1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Krizën nuk e shpiku Merkeli"

28 Mars 2013

Otto Rehageli do të bëjë në Athinë publicitet për raportin gjermano-grek, ndërsa në Gjermani ai do të bëhet një ambasador i Greqisë. Trajneri gjerman e bën këtë me dëshirë, por në bazë të rregullave të tij të lojës.

https://p.dw.com/p/185CA
Fotografi: picture-alliance/dpa

Si tek ministri grek i Punëve të Brendshme, te ministrja e Turizmit ose në turneun futbollistik midis të rinjve të ekipit Panathinaikos Athinë dhe një ekipi me fëmijë emigrantësh - Otto Rehageli paraqitet sovran në takimet në kryeqytetin grek. Ai ka ardhur me dëshirë këtu, edhe pse e di se me të lidhen shpresa. Kancelarja Merkel i është lutur që të angazhohet për përmirësimin e raportit midis Greqisë dhe Gjermanisë. Ministri i Brendshëm i Greqisë, Stilianidhis i kërkon që të bëhet një ambasador i Greqisë në Gjermani.

Rehageli duhet t'i ndriçojë gjermanët që grekët janë punëtorë, se ata do t'i plotësojnë kushtet e vëna nga troika. Ndërsa ministrja e Turizmit e falenderon paraprakisht, që Otto Rehageli do të angazhohet që ekipet gjermane të futbollit ta ngrenë në të ardhmen kampin e tyre dimëror edhe në Greqi.

Otto II. kthehet

Që kur si trajner i kombëtares greke ai fitoi në vitin 2004 Kampionatin Evropian të Futbollit, në Greqi te Rehageli kanë shumë besim. Këtë ai e di edhe vetë. Ai flet me dëshirë për faktin që mbreti i parë i Greqisë pas pavarësisë në shekullin e 19-të ishte një gjerman, i cili sundoi për 32 vjet. Ndërsa ai, i pakurorëzuari Otto II qëndroi vetëm 10 vjet në Greqi. Ajo që nuk e thotë Rehageli është që Otton e parë e dëbuan. Kurse Rehageli e zgjodhi vetë momentin e largimit.

Edhe sot, Rehageli përgjigjet dhe vepron si e konsideron ai të drejtë. Më e rëndësishmja në futboll, thotë ai, nuk është taktika, por protagonistët, pra lojtarët. Ata duhen parë si personalitete.

Rehageli me ekipin e të rinjve grekë
Rehageli me ekipin e të rinjve grekëFotografi: DW/P. Kouparanis

Në vitin 2004 ai pati sukses, sepse e pati respektuar tipin spontan dhe të egër të lojëtarëve të tij grekë. "Kontributi im ishte që u mësova atyre rregull dhe disiplinë."

Kush punon, gëzon

A mund të jetë kjo rruga e artë edhe për zgjidhjen e problemeve greke? Në fakt, Otto Rehageli nuk kishte dëshirë t'u përgjigjej pyetjeve të tilla. Kjo do të ishte pjesa e Hans-Joachim Fuchtelit, sekretarit të shtetit në Ministrinë Federale të Punës, i cili ka ardhur në Greqi për të bërë publicitet për bashkëpunimin midis komunave gjermane dhe atyre greke. Fuchteli e pati edhe idenë me angazhimin e Rehagelit. Po kjo ndarje pune nuk u intereson gazetarëve grekë. A do t'ia dalin dot grekët mbanë krizës së sotme, pyesin ata. "Mund të arrish gjithçka", përgjigjet Otto Rehageli, "po t'i bashkosh fuqitë".

Rehagelit i mungon rreptësia, e cila përmban nganjëherë "shuplaka për grekët" nga Gjermania. Grekët dinë ta vlerësojnë këtë. Nga një njeri i tillë ata pranojnë edhe përgjigje, si ajo që dha kur e pyetën për fajin e kancelares gjermane për krizën ekonomike në Greqi: "Zonja Merkel nuk e shpiku krizën".

Autor: Panajotis Kouparanis/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi