Kroaci: Zgjedhjet presidenciale do të vendosen në balotazh
29 Dhjetor 2014Asnjë prej kandidatëve në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Kroaci nuk e ka fituar shumicën e duhur absolute për t'u zgjedhur në këtë post. Presidenti aktual Ivo Josipoviq, kandidat i Partisë Socialdemokrate, ka fituar më së shumti vota (38,50%). Por dallimi i tij ishte minimal në krahasim me kandidaten e HDZ, Kolinda Grabar- Kitaroviq (37,17). Me 11 janar rreth 3.770.000 qytetarë kroatë me të drejtë vote do të vendosin se kush do të jetë presidenti/presidentja e re e Kroacisë. Në vondvotime kanë dalur dje (28.12.2014) mbi 47% e votuesve, ndërsa befasia më e madhe ishte aktivisti për të drejtat e njeriut, 24 vjeçari Ivan Sinçiq, i cili përkundër fushatës së shkurtër ka fituar 16, 44 % të votave.
Josipoviq i bindur se do të fitojë prap
Presidenti aktual, Ivo Josipoviq është i bindur se do të fitojë me 11 janar në balotazh. "Kemi fituar në raundin e parë dhe do të fitojmë edhe në balotazh", deklaroi ai në paraqitjen e tij të parë pas bërjes publike të rezultateve. Josipoviq tha se qëllimi i tij është që të krijojë një Kroaci me më shumë demokraci, të drejta të njeriut, tolerancë dhe me një ekonomi të fuqishme. "Motoja ime është drejtësia, sepse në politikë nuk do të ketë vend më për ata që e kanë vjedhur dhe plaçkitur vendin tonë, për ata që kanë qenë në krye të korrupsionit dhe e kanë shkatërruar bazën e ekzistencës sonë", theksoi Josipoviq, i cili në këtë mënyrë sulmonte HDZ, partinë e kundërkandidates së tij në balotazh.
Kitaroviq shpreson se do të ketë ndryshime
Kandidatja e HDZ në zgjedhje Grabar-Kitaroviq ka fituar më shumë vota se sa që thuhej në sondazhe. Ajo tha se zgjedhësit kanë treguar se duan ndryshime. "Duam të kemi një pushtet të guximshëm, të vendosur, që e do vendin dhe shtetin e vet. Një pushtet që do të na çojë përpara", themsoi Grabar-Kitaroviq, e cila sikur edhe Josipoviq, beson se do të fitojë në raudin e dytë të zgjedhjeve.
Rezultatin e zgjedhjeve e ka komentuar edhe kryeministri Zoran Milanoviq, kryetar i Partisë Socialdemokrate, kandidat i të cilës është presidenti antual Ivo Josipoviq. Para gazetarëve në Zagreb ai tha se ka pritur një dallim më të madh në zgjedhje. "Edhe balotazhi do të jetë i vështirë, po besoj në fitoren e Josipoviqit", tha ai duke shtuar se "HDZ është partia e cila e ka plaçkitur Kroacinë". Por për befasinë e shumë ekspertëve dhe sondazheve, këto pohime nuk kanë ndihmuar shumë në raundin e parë. Ndaj edhe balotazhi do të jetë shumë i ngushtë.