.

Kroacia në kurs konfrontimi

Fillimisht Kroacia nuk përfilli një afat të vendosur nga Brukseli për ta bërë legjslacionin e saj konform ligjeve të BE-së dhe pas kësaj BE kërcënoi me sanksione. Në fund të gushtit u duk sikur Zagrebi po lëshonte pe kur premtoi se do të ndryshonte legjislacionin për të zgjidhur problemin por Reding tha se premtimi nuk është përmbushur ende. Ndërkohë kryeministri kroat Zoran Milanovic ka deklaruar se vendi i tij do të përmbushë obligimet që burojnë nga anëtarësia në BE, por nuk do të heqë dorë nga planet për hyrjen në fuqi të ligjit të amenduar vetëm në 15 korrik 2014.

Kroatien Premierminister Zoran Milanovic Archivbild
Zoran Milanovic -kryeministri i KroacisëFotografi: picture-alliance/dpa

"Ne nuk po bëjmë asgjë amorale apo të gabuar", tha kryeministri kroat duke shtuar se Kroacia "kërkon vetëm që të gjithë anëtarët e BE-së të trajtohen njësoj".

Më parë Kroacia ishte ankuar se Austria, Republika Çeke, Franca, Luksemburgu dhe Sllovenia kanë ndryshuar ligjin evropian për arrestin, i cili rregullon ekstradimin mes vendeve anëtare. Por Komisioni tërhoqi vëmendjen se Kroacia duhej ta kishte njoftuar Brukselin më parë gjatë negociatave për anëtarësimin.

Polemika për ligjin e ekstradimit ka pezmatuar veçanërisht marrëdhëniet e Kroacisë me Gjermaninë. Pas amendimit me nxitim të legjit të ekstradimit, Zagrebi refuzoi një kërkesë gjermane për ekstradimin e ish-spiunit Josip Perkovic, të kërkuar në lidhje me një vrasje në kohën e komunizmit. Perkovic ka drejtuar shërbimit sekret ushtarak të Kroacisë pas pavarësisë së vendit nga ish-Jugosllavia në 1991.

Filmstill Josip Perkovic
Ish spiuni Josip PerkovicFotografi: DW

A do të anulohen fondet e BE-së për Kroacinë?

Në Bruksel duket se nuk ka më dyshime që ndaj Kroacisë do të vendosen sanksione. Edhe vetë afati për hyrjen në fuqi të ligjit të amenduar, 15 korrik 2014, është për BE-në një fyerje, shkruan gazeta austriake "Die Presse". Sanksione të mundshme mund të jenë anulimi i subvencioneve të BE-së apo shtyrja e pagesave të premtuara, vazhdon më tej "Die Presse". Sipas gazetës nga konflikti i qeverisë kroate me Brukselin përfiton në radhë të parë partia konservatore HDZ në opozitë. Është "turp" që dy muaj pas anëtarësimit në BE vendi kërcënohet nga sanksione të Unionit, u shpreh europarlamentari kroat nga HDZ, Andrej Plenkovic. Askush në Evropë nuk arrin të kuptojë përse duhet penguar një proces për zbardhjen e likuidimit të njerëzve.

Komisioni i BE-së pritet të marrë sot (18.9.) vendim për sanksionet ndaj Kroacisë.