Kroacia kërkon dënimin e "gjenocidit të Serbisë"
4 Mars 2014Kroacia e ka akuzuar në vitin 1999 Jugosllavinë e atëhershme pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi për gjenocid. Ndërsa Serbia është përgjigjur me kundërakuzë në vitin 2010, për shkak të operacionit ushtarak "Oluja", në gusht të vitit 1995.
Sllobodan Millosheviqi, Armata Popullore Jugosllave (JNA) dhe njësitë paramilitare serbe kanë kryer një "fushatë gjenocidi" kundër joserbëve në periudhën prej vitit 1991-1995. Regjimi i Millosheviqit synonte "krijimin e dhunshëm të Serbisë së Madhe", deklaroi përfaqësuesja e aktakuzës kroate, Andreja Metelko-Zgombiq. Kjo strategji e Millosheviqit dhe e Serbisë nënkuptonte largimin e popullatës kroate nga një e treta e territoreve të Kroacisë dhe asgjësimin e pjesshëm të kësaj popullate. "Me pak fjalë: ky është gjenocid", tha Metelko-Zgombiq, e cila citoi fjalët e Millosheviqit se "kufijtë i përcaktojnë të fuqishmit dhe jo të dobëtit".
Kroacia i referohet Tribunalit të Hagës
Kroacia iu referua edhe dënimit të ish liderit të serbëve të Kroacisë, Millan Martiq në Tribunalin e Hagës. Në këtë vendim thuhet se Millosheviqi ka udhëhequr një fushatë krimesh me qëllim largimin e përhershëm të kroatëve nga një pjesë e madhe e Kroacisë dhe bashkangjitjen e këtyre trerritoreve me Serbinë. Përfaqësuesja tjetër e Kroacisë, Helen Low tha se autoritetet e Beogradit përmes nacionalistëve si lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, "me gjuhën e urrejtjes" e kanë "demonizuar popullin kroat dhe e kanë barazuar atë me ushtashët". Ndërsa Franjo Tugjmanin "e kanë barazuar me Ante Paveliqin". Vetë ekzistenca e kroatëve në këto territore është paraqitur si një kërcënim për serbët, që ka qenë edhe "baza e qëllimeve gjenocidiale" për shfarosjen e tyre.
Qëllimi i kësaj propagande ka qenë përgatitja e gjenocidit, tha Low dhe si shembull përmendi deklaratën e ish politikanit serb Milan Paroshki në maj të vitit 1991, se "këto janë toka serbe" dhe se çdokush që thotë ndryshe është okupator që keni të drejtë ta vrisni si qenin".
Në fushatën kundër Kroacisë ka marrë pjesë edhe Shesheli. Ndërsa Millosheviqi i ka përdorë fjalët e tij për fushatë në media. Shesheli angazhohej për krijimin e një shteti serb me kufi Karllovac-Ogullin-Karllobag-Viroviticë. Millosheviqi ia ka dhënë më pas Sheshelit rolin udhëheqës në fushatën e krimeve në Kroaci, të cilat si pasojë kanë pasur edhe gjenocidin.
Millosheviqi dhe Shesheli kanë pasur për qëllim "amputimin e 1/3 së territorit kroat dhe bashkimin e tij me Serbinë". Në këtë territor është dashur të futen jo vetëm pjesët e banuara me shumicë serbe, por edhe "Dubrovniku, Spliti, Shibeniku, Zara dhe Osjeku", ku ka pasur shumë pak serbë. Low përmendi në veçanti edhe njësitet paramilitare të Zhelko Razhnatoviq Arkanit, të cilat janë përgjegjëse për "disa nga krimet më të rënda të këtij gjenocidi". Si shembull, ajo përmendi fushatën e vrasjeve në Vukovar, në vjeshtën e vitit 1991.
Edhe JNA e përfshirë në krime
Përfaqësuesi tjetër i Kroacisë James Crawford tha se në këto krime dhe në këtë gjenocid ka qenë e përfshirë edhe JNA, e cila pas një periudhe të shkurtër neutraliteti, shumë shpejt është shndërruar në ushtri për mbrojtjen e interesave serbe. "JNA ka marrë pjesë në agresionin kundër Kroacisë, i cili për qëllim kishte okupimin e 1/3 së territorit të saj. Ajo edhe vet ka qenë e përfshirë në krimet si në Ovçarë dhe Vukovar", theksoi Crawford. Përfaqësuesit e Kroacisë kanë vazhduar me paraqitjen e argumenteve për gjenocid edhe sot (04.03.2014), kur do të nxirren edhe dëshmitarët e parë. Por Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi ka ndaluar që në media të paraqiten deklaratat e dëshmitarëve deri më 1 prill. Kroacia do të paraqesë argumentet e saj deri të premten, ndërsa me 10 mars do të fillojë Serbia me paraqitjen e argumenteve të saj për gjenocid të Kroacisë kundër serbëve.
GJND ka konstatuar në vitin 2008 se është kompetente për këto akuza. Kroacia kërkon nga GJND që Serbinë ta shpallë fajtore për gjenocid dhe të urdhërojë denimin e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë gjenocid. Kroacia kërkon prej Serbisë kthimin e të gjitha vlerave kulturore dhe pagesën e dëmshpërblimit të luftës. Vlerën e këtij dëmshpërblimi duhet ta caktojë GJND.
Ndërsa Serbia në kundërakuzë akuzon Kroacinë për operacionin "Oluja", që ka pasur për qëllim "shfarosjen e pjesshme apo totale të serbëve të Krajinës". Edhe ajo ka kërkuar denimin e përgjegjësve. Nga Krocia kërkohet pagesa e plotë e dëmshpërblimit për serbët e Krajinës së Kninit dhe kom pensimin e të gjitha humbjeve.