Kriza është kapërcyer - OECD-ja kërkon dalje nga programet koniunkturore
22 Nëntor 2009Ekspertët e pavarur të ekonomisë botërore në selinë qendrore të OECD-së kishin këtë herë lajme të mira. Kriza ekonomike duket se është kapërcyer në të gjitha vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Por mungon ritmi, thotë eksperti për ekonominë pranë OECD-së Eckhard Wurzel: "Rritja që ne shohim është relativisht e ngadaltë. Nuk kemi të bëjmë me një përshpejtim siç e kemi konstatuar në fazat e mëparshme të hovit ekonomik."
Dhe sipas OECD-së kjo është një nga arsyet pse rritja ekonomike në Gjermani nuk do të sjellë përmirësime në tregun e punës. Përkundrazi!
"Do të kemi një rritje të konsiderueshme të papunësisë në Gjermani dhe ne presim që norma e papunësisë të vazhdojë të rritet deri në mes të vitit 2011", thotë Wurzel.
Ritme të ngadalta rritjeje, shtim i papunësisë
Për të arritur në nivelin prej 9,7 për qind ose dy pikë përqindje më shumë se sot. Sipërmarrjet në Gjermani ia kanë dalë mbanë të mbajnë punonjësit e tyre gjatë krizës. OECD-ja përgëzon llogaritë e shumta të mbledhjes së orëve të punës në firma dhe modelin e punës me orar të shkurtuar që subvencionohet nga qeveria gjermane. Megjithatë muajt e ardhshëm sipërmarrjet do të jenë të detyruara të shkurtojnë personel për shkak të kostove.
Nevojë për konsolidim të buxhetit - Kriteret e paktit të Mastrihtit duhen respektuar
OECD-ja këshillon çuarjen deri në fund të programeve koniunkturore në vazhdim. Por në përfundim të tyre i duhet dhënë fund edhe ndihmave shtetërore për ekonominë dhe ciklin e biznesit, thotë Jorgen Elmeskov, kryeekonomist pranë OECD-së. Ai shprehet i shqetësuar për faktin që më pak se gjysma e vendeve anëtare të OECD-së kanë paraqitur plane për ristrukturimin e buxheteve. Kështu edhe OECD-ja i kundërshton ato vende apo politikanë që duan të ndryshojnë apo pezullojnë kriteret e stabilitetit të paktit të Mastrihtit. "Çdo dobësim i paktit të stabilitetit nuk do të ishte i dëshërueshëm", thotë Jorgen Elmeskov. Dhe Eckhard Wurzel shton se duhet edhe një plan kohor i cili duhet të fillojë kur në Gjermani të kenë përfunduar programet koniunkturore: "Pastaj duhet të mendojmë pak më larg, pra për kohën pas 2011-s apo më vonë. Fjala është për forcim të fuqisë së rritjes ekonomike jo së fundi nëpërmjet konsolidimit fiskal."
Për qeverinë në Berlin raporti nga Parisi është një dush i ftohtë: rritje e ndjeshme e numrit të të papunëve gjatë dy viteve të ardhshme si një tjetër faktor kostosh në arkat e shtetit, por edhe një paralajmërim i qartë sa i përket uljes së barrës fiskale.
"Deficitet dhe niveli i borxheve në Gjermani duhet të ulen. Pra presim me padurim masat konsoliduese si kundërpërgjigje ndaj uljes së planifkuar të barrës fiskale", thotë Wurzel.
Nëse qeveria gjermane kërkon të ulë tatimet dhe taksat kjo mund të ndodhë vetëm duke respektuar të ashtuquajturën "frenë e borxheve" e ankoruar në ligjin themelor të Gjermanisë. Por ekspertët e OECD-së kanë dyshime për suksesin e këtij plani. Së pari për shkak të papunësisë së lartë dhe së dyti për shkak se shoqëria në Gjermani vazhdon të plaket.
Autor: Johannes Duchrow / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti