Krizë qeveritare në Berlin: Çështjet më të rëndësishme
16 Qershor 2018Çfarë duan CDU dhe CSU?
Partia kristiandemokrate gjermane CDU dhe ajo kristiansociale CSU, dy parti simotra konservatore janë duke diskutuar ashpër për politikën e azilit dhe atë të refugjatëve. Dhe janë duke e bërë këtë prej disa vitesh. Në vitin 2015 kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) mori vendimin spektakolar për të pranuar refugjatët që ishin bllokuar në Hungari. Të ardhur nga Siria, Iraku, vendet afrikane. Në fakt atyre do u ishte dashur të qëndronin në Hungari, sepse kështu parashohin rekomandimet e BE-së. Azil njerëzit duhet të kërkojnë në vendin e parë të BE-së, ku kanë shkelur. Por që prej refugjatëve të Hungarisë ky rekomandim nuk është zbatuar në Gjermani.
Merkel vazhdon si më parë me politikën zemërgjerë kurse CSU është krejtësisht kundër. Tek refugjatët e shumtë ata shohin mbingarkesë për njerëzit në Gjermani. Kjo grindje ka prishur marrëdhëniet midis të dy partive. Në vjeshtë zhvillohen në Bavari zgjedhjet e landit dhe CSU do që të fitojë kundër populistëve të djathtë të "Alternativës për Gjermaninë" (AfD), e cila është duke u forcuar gjithnjë e më shumë. CSU kërkon të mbajë shumicën, siç e ka aktualisht, duke patur kurs të qartë në politikën e azilit.
Përse ka shpërthyer kriza pikërisht tani?
Në qeverinë e re, CSU ka ministrin e Brendshëm. Horst Seehofer quhet ai. Seehofer ka prezantuar tani një plan që është kthyer në mollë sherri për CSU dhe CDU. Sipas planit të tij, azilkërkuesit nuk duhet të hyjnë në Gjermani nëse kanë qenë më parë në një vend tjetër të BE-së. Se si duhet bërë kjo, ka mbetur pa përgjigje.
Parimisht duhet vetëm të zgjerohet më shumë kontrolli në kufirin me Austrinë, gjë që nuk është duke u bërë aktualisht. Por, pasojat e planit të Seehoferit nuk i sheh njeri aktualisht. Vendimtare është se Seehofer do t' i verë në jetë planet e tij edhe pa aprovimin e kancelares, e cila është shefja e tij. Merkel nuk mund ta lejojë këtë. Sepse në çështjet e rëndësishme politike fjalën e ka kryetarja e qeverisë. Fjala magjike për këtë është: kompetenca për të dhënë direktiva.
Ekziston mundësia të prishet koalicioni?
Shumë gjëra janë tani të imagjinueshme. Merkel nuk mund të pengojë Seehoferin direkt për të vënë në zbatim planet e tij, sepse siguria e kufijve është kompetencë e tij. Por ajo mund ta shkarkojë atë nga detyra. Por të gjithë vëzhguesit janë të bindur se kjo do sillte fundin e qeverisë, sepse CSU do largohej nga koalicioni. Merkel mund të shtrojë në parlament çështjen e votëbesimit, që të detyrojë koalicionin që të ndjekë kursin e saj dhe jo të Seehoferit. Nëse ajo humbet votëbesimin atëherë do të duhen zgjedhje të reja. Merkel vetë përpiqet të fitojë kohë. Ajo kërkon që të zhvillohet një herë takimi i nivelit të lartë të BE-së, i cili do merret me çështjet e azilit. Atje ajo do përpiqet të gjejë një zgjidhje me të gjitha vendet e BE-së. Por ka shumë pak mundësi që t' ia dalë mbanë. Ditën e premte pati zëra nga CSU që dhanë sinjale se Merkeli mund ta marrë këtë afat 14 ditor.
Po shpërbëhet koalicioni midis CDU dhe CSU?
Ekzistojnë edhe skenarë të tjerë më pak të mundshëm. Përshembull CDU dhe CSU kanë një fraksion të përbashkët në parlament, Bundestag, dhe ekzistojnë zëra që thonë se ky bashkim mund të ndahet për shkak të grindjeve. Për klimën politike kjo do ishte keq për konservatorët, por praktikisht kjo nuk do kishte si pasojë prishjen e koalicionit. Disa politikanë të CDU të zemëruar me CSU thonë hapur që nëse është kështu atëherë në të ardhmen CDU do përfaqësohet vetë edhe në Bavari, do krijojë vetë atje grupe lokale të partisë dhe të shfaqet si të thuash si konkurente e CSU-së. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme për CSU, pushteti i të cilës është në Bavari faktori më i rëndësishëm politik.
A mund të ketë edhe një kompromis?
Në orët e ardhshme dhe me siguri edhe në fundjavë, Wolfgang Schäuble, president i Bundestagut dhe politikan i CDU-së, do të bëjë ndërmjetësimin midis palëve. Ai është shumë i aftë për këtë. Besnik kundrejt kancelares, ai është një konservator i bindur që shpesh ka theksuar se e sheh për të rrezikshme politikën e Merkelit për refugjatët. Deri në vjeshtë të 2017-ës, ai ka qenë ministër i respektuar Finance në Gjermani. Por edhe ai nuk mund ta zgjidhë i vetëm konfliktin.
Çfarë bën Partia Socialdemokrate?
Por ekziston edhe një parti tjetër në qeveri, Partia Socialdemokrate. Çfarë po bën ajo? Ajo nuk është përzier në konflikt, rri mënjanë dhe bën thirrje për t' u përmbajtur duke i vëzhguar ngjarjet e indinjuar. Sepse ajo ka frikë nga zgjedhjet e reja. Në sondazhe ajo ka pasur rreth 16 përqind mbështetje, katër përqind më pak se në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së kaluar.