1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroaci: 10 të vdekur nga një aksident me autobus nga Kosova

Bekim Shehu
25 Korrik 2021

Dhjetë vetë gjetën vdekjen dhe mbi 30 të tjerë u lënduan në një aksident me një autobus nga Kosova në Sllavonski Brod të Kroacisë.

https://p.dw.com/p/3y14S
Kroatien Slavonski Brod | Busunfall mit 10 Toten
Fotografi: Luka Safundzic/SBonline/AP Photo/picture alliance

Autobusi me targa të Kosovës doli nga rruga në orët e hershme të mëngjesit të sotöm, njofton policia kroate. Mediet kroate shkruajnë se autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë dhe i përket një kompanie nga Kosova.

"Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me targa të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor" - tha zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, citon televizioni public Kroat (HRT).

Kroatien Slavonski Brod | Busunfall mit 10 Toten
Fotografi: Luka Safundzic/SBonline/AP Photo/picture alliance

Sipas tij është e rëndë edhe gjendja shëndetësore e disa nga të lënduarit. Edhe shefi i policisë së Sllavonski Brod, Franjo Galiq, tha se autobusi me targa të Kosovës po udhëtonte në linjën e rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Ngushëllime për familjet e viktimave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se "Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit”, shkroi Kurti  dhe njoftoi se ministri i Brendshëm Xhelal Svecla është nisur për Kroaci.

Kroatien Slavonski Brod | Busunfall mit 10 Toten
Fotografi: Luka Safundzic/SBonline/AP Photo/picture alliance

Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, shkroi në Twitter se me trishtim të madh mori vesh lajmin për aksidentin me autobus me targa të Kosovës.

"Bashkëndjejmë me familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllime të thella. Shpresoj që pasagjerët e plagosur të shërohen”, shkroi Plenkoviq.